Topi takon ambasadorët, premton zgjidhje të krizës politike
Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti Bamir Topi ka takuar dje në Pallatin e Brigadave ambasadorët e huaj në Tiranë. Gjatë diskutimit të situatës politike në vend Kreu i Shtetit theksoi se është i bindur se forcat politike do të dinë të kalojnë problemet që reflektohen në debatin që nuk shkon me standardet e kërkuara duke bërë në këtë mënyrë dhe njëfarë premtimi se kriza politike do të zgjidhet. “Për ne është e domosdoshme të ndjekim me rigorozitet standardet dhe kjo vlen për politikën, administratën, ekonominë dhe gjithçka. Ne i kemi të gjitha aftësitë që gjatë këtij viti të tregojmë më shumë mençuri, përgjegjësi, vizion e besim për të orientuar energjitë dhe kohën tonë shumë të vlefshme drejt një debati konstruktiv, për tu ngritur mbi interesat imediate pavarësisht çmimit që kërkohet, për të ndërtuar së bashku shoqërinë e vërtetë demokratike”,- theksoi Topi duke shtuar se në frymën e këtij komunikimi miqësor i siguron ata se institucionet e Shqipërisë do të përballojnë detyrimet në rritje që do ti shërbejnë mirëqenies së popullit dhe në përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e tyre. “Jam i bindur se do të ndërtojmë një botë më të qetë dhe të sigurt për popujt tonë për një të ardhme më të bukur për fëmijët tanë”, - theksoi Topi. Ai shprehu dëshirën që viti 2010 të vendosë edhe një gur të fuqishëm në urën e bashkëpunimit Shqipëri - Bashkimi Evropian, duke u rikthyer qytetarëve të drejtën e mohuar nga regjimi komunist që në vitin 1945, të drejtën për të lëvizur të lirë në Evropën e lirë dhe të Bashkuar. “Evropa e sotme është ndërtuar rreth vlerave të përbashkëta: paqes, të drejtave të njeriut, pluralizmit politik, demokracisë, shtetit të së drejtës. Aplikimi i Shqipërisë për statusin e kandidatit, pranimi dhe paraqitja e pyetësorit e bëjnë të veçantë vitin 2009 në raportet me Bashkimin Evropian. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se asgjë nuk dhurohet, gjithçka meritohet dhe fitohet me dinjitet. Administrata shqiptare po tregon një përkushtim të rrallë dhe shumë angazhim që dorëzimi i pyetësorit të realizohet brenda afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, duke përmbushur kështu edhe këtë detyrë shtëpie që në muajt e parë të vitit 2010, si një ogur i mbarë në rrugën tonë integruese”, - pohoi ai. Më tej Topi ka bërë një analizë të vitit 2009. Ai theksoi se gjatë vitit që kaloi Shqipëria përmbylli me sukses kapitullin e rëndësishëm të anëtarësimit me të drejta të plota në NATO për të vazhduar me përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive që lindin nga ky anëtarësim, përgjegjësi në planin e brendshëm, në atë rajonal e global. Ai shtoi se kontributi që Forcat tona të Armatosura japin në Afganistan kanë rëndësi jo vetëm për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në këtë vend, por edhe për të sjellë përvojën e tyre të vyer në radhët e Forcave të Armatosura, të orientuara tashmë drejt profesionalizmit dhe modernizmit. “Aspekti i përgjegjësive rajonale dhe frymës së bashkëpunimit për një rajon të qetë, të sigurt dhe të integruar mbetet përparësi e politikës së jashtme të Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s. Suksesi i politikës rajonale të Shqipërisë nuk është i rastësishëm dhe as i pamerituar. Ai ka ardhur si rezultat i një qëndrimi të matur, të pjekur e të koordinuar ndaj të gjitha çështjeve delikate, të shtruara për zgjidhje dhe një harmonizimi të drejtë të interesave e përparësive kombëtare me ato rajonale dhe ndërkombëtare”, - theksoi Kreu i Shtetit.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2010