E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta përkthyesi i letërsisë shqipe Ramon Sanchez Lizarralde

12/07/2011   Është ndarë nga jeta në moshën 60 vjeçare përkthyesi i njohur i letërsisë shqipe Ramon Sanchez Lizarralde. Familja e tij bëri të ditur se Ramon mbylli sytë të dielën më 10 korrik, pas një sëmundjeje të rëndë.

Lizarralde ishte përkthyesi më i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën spanjolle. Një njohës i jashtëzakonshëm i gjuhës dhe kulturës shqiptare, ai përktheu në spanjisht pothuajse të gjithë korpusin letrar të Ismail Kadaresë, nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” tek “Kronikë në Gur”, nga “Koncerti” tek “Darka e Gabuar”. Ai i dha gjithashtu lexuesit spanjoll dhe latino-amerikan një pjesë të përrallave shqiptare, një mision shumë i vështirë për çdo përkthyes. Ramon Sanchez përktheu edhe autorë të tjerë si: Mitrush Kuteli, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Xhevahir Spahiu, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa etj.

Për përkthimet e tij nga gjuha shqipe Lizarralde fitoi më 1993 Çmimin Kombëtar Spanjoll të Përkthimit për romanin “Koncerti” të Ismail Kadaresë. Në vitin 2005 ai u nderua nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë me çmimin “Pena e argjendtë” për kontributin e tij në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Spanjë dhe botë. Para disa kohësh, Mbreti Huan Carlos i Spanjës e nderoi përkthyesin e njohur me titullin Comendador i Urdhërit për Merita Civile “për kontributin e dhënë për njohjen dhe nxitjen e miqësisë midis popujve të Shqipërisë dhe Spanjës”.

Ramon Sanchez është gjithashtu autor i shumë botimeve dhe studimeve që lidhen me fushën e përkthimit dhe të studimeve shqiptare, për të cilat ai fitoi një njohje të gjerë ndërkombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›