E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet për të marrë pension në qytet

20/04/2009  Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u përgjigjen letrave të lexuesve

Nëse jetoni në qytet, por sigurimet shoqërore i keni paguar në fshat për një periudhë të gjatë kohe, apo nëse keni hapur një aktivitet privat dhe jeni zotërues i një toke dhe doni të dilni në pension, duhet të plotësoni disa kushte. Disa qytetarë u kanë drejtuar pyetje për problematikën e tyre specialistëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të gjetur zgjidhje. Disa prej tyre pyesin se si mund të paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore, ku duhet të paguajnë dhe çfarë përfitojnë nga pagesa e kontributeve. Një prej këtyre rasteve bën fjalë për personat që dalin në pension pleqërie fshati në mars të këtij vitit dhe kanë paguar kontributet si të vetëpunësuar në bujqësi nga viti 1994 deri në vitin 2008, pra për një periudhë 15-vjeçare. Kjo është koha e plotë, në fakt, që duhet të plotësohet me ligj për të marrë një shtesë mbi pensionin bazë, që është 5200 lekë, pra shtesa është 1867 lekë. Gazeta boton të plota pyetjet dhe përgjigjet për pesë situata të ndryshme.

Pyetje 1

Quhem F. Lami. Kam një vjetërsi në punë në Ndërmarrjen Pyjore prej 5 vjetësh. Kam ardhur në vitin 2001 nga komuna Maqellarë e rrethit të Dibrës dhe kam marrë tokë me qira në komunën Xhafzotaj të rrethit të Durrësit. Në komunën e Maqellarës kam paguar për sigurimet shoqërore nga viti 1993 deri në vitin 1997. Pyetja që ju drejtoj është: si mund të paguaj kontributet për sigurimet shoqërore, ku mund të paguaj dhe sa duhet të paguaj? Çfarë përfitoj nga pagesa e kontributeve?

Përgjigje 1

Në kushtet e faljes së kamatëvonesave, në mbështetje të ligjit nr. 9986, datë 11.09.2008, i keni të gjitha mundësitë për të siguruar periudha të kaluara me ato nivele minimale kontributesh që kanë qenë në vitet respektive. Në rast se keni pasur tokë dhe aktivitet bujqësor ose blegtoral në komunën e Maqellarës nga viti 1997 deri në datën e shpërnguljes në vitin 2001, ju mund t’i paguani përsëri në atë komunë me këto masa kontributesh:

1.01.1998 deri 31.12.1998 shuma 972 lekë;

1.01.1999 deri 31.12.1999 shuma 972 lekë;

1.1.2000 deri 31.12.2000 shuma 972 lekë,

1.01.2001 deri 31.12. 2001 shuma 972 lekë.

Pra, për këta katër vjet ju do të paguani vetëm 3888 lekë, pasi duke u konsideruar si vend malor rrethi i Dibrës ka kuota shumë të ulëta.

Për sa i përket tokës që keni marrë me qira në komunën Xhafzotaj, duhet patjetër të keni aktin noterial për qiramarrje dhe të ushtroni aktivitet bujqësor. Në rast se plotësoni kushtet për vitet 2002–2008, do të paguani masa kontributesh si më poshtë:

1.01.2002 deri 31.12.2002 shuma 3 890 lekë;

1.01.2003 deri 31.12.2003 shuma 5 215 lekë;

1.01.2004 deri 31.12.2004 shuma 6 952 lekë;

1.01.2005 deri 31.12.2005 shuma 7 820 lekë;

1.01.2006 deri 31.12.2006 shuma 9 455 lekë;

1.01.2007 deri 31.12.2007 shuma 10 000 lekë;

1.01.2008 deri 31.12.2008 shuma 12 000 lekë.

Pra, për 7 vjet fundit ju do të paguani gjithsej 55 332 lekë, ose për të gjithë periudhën që keni pa siguruar do të paguani 59 220 lekë, ndërsa për sigurimin shëndetësor do të paguani 3 360 lekë.

Pyetje 2

Quhem A. Shkoza dhe jam banor në Bashkinë e Divjakës. Kam tokë në pronësi, por e kam dhënë me qira. Kam hapur një bar-kafe, ku kam dhe aktivitet bilardo. Shkova për të paguar kontributet dhe inspektori juaj më tha se nuk mund të paguaja si bujk. Kërkoj sqarime nga ju për këtë problem, pasi unë kam tokë në pronësi.

Përgjigje 2

Bazuar në legjislacionin për sigurimet shoqërore, si ligjin 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1114 datë 30.07.2008, që të sigurohesh në kushtet e të vetëpunësuarit në bujqësi duhet të plotësohen këto kushte:

- të keni tokë në pronësi apo në përdorim;

- të ushtroni aktivitet bujqësor e blegtoral;

- të keni vendbanimin në rrethin që keni tokën dhe rrjedhimisht dhe aktivitetin bujqësor.

Përderisa ju nuk keni aktivitet bujqësor, por një aktivitet tregtar, duhet të siguroheni si i vetëpunësuar në qytet.

Pyetje 3

Quhem N. Gjyla dhe jam banor në Bathore të Tiranës që nga data 1.03.2000, ardhur nga komuna Shtiqen e Kukësit. Datëlindja ime është 16.01.1947. Kam blerë një tokë në komunën e Niklës dhe kam aktivitet bujqësor. Tokën e kam regjistruar në hipotekë që nga viti 2007. Në kooperativë bujqësore kam një vjetërsi prej 32 vjet punë. A mund të sigurohem si bujk? Kur e plotësoj moshën për të dalë në pension dhe sa do të më dalë pensioni?

Përgjigje 3

Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.114, datë 30.07.2008, mbas kësaj date ju mund të siguroheni si i vetëpunësuar në bujqësi e deri në plotësimin e moshës për pension. Aktualisht masa e kontributit vjetor për të vetëpunësuarit në bujqësi është 12000 lekë. Ju duhet të paguani nga 1.08.2008 e deri më 31.12.2008 gjithsej 5000 lekë për këtë periudhë. Po kështu, duke paguar për vitet 2009, 2010 dhe 7 muaj në vitin 2011, do të plotësoni vjetërsinë e nevojshme për të përfituar pension të plotë. Për vitet që keni paguar si i vetëpunësuar në bujqësi, do të keni një shtesë prej 1 për qind për çdo vit sigurimi në këtë skemë.

Ju do të plotësoni kushtet për pension në moshën 65-vjeçare, pra më 30.07.2012.

Pyetje 4

Jam F. Mexhiti, banor i komunës Novoselë të rrethit Vlorë. Kam paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore, pasi jam me aktivitet bujqësor. Gjithsej më bëhen 22 vjet punë në kooperativë dhe 13 vjet si bujk privat. Pra, unë i mbush 35 vjet punë. Me moshën që kam, unë dal në pension në muajin dhjetor. Sa do të më takojë pensioni me këtë vjetërsi që kam?

Përgjigje 4

Nëse një person del në pension pleqërie fshati më 20.03.09 dhe ka paguar kontributet si i vetëpunësuar në bujqësi nga viti 1994 deri në 2008, pra 15 vjet, ai merr një shtesë mbi pensionin bazë prej 1867 lekë. Pra, 5200 lekë + 1867 = 7067 lekë.

Nëse del në pension në gusht të vitit 2008 dhe ka paguar 14 vjet kontribute, pra nga viti 1994 deri në 2007, ai merr një shtesë prej 1 720 lekësh. Pra, 5200 + 1720 = 6920 lekë.

Pyetje 5

Quhem J. Qenani dhe jam 45 vjeç. Jam banor i komunës së Livadhjasë në Sarandë. Kam tokë në pronësi dhe kam aktivitet bujqësor në fshat. Kam punuar në kooperativë bujqësore nga viti 1979 deri në vitin 1991, kur u shpërbë kooperativa. Nga viti 1992 e deri tani kam ekonominë time bujqësore, por nuk kam paguar sigurime shoqërore. Kërkoj të sqarohem: kur e plotësoj moshën për të dalë në pension? Me vjetërsinë që kam, përfitoj pension? Si mund të bëj sigurimin shoqëror dhe sa duhet të paguaj?

Përgjigje 5

Me këtë vjetërsi në kooperativën bujqësore ju nuk përfitoni pension. Kushti për të përfituar një pension të pjesshëm kërkon që të keni një vjetërsi në punë jo më pak se 15 vjet, që përfitohet mbasi të plotësohet koha e përcaktuar për pension. E drejta për të përfituar pension ju lind në moshën 65-vjeçare. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj të fundit, që është më kryesore, ju them se keni mundësinë më të mirë për të kompletuar vjetërsinë në punë nëpërmjet skemës së vetëpunësimit në bujqësi. Është për ju që jeni aktualisht në periudhën kur ka hyrë në veprim ligji nr. 9986, datë 11.09.2008, i cili fal kamatëvonesat për të vetëpunësuarit në bujqësi. Në këto kushte, ju mund të paguani kontribute për sigurimet shoqërore për periudhën 1.10.1993–31.12.2008 me ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet respektive.

Për të paguar sigurimet shoqërore e shëndetësore për periudhën 1.10.1993–31.12.2008, pra për 15 vjet e 3 muaj, së bashku me sigurimin shëndetësor, ju duhet të paguani 68 696 lekë sigurim shoqëror dhe 3360 lekë sigurim shëndetësor. Në rast se ju do të vazhdoni të paguani në këtë skemë derisa të plotësoni një vjetërsi të përgjithshme prej 35 vjet (vitet që keni në ish-kooperativë plus sigurimin si i vetëpunësuar në bujqësi), atëherë përfitoni pension si në qytet. Pra, me këtë sigurim ju do të përfitoni të njëjtat përfitime që përfiton një i vetëpunësuar në qytet dhe konkretisht: të gjitha llojet e pensioneve (pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar), sigurim shëndetësor falas, rimbursim ilaçesh.

I nderuar letërshkrues, përveç përfitimeve të mësipërme që janë jetike, ashtu sikurse mund ta keni konstatuar dhe ju, sigurimi shoqëror po kërkohet në çdo hap si për institucionet shëndetësore, për marrjen e vizave për jashtë vendit, për marrjen e kredive në banka etj. Duke u nisur gjithnjë nga interesi juaj, ju sugjeroj të siguroheni pa humbur kohë, aq më tepër që keni mundësinë për të paguar pa kamatëvonesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›