LSI kërkon të bëhen rregullime në Kodin Zgjedhor
Tiranë- Një ditë pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve për ringritjen e Komisionnit të reformës zgjedhore, Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur se tashmë është koha e duhur për të bërë ndryshimet në Kod dhe për ta çuar në fund debatin për Kodin zgjedhor.
Nënkryetari i LSI, Pëllumb Xhufi, tha sot në një konferencë për shtyp, LSI-ja e gjykon këtë moment si çastin e fundit për të bërë rregullimet e fundit të Kodit, në përputhje me frymën dhe standardet europiane. “Por gjithashtu duke përmbushur rekomandimet specifike të OSBE-ODIHR-it, dhe së fundmi dhe ato të Komisionit Europian”- tha ai.
Sipas Xhufit, koha e mbetur në dispozicion duhet të shfrytëzohet për të përmirësuar të paktën hallkën e fundit të proçesit elektoral, që është ajo e administrimit të votës.
Ndërkohë që një ditë më parë, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj deklaroi se komisoni do të merret vetëm me rregullimin e dekretit të presidentit për datën e zgjedhjeve dhe asgjë tjetër.