E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja “OK” rektorëve për autonominë universitare

Dje u dha vendimi për ndryshimet në ligjin për Arsimin e Lartë . Rektorët fitojnë pjesërisht betejën me Ministrinë e Arsimit
Laureta Rryçi

Tiranë - Rektorët fitojnë pjesërisht betejën ligjore me Ministrinë e Arsimit. Gjykata Kushtetuese ka pranuar vetëm një nga tri kërkesat e tyre. Gjithçka nisi që me miratimin e ligjit të ri “Për arsimin e lartë”. Ish-rektorët, duke qenë se nuk gjetën gjuhën e mirëkuptimit me ministrin e Arsimit, Genc Pollo, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar të paktën disa prej pikave të ligjit që binin ndesh me pretendimet e tyre. Gjykata Kushtetuese ka gjykuar se rektorët kishin të drejtë për ankesat e tyre vetëm për një pikë që përmbante ligji “Për arsimin e lartë”.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka të drejtë të shfuqizojë çdo akt të nxjerrë nga autoritetet apo organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë kur këto akte vijnë në kundërshtim me këtë ligj”, - kjo është pika që Kushtetuesja e ka cilësuar në kundërshtim me Kushtetutën. Ndërsa për kërkesat e tjera është shprehur ndryshe, duke e pushuar njërën dhe rrëzuar kërkesën tjetër.
Kërkesa e rektorëve
Ligji i ri “Për arsimin e lartë” solli mjaft debate mes Ministrisë së Arsimit dhe Konferencës së Rektorëve, kryetar i së cilës në atë kohë ishte Shezai Rrokaj. Vetëm pak muaj më parë, ata nisën betejën ligjore duke risjellë në vëmendje të gjyqtarëve të Kushtetueses shfuqizimin e tri pikave. E para kishte të bënte me mënyrën e përzgjedhjes së tyre. “Organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë zgjidhen për një mandat 4-vjeçar. Autoritetet drejtuese zgjidhen deri në dy herë radhazi në të njëjtin funksion. Autoriteti drejtues i një institucioni publik të arsimit të lartë, që konkurron në mandatin e dytë për të njëjtin funksion, duhet të sigurojë 60 për qind të numrit të vlefshëm të votave për t’u shpallur fitues”, - thuhet në ligj. Ndërkohë që rektorët ishin të mendimit se kjo mënyrë përzgjedhjeje cenon parimin e barazisë së shtetasve para ligjit dhe parimin e autonomisë universitare, të parashikuar nga Nenet 18 dhe 57, Pika 7 e Kushtetutës. Ai prek edhe parimin e barazisë së votës, të parashikuar nga Neni 45 i Kushtetutës, sepse i jep vlerë të ndryshme votave të dhëna për kandidatin që kërkon të mandatohet për herë të parë në raport me kandidatin që kërkon të mandatohet për herë të dytë. Po kështu, sipas tyre, Neni 64, pika 2 e këtij ligji, cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, të sanksionuar në Nenin 57, pika 7 të Kushtetutës, sepse duke i njohur Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të drejtën për të shfuqizuar aktet e institucioneve të arsimit të lartë u heq atyre mundësinë për t’u vetëqeverisur;
Neni 64, pika 3 i Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007, që parashikon të drejtën e ministrit të Arsimit dhe të Shkencës për të pezulluar rektorët nga detyra, si dhe kalimin e kompetencave të rektorëve te zëvendësrektorët, është i papajtueshëm me Nenin 92 shkronja “g” të Kushtetutës sipas të cilit Presidenti ka në kompetencë të emërojë rektorët e universiteteve.
Vendimi
Gjatë fazës së diskutimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese
ka konstatuar se kjo pikë ka ndryshuar tërësisht dhe kjo kërkesë nuk mund të shqyrtohet nga ana e tyre. Përsa i përket kërkesës së dytë, që ka të bëjë me autonominë universitare, gjyqtarët kanë argumentuar se qëllimi i kësaj autonomie është ruajtja e lirisë së shkencës, kërkimit shkencor dhe mësimdhënies, si dhe mbrojtja e studiuesve dhe profesorëve nga influencat politike etj., nisur nga ideja se shkenca dhe mësimdhënia, normalisht, mund të ekzistojnë dhe të sjellin progres vetëm kur janë të lira dhe të pavarura. “Autonomia universitare duhet të zhvillohet në mënyrë që të inkurajojë dhe ndihmojë në zhvillimin e arsimit dhe të shkencës. Elementët bazë të saj nuk mund të kufizohen. Për çështje të tjera kufizimet mund të vihen, por edhe ato duhet të jenë legjitime, domethënë në pajtim me standardet kushtetuese”, - thuhet në vendimin e Kushtetueses. Për këtë pikë, Kushtetuesja ka vendosur ta pranojë si kërkesë duke ruajtur kështu autonominë universitare nga kontrollet e Ministrisë së Arsimit.

Box
Pikat që rektorët kërkonin të ndryshoheshin

Neni 23
Kohëzgjatja e mandatit për organet dhe autoritetet drejtuese

1. Organet dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë zgjidhen për një mandat 4-vjeçar. Autoritetet drejtuese zgjidhen deri në dy herë radhazi në të njëjtin funksion. Autoriteti drejtues i një institucioni publik të arsimit të lartë, që konkurron në mandatin e dytë për të njëjtin funksion, duhet të sigurojë 60 për qind të numrit të vlefshëm të votave për t’u shpallur fitues.

Neni 64
Kontrolli i ligjshmërisë

2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka të drejtë të shfuqizojë çdo akt të nxjerrë nga autoritetet apo organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë kur këto akte vijnë në kundërshtim me këtë ligj.

3. Në raste flagrante ose shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore nga rektori i një institucioni të arsimit të lartë, ministri i Arsimit dhe Shkencës urdhëron pezullimin e tij, duke ia dërguar atë për procedura të mëtejshme Presidentit të Republikës, i cili duhet të përgjigjet brenda një muaji. Ministri i Arsimit dhe Shkencës cakton njërin prej zëvendësrektorëve që do të zëvendësojë rektorin e pezulluar deri në zgjedhjen e rektorit të ri, sipas këtij ligji. Ministri i Arsimit dhe Shkencës menjëherë pas dekretimit të shkarkimit shpall zgjedhje të parakohshme.

Përse u pranua kërkesa

“...Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sipas pikës 2 të Nenit 64 të Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007, i është dhënë e drejta që të shfuqizojë çdo akt të nxjerrë nga autoritetet apo organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë, kur këto akte vijnë në kundërshtim me këtë ligj. Gjykata Kushtetuese vë në dukje se nuk mund të ketë garantim të parimit të autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë në rast se mbikëqyrja prej Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ushtrohet në mënyrën e parashikuar nga dispozitat e mësipërme. Kjo për faktin se shfuqizimi i akteve që konsiderohen të paligjshme drejtpërdrejt nga ministri apo Ministria e Arsimit dhe Shkencës, siç është shprehur në ligj, i vendos universitetet nën kontrollin hierarkik të pushtetit ekzekutiv, sikur ato të ishin organe në varësi të tij. Në këtë mënyrë, ligji nga garant për respektimin e parimit kushtetues të autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë, kthehet në një instrument që e cenon atë nëpërmjet ndërhyrjes së organeve ekzekutive...”

Çështja që u pushua

“..Kërkuesit kanë pretenduar gjithashtu papajtueshmërinë e pikës 3 të Nenit 64 të Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, me Nenin 57, pika 7, e Kushtetutës. Në këtë dispozitë të ligjit është parashikuar se në raste flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore nga rektori i një institucioni të arsimit të lartë, ministri i Arsimit dhe Shkencës urdhëron pezullimin e tij dhe ia dërgon çështjen për procedura të mëtejshme Presidentit të Republikës, i cili duhet të përgjigjet brenda muajit. Është parashikuar gjithashtu që ministri i Arsimit dhe Shkencës cakton njërin prej zëvendësrektorëve për të zëvendësuar rektorin e pezulluar deri në zgjedhjen e rektorit të ri dhe pas dekretimit të shkarkimit shpall zgjedhje të parakohshme. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të kërkesës, për pikën 3 të Nenit 64, të Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007, Gjykata Kushtetuese nuk mundi të shprehet për pajtueshmërinë ose jo të dispozitës së mësipërme me Kushtetutën, pasi nuk u arrit shumica e kërkuar nga Neni 72 i Ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”..”

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›