E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria verifikon pasurinë e Mihal Delijorgjit

TIRANË - Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit po verifikon edhe pasuritë e shtetasit Mihal Delijorgji, administratorit të firmës “Alba Demil”. Sipas njoftimit për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, në kuadër të kësaj procedure, po merren informacione nga bankat dhe zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Firma “Alba Demil”, me administrator Mihal Delijorgjin,, kryente çmontimin e municioneve luftarake, predhave, në fabrikën ku çmontoheshin në Gërdec. Mihal Delijorgji u ndalua të martën mbi bazën e një urdhri të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës me akuzën e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Së bashku me të, për të njëjtën akuzë, u ndaluan edhe Dritan Minxholi, drejtor i kësaj firme dhe përfaqësuesi i ndërmarrjes “MEICO”, Ylli Pinari.

Tiranë, në 24 orë, tre aksidente rrugore

TIRANË - Tre persona u lënduan gjatë tre aksidenteve rrugore që ndodhën në Tiranë gjatë 24 orëve të fundit. Lidhur me to, policia po procedon në gjendje të lirë dy drejtues mjetesh për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Sipas njoftimit për shtyp të policisë, dje, në Rrugën e Durrësit, një automjet i paidentifikuar aksidentoi një 22-vjeçar nga Tirana. Po punohet për identifikimin e mjetit dhe kapjen e autorit. Po në Rrugën e Durrësit, automjeti tip “Benz Mercedes” me targë TR 3916 K, aksidentoi një kalimtare. Drejtuesi i këtij mjetit, Altin Z., 27 vjeç, po procedohet në gjendje të lirë, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Ndërsa aksidenti i tretë është regjistruar në rrugën “Ali Demi”, pranë shkollës “Kushtrimi i lirisë”, automjeti tip “Opel Corsa” me targë TR 9127 N, është përplasur me një motor duke aksidentuar drejtuesin e tij. Me të njëjtën akuzë të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, policia tha se po procedon drejtuesin e makinës shtetasin Skënder Gj., 44 vjeç. Policia e Tiranës konfirmoi, se tre të aksidentuarit po kurohen në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›