Kushtetuesja, PD shqyrton sot tre dekretet e Topit
Komisioni i Ligjeve do të votojë sot tri dekretet e Presidentit Bamir Topi për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Burime pranë deputetëve demokratë bëjnë të ditur për gazetën se gjatë pasdites janë lajmëruar për një mbledhje të komisionit sot në orën 09:00, ndërkohë që në rendin e ditës në orën 10:00 është parashikuar diskutimi i projektligjit "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 'Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë', të ndryshuar". Sipas Rregullores së Parlamentit, tre kandidatët do të prezantohen para deputetëve, të cilët do të kenë në dispozicion edhe një dosje me CV-në e secilit prej tyre. Më pas deputetët do t'u drejtojnë pyetje kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese përpara se të votojnë. Në seancën e sotme do të mungojnë deputetët e opozitës, të cilët kanë kërkuar që gjyqtarët e Kushtetueses të votohen me 84 vota. Presidenti Topi dekretoi në 13 maj emrat e Altina Xhoxhajt, Bashkim Dedjes dhe Vangjel Kostës, të cilët do të zënë vendet e Kujtim Putos, Fehmi Abdiut dhe Sokol Sadushit. Dy nga tre gjyqtarët e dekretuar dje nga Presidenti Bamir Topi nuk janë figura të panjohura për politikën. Altina Xhoxhaj ishte një prej pesë gjyqtarëve, që Kreu i Shtetit dekretoi dy vjet më parë për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por emri i saj u rrëzua së bashku me katër kandidaturat e tjera nga Partia Demokratike, për shkak se ajo akuzoi Presidentin se nuk ishte konsultuar për emrat e gjyqtarëve të rinj. Në të njëjtën kohë edhe Bashkim Dedja ka një të shkuar të ngjashme, kur nuk u votua nga maxhoranca për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive që mbështeti Adriatik Llallën si dhe u hoq nga lista e gjyqtarëve që do të përbënin Kolegjin Zgjedhor. Ndërkohë këtë javë i përfundon mandati edhe tre anëtarëve të tjerë të kësaj gjykate, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloci dhe Admir Thanza. Sipas ligjit themeltar të shtetit, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese qëndron në detyrë deri sa Parlamenti voton zëvendësuesin e tij.