Pyetësori, Brukseli i kthen 500 pyetje Qeverisë
Erald Kapri
Komisioni Evropian i ka kthyer Qeverisë shqiptare rreth 500 pyetje nga pyetësori për statusin kandidat. Burime nga disa ministri qendrore bëjnë me dije se kthimi i pyetjeve është bërë me qëllim për sqarime të mëtejshme në lidhje me përgjigjet e dërguara nga Qeveria shqiptare. Lajmi i mirë mbetet që Komisioni ka nisur procedurën për shqyrtimin e opinionit për Shqipërinë në lidhje me statusin kandidat, e në të njëjtën kohë, ka kërkuar shpjegime shtesë për disa nga pyetjet. Të njëjta burime saktësojnë se nga 2284 pyetje gjithsej të pyetësorit, Brukseli ka kthyer për sqarim rreth 500 prej tyre. Mësohet se Ministria e Ekonomisë do të duhet të japë sqarime shtesë, sipas kërkesave të ardhura nga Brukseli, për rreth 100 pyetje. Ministria e Brendshme ka rreth 70 pyetje, të cilave do t'i duhet të japë informacion sipas kërkesave nga Komisionin Evropian. Edhe Ministria e Bujqësisë, si dhe disa ministri të tjera kanë marrë kërkesë për plotësim të pyetjeve të Pyetësorit Evropian.
Kjo mbetet një procedurë e njohur e Komisionit Evropian, në momentin që kërkon informacion shtesë. Kthimi i përgjigjeve bëhet me qëllimin e marrjes së informacionit për të cilin është vetë Brukseli i interesuar. Shqyrtimi i statusit kandidat, bazuar mbi përgjigjet e pjesorit mbi reformat në Shqipëri, do të kërkojë kohën e vet për analizimin e të gjithë informacionit të ardhur nga Shqipëria. Eksperiencat e vendeve të tjera kanë treguar se procesi i vlerësimit që nga dorëzimi i pyetësorit e deri në marrjen e statusit kandidat nuk ka zgjatur më shumë se 18 muaj. Qeveria shqiptare dorëzoi pyetësorin në datën 14 prill, pas një periudhe prej 90 ditësh punë të plotësimit të tij. Periudha e plotësimit të tij u vlerësua si e shpejtë nga Qeveria shqiptare, nisur nga eksperiencat e vendeve të tjera. Në trajtimin e pyetjeve u angazhuan rreth 1200 punonjës të administratës, zyrtarë të të gjitha niveleve. Në të u punua që nga titullarët e institucioneve e deri tek agjencitë qeveritare. Plotësimi i pyetësorit u ndihmua edhe nga rreth 27 ekspertë të vendeve partnere si dhe të institucioneve ndërkombëtare. Qeveria shqiptare mori edhe këshillim të huaj për plotësimin e pyetjeve. Sipas të dhënave të Qeverisë, në total Brukseli nisi drejt Shqipërisë 2284 pyetje, rreth 2000 nënpyetje, të shpërndara në 35 kapituj. Qeveria organizoi 160 takime të grupeve ndër institucionale dhe u angazhuan disa prej përkthyesve më të mirë të vendit. Vetë Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror të Integrimit Evropian se Komisioni Evropian mund të kërkojë sqarime të shumta. Ai i kërkoi stafit që para dorëzimit pyetësorit, të ketë një rilexim të tij për të siguruar një përkthim korrekt. "Unë jam i bindur se me gjithë përpjekjet tona të jashtëzakonshme për të bërë më të mirën, sërish në procesin e dialogut në KE do të ketë jo pyetje shtesë, por pyetje për të qartësuar përgjigjet që kemi dhënë dhe kjo është një praktikë normale. Do të ketë nevojë për sqarime të shumta, do ketë nevojë për riformulime, pasi duke qenë një gjuhë jetime, e bukur, e mrekullueshme, shqipja nuk është se mund të prodhojë një anglishte identike me të Brukselit", ka deklaruar Kryeministri Berisha.