E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pa bukë e ujë 70 orë, për të pranuar lidhjet me UDB-n”



AFRIM IMAJ

Ngjarja e mesnatës së 30 janarit 61, në malin e Taraboshit, kishte për protagonist tre adoleshentë që tentuan arratinë. Në numrin e djeshëm botuam përjetimet e Hysen Barbullushit, njërit prej tyre. E nisur si aventurë, ideja për të kaluar kufirin, zgjati vetëm 10 orë. Pas 10 orësh në ndjekje të forcave të sigurimit, tre shkelësit u dorëzuan paqësisht dhe rrëfyen çdo gjë. “Kush jeni dhe ku do të shkonit?” Të kapurit rishtaz, nuk vonuan të shpjegohen njëri pas tjetrit: “Jam Hysen Barbullushi, 15 vjeç, lagjja Qafë”. “Më quajnë Xhevdet Ishmi, prej Shkodre, 15 vjeç”. “Sytki Jera, nxënës në shkollën 8-vjeçare “29 Nëntori”...” Pastaj, gjithkush prej tyre, nisi të përshkruaj në mënyrën e vet arsyet e marrëzisë për të kaluar Taraboshin. Justifikimi i menduar më herët se ndodheshin aty në kërkim të një qengji të humbur, nuk mund të ngjiste assesi. Asnjë variant tjetër nuk mund ta fshihte të vërtetën. Të kryqëzuar përball dhjetëra të armatosurve, tre 15- vjeçarët pohuan se do iknin në Jugosllavi, për ta lënë vrapin në Romë. Kaq ishte gjithçka. Që këtej tre adoleshentët, nuk ishin më të tillë, por tre të akuzuar për “krimin e tradhtisë së lart ndaj Atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit”. çfarë ndodhi më tej me ta? Të tjera dëshmi dhe dokumentat e Sigurimit, zbulojnë misteret e ngjarjes së pazakontë të 30 janarit 60...
“Tre ditë e tre net lidhur këmbë e duar në qeli. As ujë, as bukë. Më keq s’kishte si bëhej. Sa binim në kllapi, shfaqej hetuesi. “Fol, hape gojën! Kush u mësoi? çfarë u lidh me UDB-në?”. Britmat e tij kumbonin për disa çaste. Pastaj binte qetësia. Ishte radha jonë. Po ç’ti thonim ne të gjorët. ç’dinim ne për UDB-n...” Sytki Jera, protagonisti tjetër i ngjarjes së mesnatës së 30 janarit 61 në malin e Taraboshit, veçon dramën e tre ditnetëve të para në Prokurorinë Ushtarake të Shkodrës. “Na kapën në mal, rrëfen ai, e pasi na pyetën për disa orë në postën e kufirit, na çuan në degën e Punëve të Brendshme. Aty filloi tmerri. Grushta, shkelma, sharje. Ditë pas dite i njëjti refren, deri sa u mësuam me të keqen”. Kjo situatë, sipas Jerës, vazhdoi plotë 70 ditë. Pastaj, shton ai, erdhi ballafaqimi në procesin gjyqësor. Gjykatësit ushtarak, këmbëngulnin për të mësuar organizatorët e arratisë, misionin që do kryenim në Jugosllavi, lidhjet me agjenturat e huaja, etj, etj. Folëm si mundëm, treguam ç’dinim, ju kthyem ngjarjes disa herë, por nuk na besonte njeri...

Zoti Sytki! Si i kujtoni rrethanat në të cilat thurët planin për tu arratisur kur ishit vetëm 15 vjeç?
E nisëm si punë fëmijësh, por edhe jo si të tillë. Me sa mbaj mënd i pari që na i ndezi si ëndërr ishte Xhevdet Ishmi, një pasdite vjeshte kur po loznim diku afër qendrës së Shkodrës. Po të mbërrijmë jashtë, tha ai, do shpëtojmë. Do shpëtojmë nga varfëria e do bëjmë qejf. E dëgjuam si shkarazi dhe aty për aty i thamë se ishim dakord. Po këtë bisedë e bëmë disa ditë me radhë deri sa ndamë mendjen përfundimisht...
Me çfarë argumentesh u bindi Xhevdeti se jashtë shtetit bëhej një jetë më e mirë?
Me sa kam parasysh Xhevdeti na solli si shembull disa emigrantë që kishin ardhur në Shkodër nga Jugosllavia. Veshjet e tyre, dhuratat e sjella për të afërmit dhe kryesisht bisedat për mënyrën e jetesës në vendet e tyre, kishin ngulitur tek ai pamjen e një realiteti tjetër nga ai që propagandohej në atë kohë tek ne. U bë shkak kjo ndërhyrje e tij dhe të tjerët filluan të tregojnë të tjerë shembuj nga të huajt që atëherë vizitonin qytetin tonë. Njëri ndër ta kishte ardhur në atë periudhë nga Amerika te një komshiu ynë. Kisha pasur rastin ta dëgjoja disa herë. Kur fliste më dukej si jashtëtokësor. Megjithatë, keqardhja që tregonte sidomos për kushtet e rritjes së fëmijëve, më ishte fiksuar në mëndje...
Cili ishte shkaku që vendosët të arratiseshit në drejtim të Jugosllavisë?
E nga mund të iknim tjetër, veç se andej. Jetonim në Shkodër e deri atëherë nuk kishim dalë as përtej Baçallëkut. Shtegu i vetëm për të kapërcyer matanë mbetej zona kufitare më e afërt. E tillë ishte vetëm pjesa e territorit që na kufizonte me Jugosllavinë. Pastaj, siç e kishim paramenduar, do vazhdonim më tej. Territorin e Jugosllavisë do ta shfrytëzonim si zonë trazite, pasi destinacion përfundimtar kishim Italinë. Aty gjykonim se kushtet ishin më të mira....
Ju ishit vetëm 15 vjeç, nga e dinit se në Itali jetohej më mirë se në Jugosllavi?
Që nga dita që morëm vendimin për tu arratisur, flisnim çdo ditë e interesoheshim secili me mënyrën e vet, për të saktësuar detajet e planit. Sa për idenë e Jugosllavisë, informacioni ishte i bollshëm. Kishte shumë njerëz në atë kohë në Shkodër që e kishin provuar arratinë në vendin fqinj. Mjaft syresh kishin qëlluar fatkeq e ishin riatdhesuar nga autoritet serbe. Kishte të tjerë që ishin sistemuar dhe për rrethana të ndryshme ishin kthyer pas disa viteve. Me këtë grup kemi biseduar më gjatë. Sipas tyre, po të kaloje kufirin, zyrtarët e Beogradit, të hetonin mirë e mirë në kushte burgu e më në fund të sistemonin në kamp. Prej aty kishte raste që mund të përfitoje azil politik, ndërkohë që flitej se mund të fitoje të drejtën për tu larguar në vende perëndimore. Ne siç e thashë ja kishim vënë syrin Italisë...
Dhe u nisët një natë dimri me një varkë peshkatarësh...
Me një varkë dhe shumë të papritura. Na duhej para së gjithash të siguronim fshehtësinë e lundrimit për mos të na diktuar njeri. Ja hodhëm rojës kur rrëmbyem varkën, por kjo nuk ishte e gjitha. Kur i ruheshim vështrimit të tij, na pa një shoku ynë, Skënder S. Ishte çasti kur po shkëputeshim nga toka. U afrua te varka dhe na pyeti çfarë po bënim. I thamë se do lundronim në Bunë dhe do ktheheshim. Nuk ju mbush mëndja. Hajde të ikim bashkë!, u përpoqëm ta bindim. Po nuk e hëngri. U detyruam më në fund ti shpjegojmë të vërtetën, duke e porositur të mbyll gojën. Aty për aty na dha besën, por e harroi shpejt dhe na preu në besë. Sa u ndamë prej tij, vrapoi te i plotfuqishmi i zonës dhe i rrëfeu shkoqur e me detaje. Pastaj, ndodhi ajo që do ndodhte...
Pra, ju raportoi shoku juaj...
Në fakt i besuam kur na garantoi se nuk do ti thoshte kujt. Me të njiheshim prej kohësh e nuk kishim arsye të dyshonim. Ndryshe, nuk kishim pse të niseshim atë natë. S.S në një farë mënyre bëri rolin e spiunit, gjestin e pështirë që asokohe praktikohej rëndom nga njerëz të veçantë në kërkim të një shpërblimi nga nomenklatura e kohës. Pikërisht, raporti i tij, na mori në qafë e ramë si miu në çark. Sidoqoftë, e kemi mëshiruar, ja kemi falur, pavarësisht ndjesës së munguar prej tij. Qoftë i lumtur aty ku është...
Pjesën e ndjekjes nga forcat e kufirit na i ka rrëfyer Hyseni çast pas çasti. çfarë kujtoni nga momenti kur u dorëzuat?
Me sa duket Hyseni nuk ka dashur t’i kthehet çastit kur ngritëm duart lart. Në fakt është diçka jo fort e këndshme, por për aq kohë sa është e vërtetë, duhet rrëfyer. Thirrjet e para “Ndal!” i dëgjuam kur ishim në vijën e kufirit. Vetëm dy pëllëmbë dhe shpëtonim një herë e mirë. Por...Njëherazi me urdhrin për tu ndaluar, brezi i kufirit u ndriçua nga një dritë verbuese. Pra, lëvizja para u bë e pamundur. çdo tentativë, kushtonte me jetën. Kjo do të thoshte se aventura mbaronte këtu. Nuk na mbetej tjetër veç të ktheheshim mbrapsh e të futeshim në pyll. Aty pas disa orësh, u dorëzuam. Që këtej filloi ajo që se kishim menduar kurrë. Grusht dhe shkelma pa mbarim. Në kokë, në supe, në bark. Na lidhën këmbë e duar me zinxhirë e na tërhoqën zvarrë deri te posta e kufiri. Aty filloi i njëjti avaz...
Pastaj, në degë të brendshme, në hetuesi...
Ky ishte dhe kulmi i dramës. Klasifikimi i veprës kriminale “me rrezikshmëri të lartë për cenimin e sigurisë kombëtare të RPS të Shqipërisë”, na çoi në duart e Prokurorisë Ushtarake. Ajo ishte më e egra dhe më brutalja për kohën. Ditë e net të tëra u përballëm me hetues të pashpirt. çdo një orë na merrnin nga qelia e na pyesnin. Ky ritual bëhej më i preferuar sidomos gjatë natës. Sa na zinte gjumi, në orën një, dy, tre, të natës, ja befte polici. Hajde, na urdhëronte, se keni punë te hetuesi. Hetuesi si xhahil, fillonte nga e para. Ku do shkonit, kush u ka mësuar, me kë keni lidhje etj. ç’të rrëfenim më parë, si ti shpëtonim qametit? Mbaj mënd që tre ditë e tre net na mbajtën pa bukë e pa ujë vetëm e vetëm të pranonim lidhjet me UDB-në dhe CIA-n. Deri në ditën e gjyqit nuk lamë torturë pa provuar si të ishim kriminelë të rrezikshëm e jo fëmijë. çështja jonë mbërriti deri në gjykatën e lartë ushtarake.
A ndikoi gjykata e lartë në zbutjen e dënimit?
Fillimisht menduam se Gjykata e Lartë, nisur nga fakti që ishim të vegjël, do vinte dorën në zemër e do zbuste dënimin e Gjykatës Ushtarake të Shkodrës. Jo vetëm që nuk ndodhi kjo, por aty përballja u bë edhe më agresive. Tanimë, epiteteve tradhtarë, dezertorë etj, ju shtua togfjalëshi cenues të sigurisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, elementë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, kriminelë të rrezikshëm, agjent të spiunazheve të huaja. Ky qëndrim kuptohet, përjashtonte çdo lloj mëshire. Me këtë logjikë u bë dhe proçesimi për dhënien e dënimit. Verdikti përfundimtar: Pesë vite burg! E keqja nuk mbaroi me përfundimin e tyre. Ne edhe më tej mbetëm si ajo delja e zezë. Mbetëm të rrezikshëm, tradhtarë, kriminelë. Shkurt, edhe pas burgut, në një farë mënyre mbetëm në burg..
çfarë keni parasysh kur thoni se edhe pas burgut mbetët përsëri në burg?
Se burgu nuk na u nda deri në fund. Në vitin 79 na futën përsëri në burg. Përsëri për arratisje. Këtë herë kur as na shkonte në mëndje, pa le të tentonim për të kaluar kufirin. Më e çuditshmja: Na dhanë dyfishin e dënimit që na dhanë herën e parë! Ishte periudha kur dega e Brendshme e Shkodrës kritikohej nga autoritet e Tiranës për shifra të ulëta në goditjen ndaj elementëve armiqësor. Atëherë, o burra! Letrat tona pas precedentit të 61-shit, ishin gati. Mjaftonte një urdhër për të qenë mirë me planin. Pavarësisht të vërtetës, na kryqëzuan për tentativë arratisje. Që faqezinjtë e Shkodrës të dilnin “faqebardhë” me eprorët e qendrës...

Dëshmia e Xhevdet Ishmit: U arratisëm me fitu lekë

“U nisëm me shkue në Itali për me gjet punë, me mendimin se aty ishte mirë e hamallët marrin lekë shumë!” Me naivitetin e një fëmije, Xhevdet Ishmi, dëshmon para trupit gjykues synimin final të aventurës së 30 janarit 91. Në dialogun me prokurorin e çështjes, 15- vjeçari i prangosur, nuk nguron të zbulojë rrethanat e ngjarjes, duke përshkruar me detaje dinamikën e saj. Të vetmet pyetje që mbeten pa përgjigje, janë ato për lidhjet me agjenturat e huaja dhe UDB-n. “Ashtu e menduam dhe ashtu bëmë” E përmbledhur në këto fjalë dëshmia e Ishmit, gjithsesi do ti linte të paqartë gjykatësit, të cilët nuk do të hezitonin për ndëshkimin për tradhti të lartë ndaj atdheut. Po çfarë ka mbetur e dokumentuar nga debati midis trupit gjykues dhe të pandehurit Xhevdet Ishmi...

PROCES-VERBAL
Sot më datën 4/2/1961 në një nga zyrat e Degës së Punëve të Brendshme të rrethit Shkodër, unë kapiteni Q.N (Shkurtim i red.) hetues për anën e sigurimit, në prani të major N.Z(Shkurtim i red.) zëvendësprokuror i rrethit, mora në pyetje të pandehurin Xhevdet Ishmi të datëlindjes 1944, lindur e banues në lagjen “Qafë” të qytetit Shkodër, me arsim 5 klasë fillore, i padënuar, i pa organizuar, me shtetësi e kombësi shqiptare, shtresë e varfër, punëtorë...
(Pyetjet filluan në ora 09:30 dhe mbaruan në orën 14:00 të datës 4/2/1961, vazhdojnë nesër.)
Hetuesi Q.N: I pandehur Xhevdet, na tregoni gjeneralitetet?
Xhevdet Ishmi: Quhem Xhevdet Ishmi, i datëlindjes 1944. Lindur dhe banues në Shkodër në lagjen “Qafë”. Nuk jam dënuar herë tjetër, nuk kam kryer shërbimin ushtarak, i papunë. Jam larguar nga shkolla në vitin 1959, duke lënë në mes klasën e pestë të fillores. Në vitin 1960, në kohën që po mblidheshin zarzavatet kam punuar si punëtor një javë në fermën “Perlat Rexhepi”. Kam tre vëllezër, Mustafain, të madhin që është 25 vjeç dhe punon në Sharrë si shkrues dërrasash. Vëllai tjetër, Ismeti, është ushtar në Përmet, kurse më i vogli, Muhameti është 11 vjeç dhe vazhdon shkollën fillore.
Hetuesi Q.N: Keni njeri të arratisur jashtë shtetit, ose në burg nga rrethi familjar?
Xhevdet Ishmi: Jo, nuk kam asnjë në arrati jashtë shtetit dhe nuk kam pasur asnjeri nga familja në burg ndonjëherë...
Hetuesi Q.N. Ju keni thënë se jeni përgatitur dhe keni tentuar të arratiseshit në Jugosllavi. Që kur u ka lindur ideja me u arratisë?
Xhevdet Ishmi: Para një muaji unë, Xhevdeti, së bashku me shokët e mi Sytki Jerën, Hysen Barbullushin dhe Ali Alibalin jemi takuar para postë telegraf telefonit te pazari i vjetër, sikurse çdo ditë që shkonim për të marrë bukën në furrë. Në këtë takim, kur shkova i gjeta të tre shokët duke biseduar. Sytkiu më tha se jemi duke diskutuar për me u arratisë në Jugosllavi dhe më pyeti nëse doja të shkoja dhe unë. Në fillim më mori gazi e pastaj u thashë se do shkoja edhe unë. Mbasi dërgova bukën në shtëpi, u ktheva te shokët dhe i pyeta me se do shkonim në Jugosllavi dhe nga do të kalonim. Hyseni më tha se do marrim poshtë, do kalojmë Bunën dhe pastaj do ngjitemi malit lart për të kapërcyer kufirin në majë të Taraboshit. Unë u thashë se meqë shkoni me lundër po vij edhe vetë. Kështu e lamë që kur të na qëllonte rasti, të shkonim. Kështu e kemi biseduar disa herë çështjen e arratisjes. Duke folur për këtë thoshim se do të bënim përpjekje për të marrë një leje gjoja me gjuajt peshk, me qëllim që të kalonim urën e Bunës dhe kështu e kishim më të lehtë ikjen. Mandej menduam se duke kërkuar të gjithë leje do na diktonin, po më mirë thamë se po marrim një lundër fshehurazi rojës. Për këtë shkak neve kemi shkuar deri 10 herë për të shikuar lundrat se si vendoseshin dhe për të studiuar mënyrën si mund ta merrnim njërën prej tyre pa rënë në sy të rojës. Nga këto shikime që ne bëmë disa herë, konstatuam se marrja e lundrës ishte më e lehtë ditë të diele, pasi në këtë ditë punëtorët ishin pushim dhe kishte aty vetëm një roje, i cili më shumë rrinte brenda në shtëpi dhe rrallë delte për të parë lundrat (varkat) Më datën 30/1/1961 aty rreth orës 5 të mbrëmjes që neve kishim vendos të arratiseshim, shkuam të tre së bashku dhe pamë vendin te lundra dhe lëvizjet e rojës. Aty nga ora 7 e mbrëmjes roja u fut në banesë dhe ishte duke biseduar me një burrë tjetër që ishte aty. Atëherë ne shkuam e morëm lundrën (varkën) duke zgjidhur në fillim konopin dhe pasi e futëm në ujë, u nisëm me dalë matanë. Kur mbërritëm në krahun tjetër të Bunës, lundrën e lamë të zgjidhur në breg të lumit...
Hetuesi Q.N. Cilët ishin shkaqet që menduat të arratiseshit për në Jugosllavi?
Xhevdet Ishmi: Menduam se në Jugosllavi do të gjenim punë. Aty do na jepnin ndonjë farë zanati. Qëllimin e kishim të shkonim në Itali, ku atje mendonim se do na shtinin në punë të mirë e do krijonim mundësi me blerë shtëpi e pastaj, pasi të siguronim ca lekë, do të ktheheshim prapë në Shqipëri. Këtë mendje na e kishte dhënë Ibrahimi, mbiemri i të cilit nuk më kujtohet. Ai diku më herët ka qenë i arratisur dhe na thoshte se në Jugosllavi është keq, të mbajnë 12 ditë në burg e pastaj të çojnë në kamp, nga këtu ke mundësi me shkue në Itali, ku është shumë mirë, ka liri mallrash dhe bëhet qejf, atje marrin lekë shumë, sidomos hamallët. Po kështu, një i arratisur tjetër me emrin Kasem, që punon në fabrikën e miellit, ka thënë se ka hek keq ca ditë në Jugosllavi, por kur shkova në Itali kam bërë shumë qejf, mjafton që kam parë shumë...
Hetuesi Q.N. A e dinit ju se territori jashtë shtetit është tradhti karshi atdheut?
Xhevdet Ishmi: Unë e dija se Jugosllavia është armike e vendit tonë dhe e dija se kur të shkoja andej do bëhesha armik, por nuk e dija se po të më kapnin do më pyesin kaq fort dhe kishim bërë mendim se po të kapeshim, do dënoheshim nga një vit secili. Këtë e kemi pas bisedu me njëri-tjetrin edhe pa u nis...
Hetuesi Q.N. Cilët ishin personat me të cilët zhvilluat bisedime për t’u arratisur dhe konkretisht çfarë keni biseduar për arratisjen?
Xhevdet Ishmi: Përveç Hysen Barbullushit dhe Sytki Jerës, kemi biseduar edhe me Ali Alibalin dhe Ismail Dibrën, të dy këta nga lagjja “Qafë”. Me Alinë kemi biseduar vazhdimisht për çështjen e arratisjes, kurse me Ismailin vetëm një herë. Ka qenë një ditë e diel kur jemi takuar bashkë te pazari i vjetër dhe po bisedonim rreth çështjes së arratisjes dhe në këtë rast erdhi Ismail Dibra. Aty për aty Aliu i tha se neve kishim vendosur me ik në Jugosllavi. Në këtë rast Ismaili tha se ishte dhe ai dakord me ardh me ne, por theksoi se kur të bëheshim gati për t’u larguar ta lajmëronim dhe atë. Aliu i tha se të kallëzoj unë kur do bëhemi gati. Pas kësaj biseda nuk u zgjat më tej, pasi erdhi në atë moment aty Bejto Qamili. Më vonë unë e qortova Alinë se pse i tha Ismailit për planin e arratisjes, por ai më tregoi se Ismaili donte me ardhë me ne. Me Ismailin nuk di që të jetë bisedu dhe ndonjë herë tjetër. Me të tjerë persona nuk di që të kemi bisedu për çështjen e arratisjes...
Hetuesi Q.N. Kur u nisët për t’u arratisur, pse nuk erdhën Aliu (Alibali) dhe Ismaili (Dibra) me juve? A i lajmëruar ata dhe çfarë u thanë?
Xhevdet Ishmi: Kur ne u nisëm për t’u arratisur, nuk e njoftuam Aliun dhe Ismailin, se ata na kishin thënë se juve po të gjeni rastin dhe neve na prisnin në anën tjetër, por ikni e mos e humbni rastin. Gjithashtu një ditë i thamë Aliut se juve nuk doni me ardhë dhe doni me na padit, prandaj ne po e lëmë krejt këtë punë. Aliu tha se unë ju nuk do t’ju padisë dhe mos keni frikë. Por edhe në rast se nuk vini juve, na tha Aliu, unë kam shokë të tjerë dhe do të iki. Ndërsa për Ismailin, Aliu tha se nuk donte me e marrë me vete. Nga ana tjetër Ismaili ishte në punë dhe nuk kishim mundësi me e thirr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›