Kushtetuesja fillon shqyrtimin e pensioneve të ushtarakëve
Ushtarakët: Me miratimin e këtij ligji, të ardhurat tona pësojnë një ulje që shkon deri në minus 50 për qind
Qeveria: Është e vërtetë që ulet përfitimi, por kjo është bërë me qëllim zgjerimin e rrethit të përfituesve
TIRANË- U zhvillua dje senaca e parë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së ish-ushtarakëve, forcave të policisë së rendit në lirim, etj., për shqfuqizimin e ligjit për "Pensionet Suplementare" miratuar në maj të këtij viti në Kuvend.
Avokatët e palëve ankuese dhe përfaqësuesi Avokatit të Popullit argumentuan para trupit gjykues se me miratimin e këtij ligji, në radhë të parë është shkelur parimi i sigurisë juridike dhe ai i barazisë para ligjit, të cilat mbrohen edhe nga dispozitat kushtetuese. Më tej ata kanë theksuar se ky ligj ka sjellë zvogëlim dhe pakësim të përfitimeve si pensionet suplemetare dhe rrogat e ndërmjetme të ish-ushtarakëve, ndërsa ,sipas Kushtetutës, nëse janë dhënë një herë këto përfitime nuk mund të dhunohen, cenohen apo zvogëlohen pa një proces të rregullt ligjor ose pa u argumetuar se ky cenim bëhet për një interes të ligjshëm.
Po ashtu një argument tjetër që tregon se ligji është antikushtetues, sipas avokatëve, ka të bëjë me faktin se ai është miratuar me procedura jo të rregullta pralamentare, në mungesë të opozitës në kuvend dhe pa u diskutuar me grupet e interesit apo me komisionet e nevojshme parlamentare.
Nga ana tjetër, duke kundërshtuar pretendimet e avokatëve të ish-ushtarakëve, përfaqësuesit ligjorë të qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Financave dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore kërkuan nga trupi gjykues rrëzimin e kërkesës së shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Avokatit të Popullit, policëve në rezervë, etj.
Sipas përfaqësueses ligjore të qeverisë, është e vërtetë që ka një zvogëlim të përfitimeve të kategorive të ushtarakëve dhe policëve por ajo është bërë me qëllim zmadhimin e numrit të përfituesve. Më tej ajo theksoi se projektligji i Qeverisë, i miratuar më pas nga Kuvendi, në propozimin e bërë ka refklektuar edhe vendimet e mëparshme të Gjykatës kshtetuese në lidhje me këtë çështje.
Në të njëjtën linjë kanë qëndruar edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, Financave dhe të Sigurimeve Shoqërore, duke sjellë argumente sipas të cilave ligji nuk cenon kategoritë përfituese të deritanishme, por ka si qëllim që të rregullojë në interes të të gjithë strukturave të ushtrisë dhe policisë përfitimet, që vijnë për shkak të detyrës. Ata kanë argumentuar se skema e re e pensioneve, vendosur nga ligji që ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, synon të vendosë një pagë mesatare, e cila do të ndihmojë në kategorizimin e përfitimeve bazë.
Seanca e parë për shqyrtimin e kërkesës së Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, Avokatit të Popullit, Organizatës së Punonjësve të Policisë në Lirim" etj., ishte parashikuar të zhvillohej rreth një javë më parë por ajo u shty për ditën e djeshme pas kërkesë së Këshillit të Ministrave me arsyetimin se i duhej më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen.
Kuvendi e kaloi këtë projektligj në mes të muajit maj, pa praninë e deputetëve të opozitës në seancën e fundit paramentare për legjislaturën 2005-2009. Efektet financiare të këtij ligji parashikohet të shkojnë deri në 45 milionë lekë në muaj.
Kjo është hera e dytë që ushtarakët kërkojnë shpalljen të papërputhshme me kushtetutën një ligj për pensionet e tyre, ku e njëjta situatë është përsëritur edhe në vitin 2007. Megjithëse atëherë Gjykata vendosi në favor të ushtarakëve ai nuk u mor asnjëherë parasysh.
Ushtarakët kanë kërcënuar se do t'i drejtohen Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg nëse Gjykata vendos për ta shpallur antikushtetues këtë ligj dhe ai nuk merret përsëri parasysh nga qeveria.