Loja e PD-së: Fut për miratim drafte, që duan 84 vota
Pavarësisht se nuk ka 84 vota, Kuvendi fut për votim të enjten e ardhshme, draftin për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative
TIRANË- Mazhoranca e djathtë, pavarësisht se nuk ka votat e duhura, ka rikthyer për miratim në seancë plenare në Kuvend projektligjin "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative", ose siç njihet ndryshe si drafti i gjykatave, që do të shqyrtojnë gjobat e biznesit. Pavarësisht rëndësisë që ka një nismë e tillë ligjore për vet gamën e çështjeve që do të përfshijë në gjykim, qëllimi i mazhorancës për ta rifutur këtë nismë në kalendarin e punimeve tre javore të Kuvendit duket se nuk ka të bëjë me domosdoshmërinë e këtij ligji, por me krijimin e një momenti prove për opozitën.
Kështu, me këtë lëvizje mazhoranca e cila nuk ka në dispozicion 84 votat e duhura për të miratuar një projektligj të tillë, i cili konsiderohet si me një rëndësi të veçantë në reformën në drejtësi, kërkon të vërë së pari vet Partinë Socialiste përpara një situate të vështirë, përpara syve të ndërkombëtarëve, por edhe gjithë opinionit publik, si një forcë që, sipas saj, po bëhet pengesë për proceset integruese të vendit tonë në BE.
Por nga ana tjetër me futjen e këtij ligji në rendin e punimeve të kuvendit në seancë plenare, të djathtët kërkojnë të krijojnë edhe një ambient të përshtatshëm për ata deputetë socialistë të cilët gjatë këtyre ditëve kanë kërcënuar në vijimësi se do të thyejnë bojkotin kur në Kuvend të vijnë për miratim projektligje, që do të ndikojnë në ecurinë integruese të vendit. Ndërkohë, përveç këtij projektligji, mazhoranca ka ripërfshirë në kalendarin tre javor të punimeve të parlamentit edhe dy projektligje të tjera, të cilët pavarësisht se nuk kërkojnë votë të cilësuar për tu miratuar, e kanë të domosdoshme ekspertizën e opozitës. Bëhet fjalë për ligjin e shumëdebatuar "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar", ose siç njihet në ndryshe si projektligji anti-mafie.
Gjithashtu, një projektligj tjetër i rëndësishëm, që ka sjellë edhe reagimin e misioneve të huaja, që asistojnë Shqipërinë në reformat në fushën e drejtësisë është edhe ai "Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale". Të tre këto projektligje janë caktuar që të miratohen në seancë plenare të enjten e ardhshme. Ndërkohë në kalendarin e punimeve të Kuvendit nuk është përfshirë sërish marrëveshja për caktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila gjendet në proces gjykimi në Gjykatën Kushtetuese.