Kushtetuesja hap gjyqin ndermjet mazhorances dhe Presidences
Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin e amendamentit “Gumi” për interpretimin e dy neneve 125 dhe 136 të Kushtetutës për dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do t’i japë fund konfliktit Kuvend-Presidencë për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Deri tani janë katër dekrete të Presidentit Bamir Topi të bllokuara në zyrën e Kryesisë së Kuvendit, dhe vendimi që do të dalë nëpërmjet administratës gjyqësore do t’i japë zgjidhje kësaj çështje. Përcaktimi i kritereve të njëjta të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë dhe ripërtëritja e mandatit 3-vjeçar kanë qenë arsyet pse 1/5 e deputetëve të Kuvendit kanë çuar në Kushtetuese kërkesën për interpretimin e dy neneve që lidhen drejtpërdrejtë me dekretet e Presidentit. Anëtarët e Kushtetueses kanë drejtuar pyetje gjatë seancës së djeshme që zgjati plot 120 minuta për deputetin Viktor Gumi dhe përfaqësuesin e Kuvendit. Deputeti Viktor Gumi ka sqaruar edhe arsyet pse i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e kësaj çështje dhe nuk i drejtohet Kuvendit. “Parlamenti është për të miratuar ligjet dhe ato miratohen me 3/5 e votave në Kuvend. Për arsye politike ose jo, Parlamenti nuk mund të sigurojë 3/5 dhe për këtë kërkohet mendimi i trupës për këtë çështje”, tha deputeti Gumi. Relatori i kësaj çështje nga pala e Gjykatës Kushtetuese është anëtarja Altina Xhoxhaj, dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje do të bëhet publik në rrugët administrative në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese. Ditën e sotme kjo gjykatë do të marrë në shqyrtim një tjetër çështje, e cila lidhet me interpretimin e katër neneve për mandatin e deputetit të kërkuar nga Partia Socialiste dhe ditën e enjte do të shqyrtohet raporti i Kuvendit për mandatin e deputetit socialist, Ilir Beqja. Drafti i shqyrtuar dje është dorëzuar në fillimin e muajit nëntor dhe një e pesta e deputetëve iu bashkëngjitën amendamentit Gumi për interpretim të dy neneve. Në këtë draft kërkohet përcaktimi në mënyrë të qartë të rolit të Kuvendit dhe Presidencës në përzgjedhjen e gjyqtarëve të lartë dhe kushtetues. “Në Kuvendin e Shqipërisë janë katër dekrete të Presidentit për Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që në vitin 2010 Kuvendi ka emëruar dy anëtarë për këtë gjykatë. Ky ligj nuk na sqaron për rotacionin e anëtarësisë, duke thyer Kushtetutën. Për këtë duhet të precizohet një praktikë e tillë e rotacionit”, tha Gumi. Sipas relatorit të këtij drafti, deputeti Gumi tha se dëshirojmë që një praktikë të tillë të mos ia lëmë spontanitetit dhe shqyrtimit ad hoc që mund të bëjë një shumicë e caktuar apo një President i caktuar. “Natyrisht, unë besoj dhe dëshiroj shumë që kjo praktikë, ky vendim i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese, të bëjë ndryshimin e madh, atë të mentalitetit për ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Ne duhet ta ruajmë, ta prezervojmë pushtetin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ta bëjmë atë mjedis të pabanuar nga ndikimet politike", tha Gumi. Në seancë Presidenca nuk ka pasur një përfaqësues, por nëpërmjet një letre sqaronte se i mbetej gjykatës të çmonte në duhej ndërhyrë ose jo. Nëpërmjet kësaj letre, e cila u lexua nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja bëhet e ditur se institucioni i Presidentit ka përmbushur misionin e tij kushtetues. Pasi ka dëgjuar pretendimet e deputetit Gumi dhe përfaqësuesit të Kuvendit Lulëzim Lelçaj, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë tërhequr për të marrë një vendim.