Shteti nuk na mbeshtet kunder Del Pontes
Rikthehemi pas dy vjetësh në “Shtëpinë e verdhë”, që ditët e fundit ka zënë sërish faqet e para të shtypit vendas dhe atij të huaj. Diku në mesin e segmentit rrugor nacional Klos-Burrel, devijojmë majtas dhe hyjmë në fshatin Gurrë e Madhe të rrethit të Matit. Por teksa i afrohemi “Shtëpisë së verdhë”, kuptojmë që nuk jemi të mirëseardhur. Ditët e fundit, shtëpinë e Katuçëve e vizitojnë gazetarë të shumtë, të cilët natyrshëm i kanë mërzitur së tepërmi banorët e kësaj ngrehine dykatëshe, ku sot me vështirësi shquhen gjurmët e bojës së verdhë, vetëm në katin e sipërm. Këtu kanë ardhur edhe gazetarë të huaj, siç ka ndodhur para disa ditëve, kur një gazetar italian me një makinë me targa të Krujës, i cili nuk ka qenë i mirëpritur është detyruar të largohet me shpejtësi. “U kishim thënë që të na linin rehat, pasi na është sosur durimi nga akuzat e pabaza që na janë bërë nga Karla del Ponte dhe tani nga Dik Marti. Shtëpia ime tani shihet në të gjithë botën dhe nuk mund t’i durojmë më shpifjet që bëhen për ne, pasi janë shpifje që nuk mund të durohen. Janë aq të pabaza, sa të bëjnë që t’ia heqësh vetes”, shprehet tejet i mërzitur 78-vjeçari Abdulla Katuçi.
Ndërkohë, ai nuk harron të përsërisë detajet e treguara para dy viteve për ne, që lidhen me kontrollet e ushtruara në shtëpinë e tij, madje edhe pa lejen e autoriteteve përkatëse. “Në pranverën e vitit 2004, në shtëpinë time kanë ardhur hetues apo prokurorë nuk e di çfarë kanë qenë, nga 7 krajli të botës”, tregon më tej Abdullai, duke shtuar se ky grup prokurorësh që shoqëroheshin edhe nga ish-prokurori i Burrelit, Arben Dyla, kontrolluan të gjitha dhomat e shtëpisë. “Na lanë familjarisht për dy net me radhë. Jetuam në çadër, pasi shtëpia u helmatis prej tyre”, thotë i moshuari, duke thënë se e shoqja, Hatixheja, ka pësuar dëmtime në sy për shkak të kimikateve që ishin përdorur. “Më parë kisha shikim normal, por pas hedhjes së helmit u ndjeva keq me shikimin. Tani, edhe pse më operuan në Tiranë, nuk shikoj më normalisht, sa edhe për të dalë në oborr, duhet të më mbajnë për krahu mbesat”, tregon 73-vjeçarja.
Madje, edhe pjesëtarët e tjerë të familjes ankohen se kanë probleme me shikimin, pas hedhjes së helmit në shtëpinë e tyre. “E gjithë ajo që rezultoi pas këtij kontrolli të imtësishëm në shtëpinë tonë dhe përreth saj, kanë qenë ca shiringa të përdorura, shishe penicilinash, bishta cigaresh, copa plastmasi etj.”, tregon kryefamiljari i së ashtuquajturës “Shtëpia e verdhë”, Abdulla Katuçi. Në mungesë të një qendre shëndetësore në fshatin Gurrë, kuptohet që infermierja e këtij fshati ka ardhur për t’u bërë injeksione fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të kësaj familjeje, në çdo rast që ata ndiheshin të sëmurë, si për të gjitha familjet e tjera të këtij fshati. “Ndaj gjetja e këtyre shiringave në vendin ku hedhim plehrat e shtëpisë, kurrsesi nuk ka vërtetuar pretendimet e ngritura se në shtëpinë tonë është bërë transplant i organeve të ushtarëve serbë”, thotë djali i madh i familjes, Mersini. Ky i fundit tregon se kalvari i vuajtjeve për familjen ka nisur që në shkurtin e vitit 2003, kur shtëpinë e vizituan dy persona të paraqitur si “inxhinierë” të Rrugës së Arbrit. “Me njërin prej tyre jemi takuar në oborr dhe na bëri përshtypje kureshtja për të parë gjithçka: oborrin, përroin, livadhet, varrezat e fshatit e gjithçka tjetër. Madje kërkuan ta merrnin shtëpinë me qira për 2-3 muaj, por nuk pranuam”.