NYT: Bush refuzon të jetojë me Obamën
Sipas prestigjiozes amerikane “New York Times”, presidenti Bush ka refuzuar kërkesën e presidentit të zgjedhur, Barak Obama, për t’u transferuar në Shtëpinë e Bardhë para kohe, për t’i mundësuar të bijave që në janar, në fillim të viti të ri shkollor të kenë mundësi të regjistrohen në shkollën e qytetit të ri. Me sa duket projekti që kishte Obama ka dështuar, pasi familja Bush nuk ka denjuar të pranojë miqtë para afatit tradicional, 15 janarit, pra pesë ditë para ceremonisë së ‘kurorëzimit’. Familja Obama kishte shprehur dëshirën për të qëndruar në “Blair House”, apartamenti i miqve në Shtëpinë e Bardhë. Sipas gazetës, zëdhënësi i Laura Bushit nuk ka qartësuar se cilët ishin miqtë dhe të ftuarit që do ta zinin dhomën e shtëpisë presidenciale, ka thënë vetëm se dhoma do të ishte e zënë dhe se Obamat do të mund të transferoheshin aty vetëm më 15 janar, jo më herët. Sipas Departamentit të Shtetit, për në muajin janar nuk është planifikuar asnjë vizitë e ndonjë presidenti shteti apo zyrtari të lartë në Shtëpinë e Bardhë. Por, me sa duket ditët e mbetura në shtëpinë e madhe Bushët duan t’i shfrytëzojnë për takime të parashikuara për administratën në largim. “Nuk ka më asgjë për të vendosur”, është përgjigjur shkurt zëdhënësi i Zonjës së parë. “Transferimi para kohe nuk është i mundur, do të mund të kryhet vetëm më 15 janar”. Megjithatë stafi i presidentit të zgjedhur i ka evituar polemikat në këtë çështje, duke vlerësuar se “Shtëpia e Bardhë është treguar shumë e gatshme dhe mikpritëse ndaj kërkesave nga familja Obama”.