E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmusen në Prishtinë: Reduktimi i KFOR, në bazë të analizave

Hapi i ardhshëm i Aleancës Veri-Atlantike për reduktimin e trupave të KFOR-it në Kosovë në 2000 ushtarë do të merret vetëm duke u bazuar në analizat që do të zhvillohen në terren. Kështu u shpreh në Prishtinë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, duke shtuar se së shpejti pritet një reduktim tjetër i KFOR-it në rreth 5700 ushtarë.

“Ne e kemi ndërmarrë hapin e parë në janar të këtij viti, duke bërë një reduktim në rreth 10.000 trupa. Gjithashtu do të bëhet edhe një reduktim tjetër i cili do të jetë rreth 5700 trupa, mirëpo ende nuk kemi vendosur se kur do ta ndërmarrim këtë hap. Unë ju siguroj se nuk do të ndërmerrët asnjë hap derisa të konsiderojmë se situata e sigurisë na e mundëson një gjë të tillë”. deklaroi Anders Fogh Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Rasmussen ka mbështetur hetimet për korrupsion që EULEX-i po zhvillon ndaj Ministrisë së Transportit të Kosovës, ndërsa Komandanti i KFOR-it, Markus Bentler vlerëson se kjo çështje i përket gjykatave.

“Unë mendoj se hetimet duhet të vazhdojnë dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë për tu siguruar se aktivitetet në Kosovë janë të bazuara në sundimin e Ligjit, dhe se ata njerëz të cilët nuk respektojnë Ligjin duhet të dalin para drejtësisë”, vijoi ai.

“Sigurisht që ne bashkëpunojmë me EULEX-in dhe me Policinë e Kosovës, por më lejoni të them se një gjë e tillë i përket policisë dhe gjykatave dhe deri më tani nuk është kërkuar ndonjë ndihmë nga ne për arsye se kjo është një procedurë normale dhe ligjore”, tha Markus Bentler, Komandanti i KFOR-it. Rreth sulmit me armë të shtëpisë në veri të Mitrovicës në të cilën banojnë ushtarët e KFOR-it danez, Komandanti i KFOR-it tha se po zhvillohen hetime përkatëse që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›