E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja, maxhoranca sulmon presidentin. Reagon presidenca

Maxhoranca akuzon kreun e shtetit Bamir Topi për shkeljen më të rëndë të këtyre kohëve të fundit të ligjit themeltar të shetit. Mosdekretimi i kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese me mandat të skaduar që prej shtatorit sipas, deputeteve të djathtë është një rast i paprecedent që ka futur në ngërc tërë institucionin. Krahas akuzës ata propozojnë një tolerim kohor për Topin duke i mundësuar një seancë të jashtëzakonshme plenare për të miratuar të përzgjedhurin e tij.

"Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedentë në gjithë historinë e shtetit shqiptar. Përbën një fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Në emër të komisionit të Ligjeve, në emër të Kushtetutës i kërkohet presidentit të Shtetit të dekretojë sa më shpejt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, të kërkojë thirrjen urgjente të Parlamentit për të bërë emërimin e tij. është fyese për shqiptarët që përdoret si jusitifkim skadimi i mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që dhe dekretimi i tyre është fund e krye kompetencë ekskluzive e presidentit", tha Eduard Halimi, deputet i PD.

Nga ana tjetër presidenca nuk është lëkundur nga qëndrimi i saj për të sjellë në shtator emrat e rinj të Gjykatës Kushtetuese, ku krahas kryetarit ka skaduar dhe mandati i 4 prej anëtarëve të saj. E vetmja arsye e vonesave në proces sipas ekspertëve të presidentit, është procedura e tejzgjatur me të cilën Kuvendi trajton dekretet e kreut të shtetit.

"Do të ngelet për ditët e para të shtatorit sepse fillon sesioni i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Krijohet mundësia e përzgjedhjes së një kryetari brenda të gjitha kritereve që duhet të përmbushin një funksion të tillë mjaft të rëndësishëm. Nuk është pengesa nëse ishte Kuvendi i mbledhur apo jo. Pengesë kanë qenë vec shkaqeve që përmenda më lart edhe burokracia, zgjatja dhe mënyra e posedimit nga vetë Kuvendi i Shqipërisë, në miratimin të paktën atyre kandidaturave që janë paraqitur prej presidentit të Republikës", deklaroi Spiro Peci, këshilltar ligjor i Presidentit.

Për këshilltarin ligjor të presidentit puna e Kushtetueses nuk bllokohet ashtu sic pretendon maxhoranca, pasi të gjithë anëtarët ndonëse me mandat të skaduar janë në detyre. Ndërsa në nenin 11 të ligjit për funksionimin e kësaj gjykatë përcaktohet qartë që në mungesë të kryetarit, institucioni drejtohet nga një tjetër gjyqtar i përzgjedhur prej tij.

Elona Gjylmi < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›