E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja, mazhoranca rrëzon Topin

Kuvendi shmang negociatat. Miratohet Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dede, por rrëzohet Vangjel Kosta

Mazhoranca rikthen “luftën” me Presidentin Bamir Topi. Gjatë seancës se djeshme parlamentare është marrë vendimi për miratimin e dy prej dekreteve të kreut të shtetit, duke rrëzuar të tretin. Kuvendi i Shqipërisë kaloi për votim tri kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në fillim është miratuar kandidatura e Altina Xhoxhajt me 70 vota “pro” dhe “dy” kundër. Më pas iu nënshtrua procedurës së votimit, kandidatura e Bashkim Dedes që arriti të grumbullojë 70 vota “pro”, një “kundër” dhe një “abstenim”. I treti kaloi për votim kandidati Vangjel Kosta i cili nuk arriti të marrë numrin e duhur të votave duke u rrëzuar me 66 vota “kundër”. Pak ditë më pas, kreu i shtetit, Bamir Topi, dekretoi dje tre emra për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Vangjel Kosta, njëri prej tre emrave të dekretuar nga Presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, ishte avokat me profesion. Po ashtu është i angazhuar edhe në mësimdhënie pranë Shkollës së Magjistraturës. Nga viti ‘93 e deri në vitin 2000 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. është pikërisht ky anëtar që nuk ka arritur të marrë miratimin e deputetëve të Partisë Demokratike. Më 17 qershor të vitit 2008, kjo mazhorancë pati rrëzuar katër nga pesë kandidatët e kreut të shtetit për Gjykatën e Lartë. Kandidatura e parë që u rrëzua në atë kohë ka qenë ajo e Altina Xhoxhajt, për të cilën ka pasur 56 vota pro, 73 kundër dhe 1 abstenim. Pothuajse me të njëjtin rezultat është rrëzuar edhe kandidatura e Arjan Zenelit, për të cilin ka pasur 56 vota pro, 71 vota kundër, 2 abstenime dhe 1 e pavlefshme. Për Kristaq Trajën rezultati ka qenë më negativ: përkatësisht 76 vota kundër dhe vetëm 52 vota pro. Votat kundër kanë qenë edhe më shumë për kandidaturën e Mehdi Bicit, kundër të cilit kanë qenë plot 86 vota dhe vetëm 40 vota pro. Nuk dihet se cili do të jetë reagimi i kreut të shtetit, Bamir Topi, pas rrëzimit të një prej propozimeve të tij. Procedura ligjore normale parashikon që kreu i shtetit të bëjë një propozim të ri për kandidat në vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese. PS reagoi dje publikisht pas votimit të kandidatëve në Kuvend. Sekretari për çështjet ligjore Fatmir Xhafaj u shpreh se “është rrëzuar kandidatura me më integritet ndër tre kandidaturat, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, i njohur si konstitucionalist”. Sipas tij, votimi i sotëm pa opozitën teksa bëhen negociatat është skandal.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›