Shpërblimet për buxhetorët, qeveria vendos jo më shumë se 7 % të pagës
Ervin KOÇI
Për të gjithë ata që gjatë gjithë vitit kanë punuar në mënyrë shembullore dhe nisur nga kjo propozohet një shpërblim, ai nuk do të jetë më shumë se 7 për qind të pagës vjetore. Ristrukturimi i Administratës miratuar nga qeveria parashikon që shpërblimi për punë të mirë të variojë nga 5- 7 për qind të pagës. Ky kriter është vendosur nga qeveria duke marrë parasysh eksperiencën ndërkombëtare sipas të cilës, jo domosdoshmërisht pagesa lidhet me performancën e punonjësve të Shërbimit Civil. "Përdorimi i shpërblimeve financiare duhet të kufizohet në nivel 5-7 për qind të rrogës vjetore. Pagesa që lidhet me performancën nga eksperienca ndërkombëtare sugjerohet se nuk funksionon në Shërbimin Civil. “Ajo mund të funksionojë në disa shërbime publike, por kjo është një përjashtim, jo rregull”, - theksohet në vendimin e miratuar nga qeveria. Po ashtu, nëse ndodh që puna e kryer vlerësohet negativisht, punonjësi nuk do të ulet në detyrë por do të përballet me zvogëlim të pagës ose kufizim i të drejtës së vendimmarrjes. Krahas kësaj, shihet si mundësi edhe marrja në patronazh deri në përmirësimin e ecurisë së tij nga eprori apo punonjës të tjerë me performancë më të mirë.
Fondi
Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet fondi i veçantë, në masën 5 për qind të fondit të planifikuar për pagat. Ky fond përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve, për rezultate të mira në punë, për dhënie ndihmash të menjëhershme, në raste fatkeqësish, sëmundjesh që kërkojnë ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, për veprimtari social-kulturore, si dhe për rastet e daljes në pension pleqërie. Shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, nuk duhet të jetë më shumë se 1 (një) pagë mujore në vit. Përjashtimisht për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit nuk duhet të jetë më shumë se 2 (dy) paga mujore në vit. Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, shpërblimi jepet në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin për shërbimin civil. Për DPT-në kriteret e shpërblimit me mbi një pagë përcaktohen sipas udhëzimit përkatës të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm. Shpërblimi për rezultate të mira në punë të përballohet nga fondi i veçantë edhe në rastet kur, sipas ligjeve të veçanta, lindin të drejta specifike të shpërblimit të punonjësve. Ky rregull nuk zbatohet vetëm kur në ligj janë parashikuar burime të tjera specifike, të ndryshme nga fondi i veçantë i pagave. Në këtë rast, kriteret dhe rregullat e përfitimit të shpërblimeve përcaktohen me udhëzime përkatëse. Shpërblimi në fund të vitit i jepet çdo punonjësi të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, në masën 10 mijë lekë, pavarësisht shpërblimit sipas pikës 3, të këtij vendimi, dhe përballohet nga fondi i veçantë. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti vjetor, i miratuar për çdo institucion.
Trajnimet
Të gjithë punonjësit e administratës do t'i nënshtrohen një trajnimi të posaçëm me module të caktuara në lidhje me nivelin dhe pozicionin që ata kanë. Trajnimet do të jenë të detyrueshme nëse gjatë ushtrimit të detyrës ata do të përballen me ndryshime substanciale në ligje apo politika. "Duke filluar nga viti në vijim, krahas fondeve që janë të parashikuara në buxhetin e Institutit të Trajnimit të Administratës Publike, çdo agjenci shtetërore duhet të caktojë një fond të posaçëm për trajnimin e punonjësve të saj.
Krahas trajnimeve masive, duhen krijuar më tepër programe të tilla specifike që iu përgjigjen nevojave të veçanta dhe dinamikës së problematikave të Shërbimit Civil. Po ashtu duhet të përdoret një numër i kufizuar trajnimesh të detyrueshme e periodike", - theksohet në strategji.
Kompanitë serbe të armatimit tregojnë interes për tregun shqiptar
Shqipëria ka ngjallur kohët e fundit edhe interesin e kompanive të ndryshme të prodhimit të armatimit, veçanërisht të atyre nga vendet e lindjes, ku futet edhe Serbia. Këto kompani të cilat kanë qenë prezente në disa panaire të zhvilluara vitet e fundit në Shqipëri, e shikojnë me interes tregun shqiptar për zhvillimin e këtij lloj biznesi. Vitin e ardhshëm në Shqipëri nga këto kompani dhe të tjera do të prezantohet panairi i parë i specializuar për sigurinë dhe mbrojtjen, "Albanian Military Exhibition". Ky aktivitet i madh do të zhvillohet në tetor 2010 me pjesëmarrjen e emrave më të mëdhenj të industrisë së armatimit në botë. Panairi i këtij lloji do të prezantojë emra me peshë në industrinë e armatimeve, pajisjeve ushtarake dhe emergjencave civile, duke treguar në të njëjtën kohë interesin që zgjon Shqipëria në arenën ndërkombëtare, me anëtarësimin e saj në NATO. "Albanian Military Exhibition" synon që veç krijimit të kushteve të përshtatshme për tregun e pajisjeve ushtarake të rrëzojë dhe një mit shumëvjeçar. Nga ana tjetër, duke nuhatur këtë treg tërësisht të ri, dhjetëra biznese që operojnë në këtë sektor kanë nevojë që të prezantojnë produktet e tyre. Për të lidhur bashkë këta dy aktorë në tregun që u hap, shoqëria "Klik Ekspo Group" do të kthejë në traditë dhe ngulisë në tregun shqiptar “ALMEX”, Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Çmimi i energjisë, OSSH-ja kërkon 23.1 për qind rritje
Kompania çeke “CEZ” që është pronari i ri i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kërkon për vitin e ardhshëm një rritje deri në 23.1 për qind të çmimit të energjisë elektrike. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar dje nga Enti Rregullator i Energjisë, drejtuesit e “CEZ”-it e kanë argumentuar kërkesën për rritjen e çmimit me nivelin e lartë të humbjeve, borxhet e shumta që ka OSSH-ja, si dhe gjendjen e vështirë financiare të kompanisë. Rritje të çmimit të energjisë kanë kërkuar edhe KESH-i dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kërkon që çmimi me të cilin i shitet energjia OSSH-së të bëhet 2.78 lekë për kilovat orë, ndërsa OST-ja ka kërkuar që tarifa e transmetimit të energjisë të rritet në 0.79 lekë për kilovat orë. Pasi ka dëgjuar të gjithë argumentet, Enti Rregullator i Energjisë pritet të marrë një vendim për kërkesat e bëra nga tre kompanitë brenda muajit dhjetor.
26 Nentor 2009