E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në familje, një në tri gra në vend është viktimë



Jonida Tashi

Një në tri gra në vendin tonë është viktimë e dhunës në familje. Statistikat e 9-mujorit të këtij viti tregojnë një rritje të shifrave të rasteve të dhunës në familje, kryesisht tek gratë dhe fëmijët. Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Punës, në 9 mujorin e këtij viti janë denoncuar pranë strukturave të policisë rreth 993 raste të dhunës në familje. Krahasuar me vitin e kaluar, dhuna në familje ka pësuar një rritje të konsiderueshme të rasteve, rreth 400 denoncime më tepër. Gjatë nëntëmujorit të vitit 2008, numri i rasteve të denoncuara për ushtrim dhune në mjediset familjare arriti në shifrën 612 raste. Lidhur më ketë fenomen, tepër shqetësues për shoqërinë shqiptare, drejtoresha për Barazinë Gjinore në Ministrinë e Punës, Ana Xheka, ka theksuar se në këto shifra një numër shumë i pakët i atribuohet meshkujve, por jo bashkëshortëve. Sipas saj, dhuna e raportuar nga burrat i përket më shumë të moshuarve dhe jo marrëdhënieve në çift. “Ka denoncime dhe nga burrat, por rastet nuk janë bashkëshortë, sikurse parashikohet në ligj. Rastet mund të jenë fëmijë që kanë dhunuar të moshuar, por sipas ligjit, format e dhunës janë të ndryshme, fizike, psikologjike apo emocionale”,- pohon Xheka.
Fenomeni
Megjithëse kanë kaluar tre vjet që nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit “Për masat ndaj dhunës në familje”, deri tani nuk është ngritur asnjë strehë për viktimat e dhunës. Ministria e Punës ka deklaruar se kjo detyrë sipas ligjit, i është ngarkuar pushtetit vendor, por ai nuk ka bërë deri tani asgjë. Aktualisht, shoqëria shqiptare po përjeton një periudhë në të cilën vihet re një rritje e fenomenit të dhunës. Format më të përhapura të ushtrimit të kësaj dhune janë: dhunë emocionale, që është forma më e hasur e dhunës në familje; dhunë ekonomike, që ndeshet më shumë në zonat urbane; dhunë fizike, që ndeshet më shumë në zonat rurale; si dhe dhunë seksuale, që rezulton më pak e raportuar. Sipas institucioneve përgjegjëse, nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, mes pesë ministrive asaj të Punës, të Drejtësisë, të Brendshme, të Arsimit dhe të Shëndetësisë, do të frenonte sadopak zhvillimin e këtij fenomeni, ndërkohë që ka ndodhur pothuajse krejt e kundërta. Ligji ngarkon me detyra të gjitha strukturat dhe instancat e tjera dhe Marrëveshja e i qartëson më mirë detyrimet institucionale të çdo ministrie, të cilave u del për detyrë jo vetëm t’i njohin detyrimet, por edhe t’i zbatojnë, në bashkëpunim të ngushtë me njëra-tjetrën. Roli i çdo institucioni, pas miratimit të ligjit, nuk është thjesht evidentues, por edhe hartues dhe zbatues masash konkrete që ndikojnë në parandalimin e dhunës në familje. Sipas dikasterit të Punës, që me hyrjen në fuqi të ligjit, numri i rasteve të denoncuara për ushtrim dhune në ambientet familjare është rritur, kjo si pasojë e ndërgjegjësimit të viktimave, por edhe strukturave përkatëse për mbrojtjen e viktimave.
Qendra
Për të parandaluar fenomenin e dhunës në familje, Ministria e Punës ka vendosur ngritjen e Qendrës Kombëtare për rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, e cila ende nuk është hapur. Kjo godinë do të shërbejë për krijimin e strehëzave për gratë e dhunuara. Kështu, viktimat e dhunës do të mund të trajtohen në këto qendra deri në rehabilitimin e tyre. Hartimi dhe zbatimi i Strategjisë Kombëtare kundër Dhunës në Familje dhe Ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, janë dy dokumentet kryesorë që mundësojnë koordinimin dhe bashkërendimin e strategjive dhe përpjekjeve të të gjitha departamenteve dhe institucioneve shtetërore dhe organizatave jo-qeveritare, për të parandaluar dhe luftuar dhunën në familje. Qëllimi i Strategjisë dhe Ligjit është të parandalojë dhe luftojë dhunën në familje dhe të ofrojë mbështetje ndaj viktimave të këtij fenomeni.

Withers: “Shifrat për dhunën në familje janë alarmante”

Ambasadori amerikan, John Withers është shprehur i alarmuar për shifrat e përhapjes së dhunës ndaj gruas në Shqipëri. Për këtë, ai ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse, por e gjithë shoqëria, që të ndërhyjnë për të frenuar fenomenin, që shënon një viktimë në çdo tri gra. “Abuzimi ka forma të ndryshme, përveç asaj fizike, verbale, keqtrajtim, privim ekonomik. Por të gjitha këto janë krime kundër gruas dhe familjes dhe duhet të mbarojnë. Të ndezim projektorët mbi këtë problem, të ndërgjegjësohemi për atë që e shkakton dhe ta shkatërrojmë. Por për këtë duhet të jemi të gjithë”,- tha Withers. Deklaratat e mësipërme ambasadori amerikan i bëri gjatë një takimi me studentë të gazetarisë, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, me rastin e fillimit të 16 ditëve të aktivizimit të dhunës kundër gruas.

Tepelenë, Qendra e fëmijëve me probleme rrezikon mbylljen

Qendra e fëmijëve me probleme në qytetin e Tepelenës rrezikon mbylljen. Prej disa vjetësh në qytetin e Tepelenës është ngritur një qendër ditore e cila trajton mbi 35 fëmijë me probleme, të paaftë ose me zhvillim të vonuar mendor. Në këtë qendër, ata marrin trajtim nga një personel mjekësh, psikologësh dhe edukatorësh dhe deri më tani donatorë të ndryshëm e kanë mbështetur vazhdimin e punës humanitare të kësaj qendre. Por së fundmi, veprimtaria e kësaj qendre po vazhdon vetëm falë bamirësisë së banorëve të qarkut të Gjirokastrës dhe drejtuesit kërkojnë ndihmë që qendra të mos mbyllet. Kjo është e vetmja qendër në qarkun e Gjirokastrës që ndihmon këta fëmijë dhe adoleshentë, të cilët janë nga qytetet e Tepelenës, Përmetit dhe Gjirokastrës.

26 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›