E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulja e pragut të TVSH-së, mijëra biznese të vogla shpallin falimentimin



Ervin KOÇI

Duke filluar që nga jugu deri në veri janë disa mijëra subjekte të biznesit të vogël në të gjithë vendin që kanë nisur procedurat e falimentimit. Shkak për këtë është bërë njoftimi që bizneset kanë marrë për uljen e pragut të TVSH-së nga 8 në 5 milionë lekë xhiro në vit, gjë që shumë prej tyre i klasifikon si biznese të madha. E thënë ndryshe, kjo gjë do të thotë për ta më shumë taksa dhe tatime për shtetin, por edhe më shumë pagesa për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Qeveria ka përcaktuar që në vitin e ardhshëm, të gjitha bizneset që kanë xhiro më të madhe se 5 milionë lekë, të klasifikohen si "biznes i madh", gjë që do t‘i detyrojë subjektet deri tani të vogla të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatim-Fitimi. Ekspertë e ekonomisë thonë se, është e palogjikshme të detyrosh bizneset që bëjnë xhiro më të madhe se 14 mijë lekë në ditë, të mbajnë bilanc të rregullt, të punësojnë një kontabilist të autorizuar apo të hyjnë në skemën e rimbursimit të TVSH-së. Ata kujtojnë se, pragu i transferimit administrativ nga zyra e biznesit të vogël te zyra e biznesit të madh, ka qenë 5 milionë lekë deri në vitin 2002, por me këshillë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, u rrit në 8 milionë lekë me perspektivën për ta rritur edhe më tej. Futja në burokracinë e rimbursimit të TVSH-së, rrezikon t‘i nxjerrë jashtë tregut këto biznese jo për shkak të ngarkesës fiskale, por për shkak të kostos që mbart hartimi i dokumentacionit fiskal të nevojshëm. Një kategori shumë e madhe biznesesh të vogla, si ushqimoret apo mallrat e përziera, kanë norma shumë të ulëta fitimi, 5-10 për qind dhe taksimi me TVSH i fitimeve të tyre sjell të ardhura minimale. Nga ana tjetër, për mallrat e shitura në treg, TVSH-ja paguhet në hallkat e tjera të furnizimit të tregut.

Durrës

Buxheti i Bashkisë së Durrësit, një nga më të mëdhatë në vend pritet të reflektojë mungesën e 1 milion eurove në të ardhurat e veta për vitin në vazhdim dhe pjesën më të madhe të kësaj të çare e shkakton vendimi për ndryshimin e kufirit minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Vendimet e qeverisë prekin një pjesë të mirë të biznesit të vogël në qytet, ndërsa do të kenë efektet e tyre nga 1 janari. Secilës prej subjekteve i nevojitet të llogarisë koston vjetore që do t‘i duhet për ekonomistin kontabël. Në qytetin e Durrësit janë afro 400 biznese, ndërsa në nivel rajonal përfshirë edhe Shijakun e Krujën janë mbi 1 mijë subjekte që hyjnë në skemën e TVSH-së, ndonëse lista vazhdon të përpilohet. Në Drejtorinë e Tatim-Taksave Bashkiake thonë se 1200 biznese të vogla kanë mbyllur aktivitetin e tyre përgjatë më shumë se një viti, 400 të tjera janë çregjistruar gjatë vitit 2009 dhe 300 të tjera e kanë pezulluar aktivitetin e tyre. Ndërkohë, edhe për një pjesë të biznesit të madh situata nuk ka qenë e mirë. Ndërkohë që në gjykatë janë në proces për shpallje falimenti 30 subjekte.

Fier

Gjatë periudhës janar-tetor të vitit të kaluar, në Fier rreth 150 biznese shpallën falimentin. Në të njëjtën periudhë të këtij viti, bizneset që kanë kërkuar çregjistrim janë më shumë se 310. Por numri i falimenteve mësohet se është shtuar veçanërisht shumë gjatë javëve të fundit. Në një rast, në Drejtorinë e Tatim-Taksave të qytetit, mbërritën tetë kërkesa për çregjistrim brenda një dite. Numri i lartë i kërkesave për mbyllje aktiviteti është gjetur edhe si një shpëtim i shumë tregtarëve të licencuar, të cilët nuk dëshirojnë të vijojnë aktivitetin në skemën e biznesit të madh. Në tetor të vitit 2009 kanë deklaruar falimentimin e tyre 22 biznese të mëdha, të cilët aktualisht ndodhen në fazën e fundit, atë të gjykatës.

Shkodër

Drejtoria e Tatim-Taksave në Shkodër bënë të ditur se dhe 130 biznese të vogla kanë kaluar në kategorinë "biznes i madh" dhe deri në fund të vitit pritet që të kalojnë edhe 70 biznese të tjera, bazuar në planin e qeverisë për të ulur pragun e TVSH-së nga 8 në 5 milionë lekë. Rreth 160 biznese të vogla nga 570 që janë në total në qytetin e Shkodrës kanë kërkuar çregjistrimin për shkak të falimentit pranë degës vendore të tatim-taksave, bëhet e ditur nga zyra vendore e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, janë dorëzuar 31 kërkesa. Nëse një biznes i vogël më parë shlyente detyrimet te bashkia me një shumë prej 270 mijë lekë në vit, tani i duhet të paguajë rreth 350 mijë lekë, pra 70 mijë lekë më shumë në vit për llogari të tatim-taksave. Kalimi i biznesit të vogël në biznes të madh përveç falimentimit të shumë bizneseve të vogla dobëson dhe financat e pushtetit lokal.

Gjirokastër

Drejtuesit e zyrës së Tatim-Taksave në bashkinë e Gjirokastrës thonë se mbi 100 subjekte që deri tani janë trajtuar si biznese të vegjël, do hyjnë në listën e tatim paguesve të mëdhenj. Vendimi i qeverisë sipas tyre ka efekte edhe në financat e pushtetit lokal, përveç se do të detyrojnë bizneset të paguajnë më shumë. Vendimi për kalimin e bizneseve të vogla në biznese të mëdhenj hyn në fuqi në 1 janar të vitit që vjen.

26 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›