E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja "rrëzon" familjet e Gërdecit

Ankimimi i familjeve të të vrarëve të shpërthimit të vitit të kaluar, nuk mundi të kalojë në seancë penale në gjykatën më të lartë në vend


Pas refuzimit të djeshëm për t'u legjitimuar në procesin penal, familjet përgatiten t'i drejtohen Gjykatës së Strasburgut


TIRANE- Gjykata Kushtetuese refuzon kalimin e ankesës së familjeve të viktimave të Gërdecit në penale, duke e cilësuar një vendim të ndërmjetëm atë të Gjykatës së Lartë për ndarjen e dosjes së Gërdecit.


Kjo duket se iu humb të drejtën për të ndjekur çështjen penale ndaj të akuzuarve dhe duke iu mohuar atyre të drejtën për t'u përfaqësuar si palë në proces. Duket se kjo është një humbje e dytë pas ngjarjes tragjike të vitit të kaluar në Gërdec, shpërthimi i fabrikës së demontimit shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rreth 300 të tjerëve si dhe shkatërrimin e shumë shtëpive dhe dëme të tjera.


Dosja penale e kësaj ngjarjeje ka 29 të pandehur, mes tyre ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe ish- funksionarë të lartë të administratës së dikasterit të Mbrojtjes, si dhe Ushtrisë Shqiptare si dhe ish- drejtues të fabrikës së demontimit në Gërdec, si dhe subjekti Albademil.


Prej më tepër se dy muajsh, dosja penale përkatëse është ndarë nga Gjykata e Lartë në dy pjesë, nga e cila Mediu do të Gjykohet nga Gjykata e Lartë për shkak të funksionit të tij si ish- ministër, ndërsa 28 të tjerët nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet.


Në vendimin e saj Gjykata e Lartë, ka vendosur të mos legjitimojë si palë familjet e të dëmtuarve, ndërsa pikërisht kundër këtij vendimi përfaqësuesja ligjore e këtyre familjeve, Blerta Kraja, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin, që u refuzua për t'u kaluar në seancë penale nga Gjykata e Lartë.


Gjithsesi ky vendim nuk është përfundimtar. Vendimi i moskalimit në seancë penale të ankimimit të familjarëve të viktimave të Gërdecit, është marrë nga Gjykata Kushtetuese më 16 korrik, javën e kaluar, ndërsa trupi gjykues kryesohej nga Fehmi Abdiu, Sokol Berberi dhe Xhezair Zaganjori. Pas këtij vendimi duket se dy janë rrugët e mundshme ligjore që iu kanë mbetur në dorë të afërmëve të viktimave.


E para hapja e një procesi civil, ndërsa e dyta nisja e aplikimit pranë Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Pikërisht këtë rrugë pritet të ndjekin edhe familjarët e përfaqësuar nga avokatja Blerta Kraja.


Në vendimin e Kolegjit, Gjykata Kushtetuese shprehet se ndodhet pëpara një vendimi të ndërmjetëm që nuk ka të bëjë me një gjykim perfundimtar dhe në këto kushte kur gjykata nuk ka nisur hetimin gjyqësor pretendimet e kërkuesve nuk gjejnë pasqyrim në aktet e kësaj çeshtjeje.


Ajo pohoi se tashmë ajo po punonte për të dërguar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ndërkaq lidhur me ndarjen e dosjes, Kraja pohoi se ky veprim krijon precedentin për prodhimin e dy vendimeve të ndryshme për të njëjtin proces.


Gjykata e njëanshme


Kraja, pohoi dje në mbrëmje për gazetën "Shekulli", se ajo është njoftuar vetëm dje për vendimin e marrë që refuzon kalimin e çështjes në seancë plenare. Lidhur me këtë vendim, avokatja Kraja, pohoi se Gjykata ka qenë e njëanshme me vendimin e saj për shkak të lidhjeve që ekzistojnë mes gjykatës dhe palëve, ndërsa nuk nguroi ta cilësojë vendimin si fakt që tregon dështimin e sistemit gjyqësor në vendin tonë.


"Një vendim i tillë ishte i pritshëm për ne dhe nuk pritej ndonjë surprizë",- tha Avokatja Kraja në fjalën e saj, ndërsa pohoi se në këtë rast janë shkelur parimet për një proces të rregullt dhe ligjor që me mos legjitimimin e familjeve si palë e deri tek mundësia për të apeluar një vendim

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›