E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: S'heqim dorë, PS-në s'e ndal askush

Kryetari i PS-së, Edi Rama, reagon për qëndrimin e vazhdueshëm të KQZ-së ndaj Qarkut Fier


TIRANË- Përpos përpjekjes së vazhdueshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të mbajtur peng rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në qarkun e Fierit, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ripërsëritur dje se nuk ka asnjë forcë që e ndal PS-në në të drejtën legjitime të saj.


Duke iu referuar pikërisht mbledhjes së djeshme të KQZ-së, ku po shqyrtohej kërkesa e PDI-së së çamëve për pavlefshmëri të zgjedhjeve në disa qendra votimi, Rama ka theksuar se, PS-ja nuk heq dorë nga e drejta e saj, duke shtuar se nuk ka asnjë force, që mund ta ndalë Partinë Socialiste në mbrojtjen e demokracisë.


"Sot KQZ-ja e Sali Berishës vazhdoi të manifestojë forcën e verbër të një pushteti që kërkon me patjetër të vazhdojë të grabisë çfarë të mundet e sa të mundet, për të mundur të qëndrojë në këmbë, sepse, mesa duket, çfarë ka grabitur deri këtu nuk i mjafton.


Rikthimi te mandati ynë i nëntë në Fier i kësaj KQZ-je të kthyer në vegël qorre të Sali Berishës, përmes një kryetari të dënuar në të shkuarën e tij, jo të largët për marrje ryshfeti dhe një shumice që nuk i nënshtrohet ligjit, por oreksit të Sali Berishës, është kuptimplotë për të gjithë ata që duan realisht të dinë se çfarë ka ndodhur në 28 qershor, çfarë po ndodh pas 28 qershorit dhe çfarë mund të ndodhë ende më tutje në rast se Partia Socialiste nuk bën atë që po bën e do të bëjë deri në fund",- tha Rama, duke kujtuar edhe njëherë se, PS-ja është forca më ë madhe e politikës shqiptare. Lideri i opozitës kujtoi se Shqipëria e shqiptarët po e kuptojnë përditë se pushteti shtatanik i çiftit të ri të politikës së vjetër lindi me ngut të rrufeshëm pikërisht për të ndaluar zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit.


"Mua nuk më mbetet veçse t´i ripërsëris publikisht Sali Berishës se, një pushtet i grabitur nuk mbahet dot në mes të Evropës në shekullin XXI-të dhe nga përballja me të vërtetën e kutive të marra peng në kundërshtim me ligjin e me të drejtën e opozitës, nuk e shpëton dot as ish i dënuari për marrje ryshfeti që ka në krye të KQZ-së, as i dënuari me turp, që vrapoi t'i ulet në prehrin e lënë bosh nga Xhuveli dhe as përpjekja e ethshme për të bërë diversion në Partinë Socialiste",- tha ai.


Për pasojë, Rama shtoi se, Partia Socialiste do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme në rrugën e Sali Berishës. "Është e kotë, Partia Socialiste do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme në rrugën e Sali Berishës dhe sot ne jemi më të vetëdijshëm se asnjëherë për rolin tonë jetik, për demokracinë dhe detyrimin tonë të patjetërsueshëm në një proces ku në asnjë mënyrë nuk mund të triumfojë gënjeshtra e një pushteti të ricikluar përmes grabitjes së votave e të mandateve", tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›