SEE CN, po "Familjes së gjaksit"
Rrjeti i Qendrave Kombëtare Kinematografike të Evropës Juglindore miraton dhe mbështet financiarisht projektin shqiptar për film të shkurtër, me regji të Neritan Mehmetajt
Në takimin e 18 korrikut të Asamblesë së "South Eastern Europe Cinema Network", një rrjet i krijuar nga Qendrat Kombëtare Kinematografike të Ballkanit, takim i mbajtur në Shkup të Maqedonisë, u miratuan edhe 7 projekte filmike për metrazh të shkurtër të paraqitura nga 7 vende anëtare.
Përfaqësuesja e Qendrës Kombëtare Kinematografike, Eriona Vyshka, specialiste prej disa vitesh e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ka bërë paraqitjen projektit shqiptar. Është filmi "Familja e gjaksit" me skenar dhe regji të Neritan Mehmetajt dhe produksion te OnFilmProduction.
Vyshka tha për gazetën se "ky projekt u përzgjodh nga QKK duke qënë se vjen nga një shoqëri serioze produksioni dhe e besueshme për sa i përket realizimit në kohë të filmit. Gjithashtu, ky projekt është financuar nga bordi i QKK në pjesën më të madhe të buxhetit të tij dhe xhirimet e filmit do të fillojnë shumë shpejt."
Kjo përfaqësuese sqaroi se "Familja e gjaksit" u mbështet financiarisht me shumën 8 mije euro të cilat i shtohen buxhetit të filmit dhe do të ndahen në 3 faza të përcaktuara në kontratën që do të nënshkruajë në vazhdim Kompania OnfilmProduction me Komitetin Ekzekutiv të SEE CN.
Vendimet e tjera që u morën në takimin e Shkupit kanë të bëjnë bashkëpunimin në nivel rajonal në fushën e kinematografisë. Anëtarsimit të Shqipërisë në këtë rrjet të Qendrave Kombëtare të Kinematografisë të Evropës Juglindore sipas Eriona Vyshkës i është ndjerë së fundi rëndësia e vet sepse "i ka paraprirë një anëtarësimi tjetër akoma më të rëndësishëm të Shqipërisë në Eurimages.
Edhe në këtë nivel përfaqësimi Shqipëria mund të ballafaqojë sfidat e saj dhe sfidat e përbashkëta aktuale që ndan kinemanë evropiane. Kjo ka qenë një temat e takimit në Asamblenë e mbledhur në Shkup, e ndër të tjera edhe "krijimi i një kuadri të gjerë për një treg audiovizual funksional (audiovisual market) si edhe për mbrojtjen e trashëgimive kulturore të secilit komb. Në këtë kontekst por edhe për shkak të ndryshimeve
gjeopolitike që kane ndodhur në Evropën Juglindore këto dhjetëvjeçarët e fundit, u bë i nevojshëm bashkimi i institucioneve të kinematografisë në një rrjet i cili do të përballet me zhvillimet e kinematografisë nga një këndvështrim realist dhe në nivel rajonal", përfundon Vyshka.
Rrjeti në fjalë ka për qëllim të ndikojë në zhvillimin dhe promovimin e industrisë së filmit të vendeve anëtare në Rrjet; të krijojë një fond të përbashkët bashkëprodhimi dhe të bashkëpunojë me vendet anëtare të Rrjetit në fushën e produksionit, promovimit kulturor dhe financiar duke ruajtur trashëgiminë filmike dhe duke respektuar traditat e secilit vend.
Në këtë organizatë janë pjesëmarrëse 11 shtete anëtare, me anë të përfaqësuesve të tyre, por aktualisht aktive janë vetëm 7 vende; Greqia, Qipro, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Rumania dhe Bullgaria. Rrjeti është themeluar në shtator 1999, selinë e ka në Selanik të Greqisë.
Fondi i SEE CN me te cilin mbështeten projektet filmike përbëhet nga kontributet dhe taksat e vendeve pjesëmarrëse si edhe nga kontribute të jashtme.
Konkretisht Asambleja e SEE CN, me përfaqësuesit e Qendrave të Kinematografisë të çdo vendi anëtar, mblidhet 2 herë në vit, një herë për miratimin e mbështetjes financiare të projekteve për film me metrazh të gjatë dhe një herë tjetër për miratimin e mbështetjes financiare të projekteve për film me metrazh te shkurter.
SEE CN mbështet deri në 10 mijë euro për projekt. Ky rrjet ka kontribuar për disa filma shqiptarë: për filmin "Gjallë" të regjisorit Artan Minarolli (5500 euro) që sapo dha premierën botërore në seksionin e filmit të Evropës Juglindore në Karlovy Vary; dhe "East, Ëest, East" i regjisorit Gjergj Xhuvani (5500 euro) që pritet të ketë premierën vjeshtën e ardhshme. Gjithashtu është mbështetur filmi me metrazh të shkurtër "Shenjtorja" i Eno Milkanit me vlerën 10.000 euro.
Diplomohen studentët e parë të regjisë së filmit
Në teatrin veror të Akademisë së Arteve janë projektuar mbrëmë filmat e shkurtër të diplomantëve të parë të regjisë së filmit në këtë Akademi. "Mbrojtën" mbrëmë punët e tyre të rinjtë Andi Haxhihyseni me filmin "Jetë paralele", Indrit Kasmi me "I miri, i keqi dhe i shëmtuari", Xhoslin Rama me "Vdekja e gjysh Trifonit", Suela Demiri me "Dita e parë e punës", Evis Lule me "Përtej kufijve" dhe Klajd Papadhimitri me "Mysafirët".
Këto punë diplome janë produksion i shtëpisë kinematografike "On Film Production" shpk. dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e ka mbështetur këtë projekt të kryer tashmë në vlerën financiare 5 950 000 lekë. Është hera e parë që QKK ka mbërë këtë investim për studentët shqiptarë në studiojnë regji filmi.
Anjeza Shahini hedh në qarkullim "Lotë pendimi"
"Lotë pendimi" është klipi i dytë brenda një viti që Anjeza Shahini e ka prezantuar dje. Është një krijim që i përket albumit të saj të parë "Erdhi momenti" që për hir të së vërtetës ka qenë një ndër prezantimet e pakta dinjitoze të këngës shqiptare në këto vitet e fundit. Në promovimin e djeshëm në një bar në Tiranën e Re këngëtarja e talentuar e zbuluar në spektaklin "Ethet e së premtes mbrëma", ka qenë në shoqërinë e kolegëve më me përvojë në mes të cilëve ajo qëndron e sigurtë sepse ka ditur të tregojë se karriera ndërtohet me punë të mira dhe cilësi dhe jo me flakë kashte.