Kushtetuesja rrëzon kërkesën e ish-kryetarit të komunës së Kasharit
Laureta Rryçi
Tiranë - Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e ish-kryetarit të komunës së Kasharit Alfred Sulaj. Ky i fundit prej më shumë se gjashtë muajsh ndodhet në qelitë e paraburgimit nën akuzën e abuzimit me pronat dhe shpërdorimit të detyrës. Megjithatë nuk ka qenë kjo arsyeja që e ka detyruar të bëjë padi në Kushtetuese. Burime në këtë gjykatë shpjeguan se Sulaj pati bërë padi për vendimin e këshillit të ministrave për heqjen nga detyra si kryetar komune ndërkohë që ndaj tij nuk është dhënë ende vendimi i formës së prerë. Kushtetuesja e gjykoi të drejtë vendimin e qeverisë. Me këtë vendim, Sulajt i duhet të përballet me drejtësinë duke humbur kështu edhe ish-postin që kishte.
Procesi
Tashmë dosja për zyrtarët e Kasharit ndodhet për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Vetëm një seancë më parë zyrtarët e Kasharit të arrestuar për abuzimet me pronat i kërkuan gjykatës gjykim të shkurtuar. Burime pranë Gjykatës së Tiranës, pohuan se seanca e rradhës mbi të arrestuarit për pronat ka vijuar me pranimin e tyre të akteve në gjendje që ndodheshin duke e përshpejtuar kështu procesin gjyqësor. Pak muaj më parë, Task Forcë, preu fletë- arrestet për tetë ish- zyrtarë të Kasharit, të cilët akuzohen për “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, “mashtrim” etj. Falë këtij vendimi fillimisht u arrestuan Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetari i komunës Kashar, Naim Karaj, 45 vjeç dhe Faik Fejza, 56 vjeç, ish- kryetarët e kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj komune, Shefqet Alikaj, 51 vjeç, përgjegjësi i zyrës së Kadastrës si dhe Ismail Sulaj, 42 vjeç dhe Xhevair Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar. E njëjta masë sigurie u vlerësua edhe për shtetasin Ilir Sula, 33 vjeç, me detyrë shofer i kryeplakut të komunës Kashar, i cili u kap në kushtet e flagrancës me një armë pistoletë “TT”, pa leje. Sulës iu rikthye liria falë vendimit të Gjykatës së Lartë pak ditë më vonë. Pas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes solli për gjykim dosjen në gjykatë. Pas dy seancash gjyqësore të pandehurit kërkuan gjykim shkurtuar. Tani është në çmim të gjykatës për vazhdimësinë e këtij procesi dhe ndëshkimin e zyrtarëve.
Arrestimi
Tetë të pandehurit e këtij procesi u arrestuan para tre ditësh në Tiranë, në kuadër të operacionit “Kashari 2”, i cili u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me njësinë “Task Force” në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, të kryera me metoda speciale të hetimit, shtetasit e mësipërm dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës, kanë pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, jo banorë të komunës Kashar, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Madje, personat që kanë përfituar padrejtësisht tokë, rezultojnë të afërm, familjarë ose miq të të arrestuarve të operacionit “Kashari 2”. Atyre iu bllokuan me cilësinë e provës materiale shumë dokumente dhe formularë që komprometojnë veprimtarinë e tyre, në ushtrimin e funksioneve që kryenin si përfaqësues vendorë në komunën e Kasharit, në Tiranë.
9 Tetor 2008