KLD diskuton projektligjin për Gjykatat Administrative
TIRANË - Këshilli i Lartë i Drejtësisë u mblodh dje dhe diskutoi lidhur me qëndrimin që do të mbajë ndaj projektligjit për Gjykatat Administrative, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Mbledhja e KLD-së mbahet pas kërkesës, së Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë për të dhënë komente apo sugjerime për këtë projektligj. Projektligji për “Gjykatat Administrative” është cilësuar nga Ministria e Drejtësisë si një nismë ligjore mjaft e rëndësishme në funksion të mbarëvajtjes së punës në Gjykatë, për mbrojtjen e ankesave të bizneseve. Projekti në fjalë parashikon ngritjen e Gjykatave Administrative, me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve shtet - biznes. Ky projektligj parashikon shpejtësinë në gjykimin e çështjeve administrative, ekzekutimin automatik të vendimit të gjykatës dhe çfarë është më e rëndësishmja shtetit konsiderohet i barabartë me individin, pa asnjë lloj avantazhi. Në fjalën e tij ministri i Drejtësisë shprehu vlerësime edhe për kontributin e ekspertëve në hartimin e projektligjit për organizimin e drejtësisë administrative, mbi bazën e eksperiencave të suksesshme të testuara, të shteteve perëndimore. Ky takim u organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nëpërmjet Këshillit Konsultativ të Biznesit. Takimi synonte konsultimin e projektligjit me grupet e interesit dhe përmirësimin e mëtejshëm të tij.
9 Tetor 2008