Kushtetuesja rrëzon padinë e Ylli Kambos
TIRANE – Gjykata Kushtetuese i refuzon ankimin Ylli Kambos, ish-bosit të piramidës “Kambo-Marshall”, për një vendim që ka të bëjë me llogaritjen e dënimit porsa i përket ditëve të kaluara në qelitë greke dhe rumune para ekstradimit të tij në Shqipëri. sipas Kushtetueses Kambo është dënuar në mungesë më 20 maj 2001 nga Gjykata e Tiranës me 10 vjet burgim për veprën penale të “vjedhjes së pasurisë me anë të mashtrimit”. Duke qenë subjekt i kërkimit ndërkombëtar, ai është arrestuar në Greqi më 29 tetor 2002 dhe në Rumani më 9 janar 2003 nga ku dhe është ekstraduar për në Shqipëri më 24 prill 2003. Sapo ka mbërritur në Shqipëri Kambo i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për llogaritjen e kohës së vuajtjes së dënimit në Greqi dhe Rumani për periudhën 29 tetor 2002 deri më 24 prill 2003, kërkesë e cila është pranuar nga kjo gjykatë. Kambo duke pretenduar se nuk ka qenë i pranishëm në seancën përfundimtare dhe se nuk është njoftuar për vendimin, i është ridrejtuar Gjykatës së Tiranës për rivendosjen në afat të ankimit ndaj këtij vendimi, por kërkesa është rrëzuar më 26 nëntor 2007, më pas këtë vendim e ka lënë në fuqi Apeli, ndërsa Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja vendosën refuzimin e shqyrtimit. fa.ma.