E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësi mashtron gjykatën

 Fatos MahmutajGjykata Kushtetuese zbulon mashtrimin e të dënuarit për grabitjen e bankës së Sarandës në vitin 1997 me dy vërtetime spitalore. Pak ditë më parë një kolegj prej tre anëtarësh i kësaj gjykate ka refuzuar ankimin e të riut vlonjat Genci Bajramaj, i dënuar me 8 vite burg në mungesë për grabitjen në bashkëpunim të shumës prej 26.719.210 lekë të reja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 17 mars të vitit 1997, kur Bajramaj, në bashkëpunim me të dënuarit e tjerë Vladimir Sinani, Edmond Sejko, Artan Nebiu, Shkëlqim Mehmeti, Agron Qyrku, Jaho Qyrku, Andrea Foti, Arben Këndezi, Flamur Këndezi, Gjergj Qusari, Ivan Veseli, Sarand Bollano (alias, Astrit Zeqiraj) dhe Lefter Tusha, kanë arritur të vjedhin kasafortën e bankës së Sarandës, pasi një ditë më parë kishin dështuar për shkak të paaftësisë së një personi me profesion saldator, të cilin e kishin marrë për të prerë me oksigjen kasafortën. Më 8 korrik 1999 Gjykata e Vlorës i ka gjetur fajtorë të pandehurit e kësaj ngjarje për akuzën e “vjedhjes së bankave” dhe i ka dënuar nga 40 muaj burg deri në 8 vjet. Më 12 tetor 1999 Apeli Vlorë dhe 19 prill 2000 Gjykata e Lartë, e kanë lënë në fuqi vendimin. Bajrami, duke pretenduar se ishte dënuar pafajësish ka kërkuar rishikimin e vendimit, në Gjykatën e Vlorës. Si shkak për këtë është paraqitur fakti që Bajrami, në datën kur është kryer vjedhja, ka qenë i shtruar në një spital të Janinës. Ai ka paraqitur në gjyq një vërtetim nga Spitali “Haxhi Kosta” i Janinës, në të cilin rezulton se në periudhën 9 mars 1997 deri  në 20 mars 1997, ka qenë i shtruar aty. Gjykata, nisur nga ky fakt e ka pranuar kërkesën më 19 shtator 2000 dhe, pas rishqyrtimit të dosjes më 6 shkurt 2001, Bajrami është shpallur i pafajshëm. Pas ankimit të prokurorit Apeli i Vlorës, më 13 korrik 2001, ka vendosur prishjen e vendimit të Faktit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, pasi ka konstatuar shkelje procedurale në formimin e trupit gjykues. Kësaj here, Fakti më 17 prill ka vendosur rrëzimin e kërkesës për rishikimin e vendimit, pasi alibia e pretenduar se Bajrami ka qenë i shtruar në Spitalin “Haxhi Kosta” nuk ka rezultuar i vërtetë. Ky vendim është lënë në fuqi nga Apeli më 26 nëntor 2004. Duke pretenduar se ka qenë në mungesë gjatë kësaj kohe Bajrami ka kërkuar rivendosjen në afat dhe Apeli më 11 janar 2006 e ka pranuar atë. Në rekurs është kërkuar investimi i gjykatës për verifikimin e faktit se kërkuesi nuk ka qenë i shtruar në Spitalin “Haxhi Kosta”, por në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës, Klinika Hematologjive. Kjo ka bërë që Gjykata e Lartë më 12 maj 2006, dhe Kushtetuesja pak ditë më parë të vendosnin mospranimin e rekursit, duke lënë në fuqi dënimin e Bajramit me 8 vjet burg. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›