E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: “Të gjithë në protestë për ti dhënë fund keqqeverisjes”



Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, në një komunikim për mediat, i ka bërë thirrje të gjithë popullit opozitar që t’i bashkohet protestës së madhe më 30 prill në bulevardin e Tiranës. Dade theksoi se qytetarët duhet t’u bashkohen protestave për t’i dhënë fund keqqeverisjes. Sipas saj, duhet t’i jepet fund pushtetit të korruptuar dhe arrogant të Sali Berishës, papunësisë në rritje, rënies drastike të ekonomisë, rritjes së frikshme të çmimeve, falimentimit të bizneseve, grabitjes së tokave të fermerëve e bujqve me ligj, varfërisë që thellohet çdo ditë, çdo javë, çdo muaj në qytet e në fshat, që prej 28 qershorit, kur u grabit vota e lirë e shqiptarëve.
Deklarata
“Dëshiroj të ripërsëris apelin tonë për të gjithë qytetarët që të bashkohen në protestat për t’i dhënë fund keqqeverisjes që buron nga deformimi i vullnetit të lirë të votës së 28 qershorit, që me shurdhëri, kokëfortësi e panik mbahet kyçur në kutitë e votimit”, - u shpreh Dade, duke shtuar se “ne sot shprehim besimin e palëkundur që të gjithë qytetarët do t’i thonë ndal këtij pushteti antidemokratik e shantazheve të tij, e do të bashkohen me ne në protestat e përditshme, që kulmojnë në Tiranë më 30 prill, e do të vazhdojnë pandalshëm deri në largimin e këtij pushteti që po fundoset në humnerën e ilegjitimitetit dhe papërgjegjshmërisë”. Deputetja Dade nënvizoi se kur një pushtet deformon e grabit vullnetin e zgjedhësve për t’u kthyer në një kastë që pasurohet në kurriz të qytetarëve, një popull i emancipuar ka të drejtën e detyrimin që t’i thotë këtij pushteti ndal, me çdo formë demokratike. “Berisha kryeministër u përpoq të realizonte ëndrrën e vjetër të Saliut president, për ta kthyer Shqipërinë në vendin ku ai dhe familja e tij sundojnë e pasurohen e ku një popull i tërë vuan pasojat e paaftësisë, korrupsionit, papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së pushtetit të vjedhur. Kjo është e papranueshme për një vend të NATO-s”, - tha Dade. Ajo bëri të ditur se në të gjithë Shqipërinë ka sot me mijëra shqiptarë të vënë nën presione të skajshme nga pushteti i grabitur që të heshtin për problemet e tyre. Në çdo fshat e qytet përfaqësuesit e pushtetit po i kërcënojnë shqiptarët me vendin e punës e me ndihmën sociale, po kërcënojnë bizneset e mëdha e të vogla që të mos i bashkohen protestës së opozitës.
Protesta
Alternativa e vetme e Partisë Socialiste sot është protesta, që pas debatit të ashpër në Parlament për ngritjen e komisionit hetimor përmes hapjes së kutive. Protestat e opozitës kanë për qëllim të largojnë këtë qeveri në rast se do të vazhdojë të bëhet pengesë për transparencën e zgjedhjeve. Protestat e Partisë Socialiste nuk shoqërohen si zakonisht me sloganet për hapjen e kutive, apo me fjalimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndryshe nga nëntori i vitit të kaluar, çdo protestë është ndryshe, në bazë të problemeve apo konfliktit që një shtresë e qytetarëve ka me qeverinë. Zyrtarët socialistë në të gjithë Shqipërinë kanë për detyrë të nxisin dhe më pas të mbështesin qytetarët, të cilët do të protestojnë. Megjithatë, forma e re e protestës ndaj qeverisë “Berisha” nuk do të lërë në hije hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Burime në selinë rozë bëjnë të ditur se qëndrimi përpara Kryeministrisë do të zgjasë për disa ditë, duke nisur nga e premtja e 30 prillit.

Korçë, Peleshi: “Kundër transferimit të fondeve të Bankës Botërore”

Pas vendimit të qeverisë për të transferuar fondet e Bankës Botërore nga qytetet e tjera drejt Shkodrës, ku edhe ka pasur përmbytje, është kundërshtuar edhe nga kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi. Ai ka sqaruar se fondet për qendrën e qytetit të Korçës nuk mund t’i kalojnë Shkodrës, ndërsa ka theksuar se qeveria me këtë vendim po krijon një problem tjetër. “Ky është një nga investimet më të rëndësishme të Bashkisë së qytetit. Unë dëshiroj t’i kërkoj qeverisë, nëpërmjet këtij prononcimi, që problemin e shkaktuar në Shkodër mos të kërkojë ta zgjidhë duke shkaktuar një problem tjetër në qendër të qytetit të Korçës, por të gjejë burime të tjera”, – u shpreh Peleshi. Apeli i tij i drejtohet edhe Bankës Botërore, që kjo e fundit të mos bëhet pjesë e kërkesës së qeverisë, por që të vazhdojë të përmbushë bashkëpunimin me qytetin e Korçës, në këtë projekt kaq të rëndësishëm për të sipas Peleshit. “I kërkoj gjithashtu edhe Bankës Botërore që të mos bëhet pjesë e kërkesës për rialokimin e këtyre fondeve, por ta vazhdojmë së bashku një projekt kaq të rëndësishëm për qytetin e Korçës”, - sqaron kryebashkiaku.

7 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›