E Diel, 1 Nëntor 2026

Toçi: “Projektligji për tokën kërkon tu grabisë pronat 460 mijë fermerëve”



Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Toçi, ka reaguar dje ndaj projektligjit më të fundit për tokën, i cili, sipas tij, ka për qëllim t’u grabisë pronat 460 mijë fermerëve në të gjithë vendin. Sipas tij, ky është një ligj i ngritur jo mbi interesin e shqiptarëve, por mbi interesat e një grupi njerëzish të familjes biologjike e politike që sot sundon Shqipërinë, i cili, me mbështetjen e strukturave policore dhe të administratës shtetërore po tentojnë sot të zaptojnë toka që nga derdhja e Vjosës e deri në Ksamil.
Reagimi
Deputeti Toçi deklaroi se PS-ja nuk do të lejojë që fermerët të dhunohen duke u grabitur në pronën e tyre. Ai rikujtoi se PS-ja ka kërkuar me kohë që ky ligj të mos miratohet nga Kuvendi, por hapat që ndërmerren dhe heshtja e Berishës për këtë ligj, tregon se nuk është i rastësishëm dhe madje në interes të vetë familjes dhe oborrit. “Prandaj sot PS-ja u bën apel 460 mijë fermerëve, të cilët nuk pranojnë t’u merret toka në mënyrë arbitrare nga shteti i Saliut, të bashkohen me ne në protesta për largimin e këtij pushteti që grabit me ligj”, - u shpreh Toçi. Ai theksoi se Berisha dhe ligji më i fundit jo vetëm që nuk i zgjidh problemet, por do t’i shtojë edhe më tej konfliktet sociale. Ndërkaq, deputeti Toçi tha se çështja e tokës bujqësore është një çështje të cilën kjo maxhorancë që mbijeton me vota të grabitura nuk mund ta zgjidhë.
Projektligji
Sipas deputetit Toçi, ligji që po i përgatitet Kuvendit për tokat e pakultivuara e shtrin këtë grabitje në të gjithë Shqipërinë, ku u është vënë syri 50 mijë hektarëve tokë në pronësi private. Këtë tokë të grabitur, Toçi tha se ligji ua kalon sekserëve të klanit qeveritar për t’i menaxhuar, pa pyetur, madje pa vënë në dijeni as vetë të zotët e tokës. Deputeti socialist bëri të ditur se Pyllin e Sodës në Gjirin e Vlorës, 478.14 ha, duan t’ia japin për 1 euro/m2 një firme të huaj fantazmë, për ta rrafshuar dhe kthyer më pas në park kontejnerësh. Ndërkaq, ai tha se veç abuzimit me pronën publike kjo sjell edhe shkatërrimin e Gjirit dhe probleme ekologjike. Deputeti Toçi vijoi se në komunën e Novoselës, në zonën e quajtur Pish – Poro, janë rrethuar nga pronarë fantazmë 600 ha pyll me pisha në bregdet dhe nuk u lejohet banorëve të tjerë të kalojnë nëpër këtë territor.
“Nga grabitja e pronave në Orikum e Radhimë nga abrogimi i Ligjit 7501, banorëve u lihet në pronësi vetëm gjysma e sipërfaqes që kanë sot e 20 vjet në përdorim. Pjesa tjetër i kalon shtetit për ta përdorur për interesat e një grupi njerëzish”, - theksoi Toçi.
Ndërkaq, deputeti Toçi tha se në Livadh të Himarës u ka vajtur mandati i prishjes së banesave në tokat e tyre 400 familjeve për interesa të bizneseve pranë qeverisë për të ndërtuar fshatra turistike. Ndërsa në Borsh, në fshatin Qazim Pali, shteti e ka zyrtarizuar vjedhjen e pronës duke kërcënuar për të lënë pa toka familjet, të cilat i kanë përfituar këto prona me Ligjin 7501. Sipas tij, hetuesit e Sarandës i thërrasin banorët çdo ditë për t’u bërë presion që mos ngrenë zërin, njësoj si hetuesit e epokës së komunizmit. “Në Jalë bregdeti shfaqet akoma si një zonë gërmadhash, si pasojë e prishjes me pa të drejtë të banesave dhe lokaleve nga shteti duke manipuluar me emrin e Bankës Botërore.
Probleme të ngjashme ka edhe në Lukovë, Kakome, Ksamil. Përvojat e tjetërsimit të pronës në Orikum apo gjetkë kanë dëshmuar se të vetmit përftues janë sekserët e familjes”, - u shpreh deputeti Toçi.

Projektligji sipas PS-së
1. Pyllin e Sodës në Gjirin e Vlorës, 478.14 ha, qeveria kërkon t’ia japë për 1 euro/m2 një firme të huaj fantazmë.
2. Në komunën e Novoselës, në zonën e quajtur Pish – Poro, janë rrethuar nga pronarë fantazmë 600 ha pyll me pisha.
3. Në Livadh të Himarës u ka vajtur mandati i prishjes së banesave në tokat e tyre 400 familjeve për interesa të bizneseve.
4. Në Borsh, në fshatin Qazim Pali, shteti e ka zyrtarizuar vjedhjen e pronës.
5. Probleme të ngjashme ka edhe në Lukovë, Kakome, Ksamil.

Sot pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste për statutin

Pasi është mbledhur pak ditë më parë për të përcaktuar fazat e reja të aksionit opozitar, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste pritet që të mblidhet ditën e sotme për të diskutuar mbi ndryshimet statutore të saj. Konkretisht, këto janë disa ndryshime, të cilat kanë të bëjnë me mënyrën e funksionimit të Partisë Socialiste në qendër dhe në rrethe.
Ndërkaq, në draftin e hartuar parashikohet që të rikthehet struktura organizative me kryetar rrethi. Pritet që diskutimi i këtyre ndryshimeve statusore të shoqërohet me debate në radhët e dy grupimeve që ekzistojnë brenda selisë rozë, atij të mbështetësve të kryetarit Rama dhe Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Një ndër pikat më të debatuara, ajo e mendimit ndryshe, do të sanksionohet në Statut, por vendimet e marra nga partia do të jenë të detyrueshme për të gjithë. Një ndryshim tjetër thelbësor është rikthimi i kryetarit të Asamblesë së PS-së në rreth. Më parë PS-ja ka pasur një koordinator dhe sekretar qarku. Një tjetër pikë mjaft e rëndësishme është përfshirja e Sekretariatit Qendror të PS-së në Kryesinë e Partisë me të drejtë vote. Deri tani sekretarët e PS-së, edhe pse me mjaft ndikim në selinë rozë, nuk kanë pasur të drejtë vote në Kryesi. Por, me këto ndryshime, pritet që Sekretariati i PS-së, por edhe Kryesia të riformatohen. Vëmendje e madhe i është kushtuar edhe forcimit të demokracisë së brendshme në parti. Ndërkaq, Partia Socialiste ka kërkuar ekspertizë të Partive Socialiste Europiane për të bërë një rishikim të plotë të Statutit, sapo të zgjidhet kriza politike në vend. Krerët e bashkive dhe komunave do të zgjidhen nga forumet lokale. PS-ja do të ketë një sekretar partie për çdo zonë të administrimit të zgjedhjeve (ZAZ).

Bumçi: “Votimi elektronik mënjanon problemet e numërimit të votave”

Sistemi i ri i votimit elektronik është formula për të mënjanuar njëherë e përgjithmonë problemet me numërimin e votave. Sipas deputetit të maxhorancës, Aldo Bumçi, i prononcuar për një media, ky sistem i ri duhet të përfshihet në Kod, në mënyrë që alibia e politizimit të numëruesve të mos vazhdojë dhe për zgjedhjet e ardhshme. Pas lëvizjes së parë të kryeministrit me këtë propozim të djathtë presin opozitën të hedhë hapin e radhës. “Marrja dhe adoptimi i një sistemi të ri eviton të gjithë problematikën që ne kishim me numërimin e votave. Ky duhet të jetë debati që duhet të mbizotëroje dhe ne presim që PS të bëjë propozimet e saj ose të shqyrtojë më tej këto propozime të bëra nga shumica. Gjithçka bëhet me konsensus përsa i takon Kodit Zgjedhor”, - tha Bumçi.
Ashtu si dhe ekspertët zgjedhorë, Bumçi e sheh të nevojshëm amendimin e Kodit brenda një kohe të shkurtër. Kjo për arsye transparence dhe për të plotësuar rekomandimet e ODIHR-it. Megjithatë, sipas tij, në rast opozita nuk përgjigjet, ky Kod elektoral mund të përdoret edhe në 2011-n. “Kodi ishte i përshtatshëm, sepse në kryem një palë zgjedhje dhe ishin zgjedhjet më të mira të kryera në Shqipëri. Aty ku u hasën probleme ishin probleme me politizimin e procesit të numërimit”, - u shpreh Bumçi. Duke iu referuar problemeve të mundshme me listat e zgjedhësve sipas Bumçit, edhe në rast vonesash nga bashkia, elektronizimi i regjistrit e bën të pamundur abuzimin.

7 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›