E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ecuria e sistemit bankar ne vend, BSH paraqet sot raportin 2009



Ervin KOÇI

Sistemi bankar shqiptar është duke lehtësuar kushtet për kreditë e dhëna, duke shpalosur në njëfarë mënyre panoramën e një situate krejt tjetër nga fillimi i vitit 2009. Në fundin e vitit 2009 dhe në fillim të vitit 2010 është regjistruar një tendencë lehtësuese për kriteret e kredidhënies në sistemin bankar. Prirja pozitive e stabilizimit të ekonomisë në vend ka qenë faktor promovues për lehtësimin e tyre. Kryesisht, bankat kanë promovuar kreditimin në monedhën vendase, duke shmangur riskun e kursit të këmbimit. Ndryshe nga gjashtëmujori i parë i vitit 2009, në dy muajt e fundit të sezonit veror, kreditë në lekë kanë qenë më të lira. Gjatë muajve korrik-gusht, interesi mesatar i ponderuar për kreditë e reja në lekë ka shënuar vlerën mesatare 12.86 për qind, ose 0.79 pikë përqindjeje më poshtë se gjashtëmujori i parë i vitit 2009. Rënia e ndjeshme është ndikuar pjesërisht edhe nga kreditimi i klientëve të veçantë me terma preferencialë, ndërsa në nivel të përgjithshëm vihet re një ngushtim i marzhit ndaj interesave referencë. Aplikim i interesave më lehtësues vihet re për kreditë e reja afatshkurtra deri në 12 muaj, të cilat zënë dhe peshën më të madhe të kredisë së re, e destinuar për plotësimin e nevojave likuide të bizneseve. Kostoja e ndërmjetësimit në lekë ka ardhur në ulje në muajin gusht 2009. Ky tregues për lekun rezulton 7.11 pikë përqindjeje, nga 8.27 pikë përqindje në gjashtëmujorin e parë. Norma mesatare e ndërmjetësimit për monedhën evropiane është rritur ndjeshëm në korrik dhe u ul sërish në gusht. Në vlerë mesatare, ajo ka shënuar 5.77 pikë përqindjeje, 0.73 pikë përqindjeje më shumë se niveli mesatar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009.

Fitimet e bankave
Fitimet e sistemit bankar shqiptar në vitin 2009 rezultojnë dy herë më të ulëta se në vitin 2008. Referuar të dhënave që jepen nga ana e Shoqatës së Bankave, periudha janar-dhjetor e vitit 2008 ka qenë shumë herë më e frytshme për sistemin bankar shqiptar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Në periudhën 12-mujore të vitit 2008, bankat në Shqipëri ka fituar 118 milionë dollarë, ndërsa në të njëjtën periudhë në vitin 2009 fitimi është vetëm 58 milionë dollarë. Sistemi bankar shqiptar vazhdon që të ketë zhvillime pozitive për sa i përket parasë elektronike. Viti 2009 është mbyllur me një numër kartash që shkon në rreth 567 mijë për sa u përket atyre të debitit dhe 23.844 mijë të kreditit. Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë kanë ulur ndjeshëm kreditë e dhëna gjatë pjesës së parë të këtij viti. Një masë e tillë pritet që të rëndojë edhe më shumë bilancet e tyre nga përqindja e kredive të këqija, pasi portofoli total i kredive gjatë vitit 2009 pritet që të rritet në skenarin më të mirë me 15 për qind. Kjo ka qenë edhe arsyeja që guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka kërkuar me ngulm që të ketë një shpejtim të kredive të dhëna, pasi tashmë po rrezikohet që ekonomia në tërësi të futet në një rreth vicioz. Nga ana tjetër, problemet e mëdha që lidhen me kreditimin dhe uljen drastike të tij po pengojnë edhe pjesët e tjera të ekonomisë që të zhvillohen, duke dobësuar ndjeshëm edhe pozicionin financiar të vendit. Rënia e kredisë gjatë tremujorit të fundit të viti 2009 është bërë e ditur edhe nga ana e guvernatorit Fullani.

Sektori privat
Kredia për sektorin privat u rrit në terma nominalë me 11 për qind kundrejt një viti më parë. Në terma realë, kjo rritje ishte vetëm 4 për qind. Zgjerimi i kredisë ka ardhur kryesisht në formën e financimit të likuiditetit të bizneseve, ndërkohë që kredia për individë ka vijuar të tkurret në terma vjetorë. Me gjithë përmirësimin e aktivitetit kreditues gjatë muajit dhjetor, ritmi vjetor i rritjes së tij mbetet i ulët në terma historikë. Ecuria e ngadaltë e kredisë kushtëzohet nga një ambient me prime të larta rreziku, i materializuar në kushte të shtrënguara kreditimi dhe nga pasiguria e agjentëve ekonomikë për të ardhmen, e materializuar në kërkesë të ulët për kredi të sektorit privat. Kursi i këmbimit ka vijuar të nënçmohet edhe gjatë muajit janar, por me një ritëm më të vogël se në muajin e mëparshëm. Në terma nominalë efektivë vjetorë, nënçmimi i shënuar në janar ishte rreth 8 për qind. Zhvillimet mujore tregojnë për një nënçmim më të lehtë të lekut kundrejt monedhës europiane dhe dollarit amerikan. Banka e Shqipërisë gjykon se balanca e faktorëve që ndikojnë mbi kursin e këmbimit paraqitet më e stabilizuar për vitin 2010. Aktiviteti kreditues vijon të mbizotërohet nga kredia në lekë, e cila mbulon kryesisht nevojat e bizneseve për kapital qarkullues. E veçanta e muajit janar 2010 është se situata e përmirësuar e mjeteve valutore të sistemit bankar po fillon të reflektohet në rritjen e kredisë në valutë. Megjithatë, rritja e qëndrueshme e kreditimit duhet të mbështetet nga riaktivizimi i kërkesës për kredi dhe lehtësimi paralel i kushteve të kredidhënies të aplikuara nga sistemi bankar.

Kredia: Bllokimi i financimit për ekonominë, në kushte ekstreme

Kredia për ekonominë gjatë vitit 2009 ka pësuar rënie historike, duke u vlerësuar në një shumë prej vetëm 188 milionë eurosh. Referuar të dhënave të Shoqatës së Bankave, kredia në total gjatë vitit 2009 ka mbërritur në rreth 4.119 miliardë dollarë, nga 3.931 miliardë dollarë që ishte në fund të vitit 2008. Në harkun kohor të një viti bankat kanë mundur që të japin vetëm 188 milionë dollarë për biznesin dhe individët, shumë kjo që mbetet shumë e vogël krahasuar me kërkesat që ka pasur sipërmarrja gjatë kësaj periudhe. Rritja e kredisë së re është thuajse sa gjysma e rritje së depozitave të reja, që megjithëse kanë pasur një vit të vështirë për shkak të dyshimeve që u hodhën mbi sigurinë e bankave të ndryshme, kanë pësuar një rritje të sigurt. Në fund të vitit 2008 depozitat në total ishin rreth 6.602 miliardë dollarë, ndërsa në fund të vitit 2009 në total ato shkuan 6.922 miliardë dollarë.

7 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›