E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta, akuzat e PD-së ndaj Topit i hapin rrugë shkarkimit

Çfarë thotë Kushtetuta kur presidenti shkel ligjin themeltar. Cili është opinioni i konstitucionalistëve për dekretet

Eljona Ballhysa

Në rast se Presidenti i Republikës kryen shkelje të Kushtetutës, duhet të kërkohet menjëherë shkarkimi i tij. Kjo është e përcaktuar në nenin 90, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka pretenduar së fundi se kreu i shtetit ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mos konsultimin me Kuvendin për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas eksponentëve të lartë të PD-së, shkelja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të thotë shkelje e Kushtetues, pasi ky institucion nuk bën gjë tjetër veçse interpreton ligjin themeltar të shtetit. Sipas Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, veprimi i Presidentit të Republikës është antikushtetues. Në një shtet serioz politik ku vepron shteti ligjor, duke marrë në vlerësim akuzat e PD-së, presidenti Topi duhet të shkarkohet për shkelje të Kushtetutës. Në Kushtetutë është e përcaktuar qartë se në rast se presidenti e shkel atë ai duhet të shkarkohet. Një dispozitë e tillë duhet të ndikojë dhe në qëndrimin e Grupit Parlamentar të PD-së, i cili duhet të “dënojë” një president që, sipas tyre, ka shkelur Kushtetutën. Në nenin 90 të Kushtetutës shkruhet se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”. Ndërsa në pikën tre të këtij neni theksohet se “vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”.
Qëndrimi
Megjithëse maxhoranca pretendon se Bamir Topi ka shkelur Kushtetutën deri tani nuk ka ndonjë nismë për shkarkimin e tij. Duket qartë se synimi i maxhorancës është ulja e krediteve politike të presidentit Topi, si dhe reflektimi i “një lufte brenda llojit”. Po kështu, krerët e maxhorancës, nëpërmjet kundërshtimit të procedurës së dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga presidenti, po kërkojnë të mbajnë të kontrolluar dhe deputetët e PD-së, në mënyrë që të mos lejojnë rrjedhje votash. Një qëndrim i tillë i maxhorancës, veçanërisht i dy drejtuesve të institucioneve të rëndësishme, si kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, kërkon imponimin me forcë të kandidaturave të mbështetura prej tyre dhe jo ato të dekretuara nga Topi.
Interpretimi
Nga ana tjetër, konstitucionalistë të ndryshëm, por dhe opozita mendojnë se Presidenti i Republikës nuk është i detyruar që të konsultohet me Kuvendin për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas konstitucionalistit Njiazi Jaho, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilit iu referohen deputetët e maxhorancës, nuk e detyron presidentin që të konsultohet me Kuvendin. Jaho thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese thjesht i jep të drejtë Kuvendit që të shqyrtojë, përveç kritereve ligjore të kandidatëve, dhe meritat profesionale. Po kështu edhe në nenin 93 të Kushtetutës shkruhet qartësisht se “Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete”.

Shkarkimi i Presidentit

Neni 90 i Kushtetutës

2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›