E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i dëshmorit, ndryshojnë procedurat e shpërblimit

Qeveria specifikon marrësin e shpërblimit nga statusi. Ndryshon edhe vendimi bazë i vitit 2002 për statusin

Qeveri ka bërë një ndryshim në ligjin e vitit 2002 për “Statusin e dëshmorit” duke specifikuar kalimin e të drejtës së marrjes së shpërblimit në rastet kur persona të caktuar të trungut familjar “skarcohen” nga kriteret e përcaktuara në ligj. Një rast tipik është kur fëmijët kalojnë moshën 18 vjeç ose 25 vjeç kë rastin kur vazhdojnë studimet dhe e drejta për të përfituar shpërblimin i kalon automatikisht bashkëshortes së dëshmorit. Ky ndryshim është bërë pas shumë ankesash të ardhura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Komisionin e Vlerësimit të statusit të “Dëshmorit të kombit” si pasojë e “skualifikimit” të disa familjarëve në bazë të ligjit, ndërsa familjarët e tjerë kërkonin kalimin e shpërblimit sipas procedurës dhe organikës së trungut familjar. Një tjetër shembull është se nëse deri tani dëmshpërblimin e merrte vëllai ose motra e dëshmorit, tani atë do ta përfitojë prindi bashkëjetues.
Precedentët
Dy vite më parë veteranët kundërshtuan projektligjin e qeverisë për ndryshimet në ligjin për “Statusin e dëshmorit të atdheut”, i cili parashikonte ngushtimin e rrethit të familjarëve të dëshmorëve që do të përfitojnë shpërblimin financiar mujor. Një përfaqësi e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut kërkoi mbështetje nga deputetët e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, me qëllim që Parlamenti të mos i miratojë ndryshimet e hartuara nga qeveria. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Dalan Buxheli, tha asokohe se ndryshimet e propozuara nga Këshilli i Ministrave u heqin shpërblimin financiar vetëm familjeve të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. “Kërkojmë mosmiratimin e këtij projektligji, pasi ai përjashton nga përfitimi financiar të gjithë të afërmit e dëshmorëve të atdheut të rënë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare në vitet 1939-1944, ndërsa përfitojnë vetëm familjarët e policëve dhe ushtarakëve të rënë në krye të detyrës pas vitit 1944. Dëshmorët e rënë në LANÇ ishin pothuajse të gjithë të moshës 14-20 vjeç dhe nuk kishin as bashkëshortë, bashkëshorte dhe as fëmijë, ndërsa prindërit e tyre kanë vdekur dhe mundësia e përfitimit financiar iu takon motrave e vëllezërve, të cilët tashmë janë në mosha mbi 60 vjeç, gjë që ky projektligj i ndryshuar i përjashton”, - tha Buxheli në seancën dëgjimore të organizuar për këtë çështje nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare.
Ndryshimet
Ligji për “Statusin e dëshmorit“ pësoi një ndryshim thelbësor në vitin 2006. Drafti i qeverisë parashikonte se përfitimi i shpërblimit mujor financiar për dëshmorët do të gëzohet vetëm nga rrethi i familjarëve, ku bëjnë pjesë bashkëshorti ose bashkëshortja, fëmijët nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur ndjekin studimet e larta. Sipas përllogaritjeve të bëra nga Ministria e Financave, efekti financiar për një vit është 33 milionë lekë dhe ndërsa para vitit 2006 përfitonin nga statusi i dëshmorit të atdheut 5 500 persona, të cilët merrnin një shpërblim mujor prej 5 mijë lekë në muaj,në bazë të projektligjit të ndryshuar në vitin 2006 përfitojnë vetëm 1 100 persona, të cilët do të marrin një shpërblim mujor prej 5 mijë lekësh. Përfaqësuesit e grupeve parlamentare të opozitës kërkuan nga qeveria që ta tërhiqte nga Parlamenti ligjin. Sipas ish-sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ky ligj ishte një gjë e turpshme e qeverisë, pasi vetëm pak ditë nga festa kombëtare, u hiqet e drejta e statusit me qindra familjeve. Ndërkohë kundër projektligjit ka qenë dhe deputeti i maxhorancës, Spartak Ngjela, i cili kundërshtoi eliminimin e kriterit të trashëgimisë. "Unë jam dakord me një pension patriotik. Kurse trashëgimia është një problem civil, nuk mund të bëni gafa të tilla sa të ndryshoni trashëgiminë", - tha Ngjela.

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›