E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzimi i procedurës së dekretimit, çështja shkon në Gjykatë Kushtetuese



Në rast se Kuvendi vendos gjatë seancës së sotme të rrëzojë procedurën e dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga Presidenti i Republikës, atëherë çështja në fjalë pritet të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Fakti që Kuvendi nuk do të shqyrtojë dekretet, por procedurën e dekretimit, nuk i jep të drejtë presidentit që t’i rishqyrtojë edhe njëherë dekretet. Dekretet e presidentit rishqyrtohen në rastin kur ato shqyrtohen dhe marrin votën kundër në Kuvend. Ndërsa në rastin e mosshqyrtimit të tyre, i gjithë procesi bllokohet. Në këtë rast i takon Gjykatës Kushtetuese që të vendosë për fatin e dekreteve të Topit. Por që Gjykata Kushtetuese të vihet në lëvizje duhet që presidenti, ose një grup deputetësh, t’i drejtohen asaj për mendim. Në rast se çështja shkon për mendim në Gjykatën Kushtetuese, pritet që të përshkallëzohet më tej debati politik jo vetëm midis dy kampeve politike, por dhe midis institucioneve më të rëndësishme të vendit. Por për të gjithë këtë ecuri ngjarjesh pritet të vendosë Kuvendi sot. Në rast se shumica nuk tërhiqet nga qëndrimi për të mos votuar dekretet e Topit, por procedurën e dekretimit të ndjekur nga kreu i shtetit, kjo do të krijojë një tjetër krizë të skenën e politikës shqiptare. Bllokimi i dekreteve do të sjellë jo vetëm bllokim të punës së Gjykatës së Lartë, së cilës i mungojnë jo pak, por 5 anëtarë, por do të thellojë më tej hendekun dhe komunikimin midis dy institucioneve më të rëndësishme në vend, siç është Kuvendi dhe Presidenti. Në historinë e pluralizmit shqiptar presidentët jo rrallëherë i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur çështje që kanë mbetur të bllokuara për shkak të interpretimit të ndryshëm të Kushtetutës së vendit. Kështu, si presidenti Rexhep Meidani. ashtu dhe presidenti Alfred Moisiu kanë kërkuar ndihmën e Gjykatës Kushtetuese për çështje të ndryshme gjatë mandatit të tyre në krye të shtetit. Pritet që pasues i këtyre veprimeve të jetë në këtë rast dhe presidenti Bamir Topi.

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›