Trebicka sjell mendësinë italiane në realitetin Shqiptar
“Ana” titullohet komedia që vjen në skenën black box për pesë ditë radhazi në Akademinë e Arteve me regji të Alfred Trebickës. Komedia e shkruar nga dramaturgu italian Angelo Longoni, “Uomini senza donne” përcjell një gërshetim të natyrshëm të humorit me realitetin. Ngjarjet në këtë komedi vendosen në një apartament, ku në të jetojnë dy miq në moshë të mesme, ku njëri është muzikant saksofonist dhe tjetri është një regjisor marketingu. Nëpërmjet mardhënies së tyre apo nëpërmjet episodeve të ndryshme të jetës së tyre në këtë apartament ku ata bashkëjetojnë zbërthehet i gjithë karakteri mashkullor i dy personazheve. Komedia “Ana” vjen nën interpretimin e dy aktorëve Romir Zallës e Marin Orhanasit dhe më skenografi dhe kostumografi të Ilir Martinit. Regjisori Alfred Trebicka tregon pse përzgjodhi këtë pjesë për skenën shqiptare dhe si adaptohet në realitetin skenik vepra e dramaturgut italian. “Vepra origjinale apo komedia gri e thënë ndryshe që ne e kemi shqipëruar “Ana”, por titullin origjinal e ka “Uomini senza donne” e autorit italian Angelo Longoni do të vij për 5 ditë në Akademinë e Arteve. Titulli origjinal i saj është “Burra pa gra” dhe vetë subjekti i kësaj komedie është i tillë- cilësoi Trebicka. Më tej ai tha se, “Janë dy miq që bashkjetojnë në një apartament në një moshë të mesme, një muzikant saksofonist dhe një regjisor reklamash. Nëpërmjet marrëdhënies së tyre apo nëpërmjet episodeve të ndryshme të jetës së tyre në këtë apartament ku ata bashkëjetojnë zbërthehet i gjithë karakteri mashkullor dhe unë mund të them që autori ka një njohje jashtëzakonisht të mirë të kontekstit qoftë antropologjik të qenies qoftë social të qenies, por është dhe një njohës shumë i mirë i dialogut i strukturës dramaturgjike, dhe të gjitha këto element e bëjnë veprën të jetë e niveleve të larta dramaturgjike,-theksoi regjisori. Sipas Trebickës, vepra në Shqipëri vjen pak me vonesë pasi ajo është shkruar gati 15 vjet më përpara, megjithatë nuk është ndonjë problem i madh, e rëndësishme është se duke qenë një mentalitet apo një mendësi italiane them se është afër mendësisë tonë afër mentalitetit tonë. Vepra ka karakter edhe psikologjik brenda, jo pa qëllim autori e ka etiketuar si një komedi gri dhe jo një komedi e formatit klasik. I pyetur se pse u zgjodh pikërisht kjo vepër e dramaturgut Angel Longoni Trebicka tha se, “Ky është një projekt që realisht ka kohë që bluhet qoftë nga unë, qoftë nga dy aktorët Romir Zalla dhe Marin Orhanasi. Gjithmonë ka qenë problemi i kohës i mbështetjes dhe i vendit, dhe më në fund u gjetën akordet me platformën Digital, të cilët janë dhe producentët e këtij projekti. Sigurisht është një projekt i realizuar me dëshirën e mirë profesionale qoftë të timen qoftë të protagonistëve, pastaj futen dhe aksesorë të tjerë siç janë skenografi dhe kostumografi Ilir Martini.
Mobiliet e ish mbretit të popit Jackson, në ankand
Jo vetëm veshjet dhe aksesorët, por edhe mobiljet e Michael Jackson kanë dalë në ankand. Gjithçka që mobilonte shtëpinë e ish mbretit të pop-it do të shitet në datën 25 qershor gjatë përvjetorit të parë të vdekjes së tij. Ankandi do zhvillohet në “Planet Hollyëood Resort” të Las Vegas. Evenimenti do të titullohet “Music Icons” ku fansat e Jacksonit dhe manjatet milionere do kenë mundësi të blejnë mobiljet me vlerë të veçantë. Paratë do shkojnë në llogarinë e familjes së Michael, e cila do organizojë edhe një koncert gjigant në Londër për nder të ish këngëtarit.
Vdes aktori Piter Grejvs, i njohur për serialin “Misioni i pamundur”
Është ndalur zemra e aktorit amerikan Piter Grejvs. 83 vjeçari u bë i njohur në rolin e Jim Phelps drejtues i një skuadre agjentësh specialë në serialin televiziv të viteve 1960 “Mision i pamundur”. Aktori pësoi infarkt në zemër në shtëpinë e tij në Los Anxhelos, ndërsa pas një jave do të mbushte 84 vjeç. Grejvs ka luajtur në 130 filma dhe produksione të tjera televizive. Në vitin 1971 fitoi çmimin Golden Globe.
16 Mars 2010