Kushtetuta dhe modeli i Presidentit
Nëntë muaj pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, Parlamenti po merr në shqyrtim mundësinë e ndryshimit të formulës kushtetuese të zgjedhjeve presidenciale. Në korrik 2007, dy partitë e mëdha, PD e PS, si dhe pjesa më e madhe e politikanëve, përfshirë edhe kandidatët për presidentë, ishin në një mendje për nevojën e kalimit në të ardhmen nga zgjedhje presidenciale në parlament, në zgjedhje presidenciale direkte. Pas nëntë muajsh, situata ka ndryshuar dhe të njëjtit aktorë politikë, kanë hequr dorë nga zgjedhja direkte, si dhe kanë përfshirë në debat mundësinë e reduktimit të formulës zgjedhore, nga një shumicë absolute, në një shumicë të thjeshtë parlamentare.
Në të gjitha rastet, si në idenë e zgjedhjes nga populli, të zgjedhjes me shumicë absolute apo shumicë të thjeshtë nga parlamenti, në thelb, propozimet janë demokratike. Çdo parti e politikan ka të drejtë të ndryshojë qëndrimet e veta politike, sidomos kur këto janë të motivuara nga interesa politike. I tillë është edhe debati i fundit rreth zgjedhjes dhe kompetencave presidenciale.
Në korrik 2007, politika u ndodh në krizë pasi parlamenti pati vështirësi të mëdha për të arritur numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nëse dështonin edhe dy raundet e tjera (realisht u zhvilluan 6 raunde), atëherë vendi mund të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Këto të fundit, nuk janë gjëra të turpshme, por një formë demokratike, madje shumë e civilizuar e zgjidhjes së krizave politike. Frika nga zgjedhjet e parakohshme solli tensione politike dhe një votim që prodhoi presidentin e ri.
Parë në thelbin e këtyre zhvillimeve, kriza e korrikut nuk erdhi për shkak të parlamentarizmit, por për shkak se partitë i imponuan parlamentit emra të veçantë dhe kushtëzuan zgjedhjen e tyre. Pra, më shumë se krizë politike e parlamentit, ishte një krizë politike e vetë partive politike dhe aktorëve të përfshirë në të. Kushtetuta synonte zgjedhje presidenciale konsensuale, por për shkak se partitë me konsensus nënkuptonin vetëm kandidatët e tyre, atëherë vetë partitë iu kundërvunë frymës kushtetuese dhe jo e kundërta.
Tani që kriza ka kaluar dhe Presidenti është në detyrë, Parlamenti kërkon të gjejë një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi. Propozimet bëhen me argumentin se presidenti ka një staturë formale, nuk duhet lejuar krizë politike në zgjedhjet presidenciale, etj., etj. Politika mund të vendoste fare mirë të shkrinte postin e presidentit me modelin kolektiv të kohës së PPSH-së, apo të njësonte postin e presidentit me atë të ndonjë zyrtari që ka ëndërr të bëhet një ditë president. Mirëpo, fatmirësisht, as njëra dhe as tjetra nuk u bë. Kështu, u arrit në propozimin për eliminimin e zgjedhjes direkte të presidentit dhe në zgjedhjen e tij me shumicë të thjeshtë votash në raundin e fundit.
Pra, nëse ky variant do të miratohej, Shqipëria do të kishte një president të votuar nga 50+1 e deputetëve, aq sa vota kërkohen për të zgjedhur kryetarin e seancës parlamentare, apo zyrtarë të rangut të mesëm. Si i tillë, produkti presidencial do të ishte një produkt gjysmak, i atakueshëm lehtësisht nga parlamenti, nga qeveria dhe nga institucionet e tjera, të cilat "kanë më shumë vota" sesa presidenti në parlament. Kështu, nga një model presidencial me votë absolute (Berisha, Meidani, Moisiu, Topi) tentohet të kalohet në një model presidencial të shumicës së thjeshtë, të gjysmës së deputetëve, të cilët në rastin më të mirë përfaqësojnë gjysmën e qytetarëve votues, dhe këta, në rastin më të mirë, përfaqësojnë gjysmën e votuesve me të drejtë vote.
Për të arritur një konkluzion gjithnjë është mirë t'u adresohemi modeleve të vendeve të tjera. Modeli që kërkohet të aplikohet në Shqipëri, është i njëjtë me modelin e Presidentit në Kosovë apo në Itali, dy vende ku presidenti ka pushtet shumë të kufizuar dhe rol dytësor në jetën politike. Ndërkohë që në shumicën e vendeve europiane modeli zgjedhor është shumë më i ndryshëm: me zgjedhje direkte, me shumicë absolute ose me bashkim të dy Dhomave.
Në këtë debat fiktiv, interesant është argumenti për refuzimin e zgjedhjes së presidentit direkt nga populli. Ndonjë politikan nxitoi të thoshte se votimi në popull duhet të ndryshojë sistemin politik dhe na kthen në Republikë Presidenciale. Kjo alibi nuk qëndron dhe për këtë ka fakte të shumta, mjafton që të shfletosh disa ligje të vendeve të tjera, ose të dish të përdorësh internetin për ta kërkuar. Kështu, në Europë, lista e vendeve europiane në të cilat Presidenti zgjidhet në parlament, është dy herë më e shkurtër sesa lista e vendeve në të cilat presidenti zgjidhet direkt nga qytetarët. Konkretisht, Presidenti zgjidhet në Parlament në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Çeki, Itali, Turqi, si dhe nga një asamble më e gjerë parlamentare në Gjermani e Hungari. Presidenti zgjidhet direkt përmes votimit popullor, në Bullgari, Serbi, Kroaci, Rumani, Maqedoni, Armeni, Austri, Bjellorusi, Qipro, Finlandë, Irlandë, Francë, Poloni, Portugali, Sllovaki, Ukrainë, etj. Nga të gjitha këto shtete, vetëm katër shtete janë sisteme presidenciale ose gjysmë-presidenciale. Të gjitha shtetet e tjera janë republika parlamentare si Shqipëria.
Nëse krahasojmë fuqitë presidenciale midis presidentit Mesiç në Kroaci, Presidentit Parvanov në Bullgari, Presidentit Cervenkovski në Maqedoni e Presidentit Topi në Shqipëri, ky i fundit ka të paktën katër kompetenca më shumë, ndërkohë që tre të parët zgjidhen me direkt nga qytetarët, jo nga parlamenti. Pra, zgjedhja direkte nuk ka të bëjë me kompetencat, por me konceptin mbi politikën, shtetin dhe ndarjen e pushteteve. Interesi për një president të pavarur nga partitë dhe parlamenti, është shumë herë më i madh sesa i një presidenti që kontrollohet nga partitë dhe parlamenti.
Janë të njohura risitë që sjell zgjedhja e Presidentit nga populli. Kjo zgjedhje do të eliminonte jo vetëm kriza artificiale si ajo e korrikut 2007, por edhe kriza shumë herë më të mëdha që janë kaluar në vitet 1991-2007. E vetmja kompetencë extra që merr një President i zgjedhur nga populli është pushteti moral për të folur në emër të qytetarëve zgjedhës, pavarësia nga makinacionet dhe pazaret parlamentare, si dhe kalimi i imunitetit/privilegjit të zgjedhjeve nga deputetët, tek qytetarët, pra tek sovrani. Duke pasur pushtet moral, mbështetje popullore, presidenti do ta kishte më të lehtë të kryente detyrën e tij kushtetuese si përfaqësues i unitetit të popullit.
Në një krahasim më të detajuar, një president i dalë nga zgjedhjet popullore lejon promovimin e figurave politike të besuara dhe të afta për dialog, bashkëpunim e marrje përgjegjësie. Ajo do të kufizonte pushtetin extra- kushtetues të partive politike, do të mobilizonte më shumë qytetarët në politikë, do të ndikonte në rritjen e kulturës demokratike, kulturës së votimit, dhe do të krijonte një raport reciprok besimi midis qytetarit të parë dhe qytetarit më të zakonshëm të vendit. Ai nuk do të ishte një zyrtar i rastit, që zgjidhet nga 71 deputetë të kontrolluar nga partitë e lidershipi i tyre, por një zyrtar i lirë të veprojë, të ndërmarrë nisma, imun ndaj sulmeve verbale politike të politikanëve kryesisht deputetë, që votën e dhënë në zgjedhjet presidenciale e konsiderojnë mandat për të përfituar nga dekretet dhe vendimet presidenciale.
Së fundi, institucioni i Presidentit të Republikës në Shqipëri ka nevojë për ndryshime ligjore dhe kushtetuese. Të tilla do të ishin përcaktimet më të qarta të fjalëve (miraton, jep pëlqimin, voton, ratifikon, etj), që ndërhyjnë në raportet president-parlament, një pavarësi më të madhe në buxhetin financiar të Presidencës, një rol më të theksuar në krye të KLD-së, një rol kushtetues të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, një rol më të madh në raport me emërimet në Gjyqësor, në krye të Shërbimit Sekret, në krye të Forcave të Armatosura apo në krye të Policisë së Shtetit. Këto saktësime nuk do të shtonin kompetencat e Presidentit ndaj Parlamentit dhe Qeverisë, por do të bënin një harmonizim më të mirë të tyre, për të shmangur kriza politike si ajo e vitit 2003 (qeveria), 2006 (zgjedhjet) apo 2007 (zgjedhja e presidentit). Aktualisht, Presidenti shqiptar është kryetar shteti, por ai praktikisht nuk ka një ligj organik funksionimi, nuk ka status ligjor në lidhje me funksionin, nuk ka kompetencë të shtojë apo zvogëlojë strukturën e stafit të tij, nuk mund të emërojë as largojë një punonjës garde që duhet të kujdeset për jetën e tij, nuk ka të drejtë të shpallë ditë zie, të ketë një protokoll shtetëror dhe as të luajë një rol konkret në çështje specifike të politikës së jashtme. Kur presidenti vonon një dekret më shumë se 4-5 ditë (kushtetuta i njeh 7-10-20 ditë), presionet mbi të janë të jashtëzakonshme, kurse ne ndodhemi në një situatë të paprecedentë, kur parlamenti p.sh., mban një dekret presidencial prej 3 vitesh, pa e votuar, miratuar apo rrëzuar.
Në këto rrethana, reforma "presidenciale" nuk mund dhe nuk duhet të adresohet gabimisht në drejtim të kufizimit të kompetencave dhe as të uljes së peshës politike të zgjedhjes. Kryetari i shtetit dhe kompetencat e tij, nuk mund të jenë peng i emrave të përveçëm që kryejnë këtë funksion; ai institucion është një simbol shtetëror, simbol kombëtar dhe duhet trajtuar me të gjithë respektin dhe vëmendjen e duhur. Minimalisht do të duhej që paraprakisht të merrej në konsideratë edhe mendimi i vetë kreut të shtetit për amendimet e kompetencave apo bazës kushtetuese të zgjedhjes dhe aktivitetit të tij. Çdo zgjidhje tjetër e motivuar nga arsye pozitive apo negative, në rastin më të mirë do të jetë gjysmake dhe kundërproduktive dhe në rastin më të keq, do të jetë parathënie e një konflikti shumë më të thellë e të gjatë ligjor, administrativ e politik midis qytetarëve, presidentit dhe pushtetit gjithnjë e më të theksuar extra-kushtetues të partive politike.
*Ish-këshilltar i presidentit Moisiu / Lektor i partive dhe sistemeve politike, UT