LSI, ose (O)pozita, si kalë Troje
Kryetari i LSI-së do të habiste shumëkënd, kur në 28 korrik 2006, gjatë një seance parlamentare ku votohej për anëtarin e KQZ-së, anëtari i votuar nuk ishte ai i propozuar nga partia e tij, por te i përzgjedhuri nga PD-ja. Reagimi ishte i dhunshëm. Deputeti Ilir Meta, ish-kryeministër dhe në poste të tjera në krye të qeverive të majta, tentoi të kapej me spikeren e Kuvendit, ndërsa mbështetës të tij, të pasuar edhe nga deputetët e PS-së, pasi shkaktuan kaos në sallën plenare të Kuvendit, e pushtuan, duke e kthyer në qebaptore për një natë. Reagimi i ashpër u ngrit në qiell nga krahu i ashpër në LSI, u përshëndet nga shumë simpatizantë të linjës së fortë në PS dhe shpjegimi ishte se përballë një kryeministri të hurit dhe të litarit, si Sali Berisha, dhe të një lidershipi që ka djegur disa herë vendin, opozita nuk mund të rezistojë me bilbilin e Erjon Braçes dhe megafonin që fshihte nën xhaketë Çim Hysa.
Por pedana e kërcimit për së larti të liderit të LSI-së, nuk ishte lartësimi i opozitarizmit të majtë për të përballuar regjimin gati njëvjeçar të Berishës revanshist. Ishte një motiv që kalonte krijimin e një vendi të LSI-së në KQZ, sepse i jepte të drejtë asaj të kishte anëtarë në komisionet zonale vendore, aty ku historikisht është gatuar, me blerje komisionerësh dallkaukë, trafikimi i votave të shqiptarëve. Për hir të kësaj ambicieje të LSI-së, PD dhe PS dhanë votat dhe Kuvendi kaloi disa amendamente kushtetuese, duke e fryrë organikën e KQZ-së dhe të KKRT-së me disa anëtarë më shumë. Kjo, vetëm që LSI-ja të përfaqësohej, edhe pse bëhej fjalë për Kushtetutën, për atë që po bërtitet aq shumë sot nga partitë e vogla, të cilat thonë se u dhimbset libri themeltar i shtetit.
Ngjarja e korrikut 2006 dhe favoret që iu bënë LSI-së, ishin produkti për të cilin partia e Metës kishte punuar fort, duke shantazhuar shumicën parlamentare dhe qeverisëse të PD-së, por edhe duke e kënaqur atë me sulmet ndaj PS-së dhe nga ana tjetër duke agresuar selinë rozë dhe grupin e saj parlamentar. Por nuk mbaroi me kaq. Si pasojë e agresionit të paprerë të LSI-së, e majta harxhoi shumë më tepër energji për të vendosur rendin brenda vetes dhe për të arritur me shumë mund te kandidaturat e përbashkëta për kryetarë bashkish, njësish bashkiake, apo komunash, sesa te shpjegimi i platformës elektorale që e majta do t'u ofronte shqiptarëve, të cilët janë çmësuar nga keqqeverisja, për të pritur nga pushteti vendor vetëm certifikatën apo ndihmën sociale.
Listat e stër-arnuara u ribënë me dhjetëra herë, ashtu siç u ndryshuan komisionerët e opozitës deri në minutat e fundit. Për fat të keq, në emër të qetësimit të situatës dhe të unitetit të pesë partive të majta, LSI-së iu la nga selia rozë një pjesë e madhe e bashkive dhe komunave të rëndësishme të vendit. Iu lanë komuna në Veri, ku LSI-ja kishte struktura mobile dhe pa përkrahje dhe atje opozita dështoi. Iu lanë bastione të PS-së, kryetarëve të ardhshëm të bashkive ku fitoi e majta dhe prej mëse një viti janë qeveri më vete zyrtarët e LSI-së. Se sa e suksesshme ishte LSI-ja në Jug e tregon ai fakt që i përmendet herë pas here nga kritikët, kryetarit të LSI-së, fitores së PD-së në vendlindjen e tij në Skrapar. Ky pushtet është fituar deri më sot, falë tërheqjes së pafalshme të PS-së, e cila për tetë vite në pushtet, vuajti shumë nga shpërdorimi i pushtetit që iu bë votës së elektoratit të majtë nga partiza që kishin parcelat e tyre partiake në ministritë që drejtonin, që i kthyen zyrat e shtetit në vende për krijimin e partive të tyre, sipas parimit "në qeveri për të bërë partinë', kur në demokracitë moderne është e kundërta.
Këtë bilanc negativ të PS-së e ka prej tre vitesh edhe qeverisja e PD-së, të cilës veç impotencës qeverisëse të Kryeministrit aktual, i shtohet lapërdhia e aleatëve duke mbjellë së bashku gërdecët e Shqipërisë së sotme dhe të nesërme.
Dhe ky pushtet i falur nga PS-ja për LSI-në tani po kthehet në luftë të hapur kundër të majtës dhe idealeve të saj. Rasti i bashkëpunimit skandaloz në Këshillin Bashkiak të Fierit është një goditje e rëndë për shpirtin idealist të së majtës, sepse ajo po humbet bastionin e saj, për hir të disa vendeve të punës në një ndërmarrje që ka kosto politike dhe morale për PS-në.
Në mënyrë brutale një drejtues I LSI-së deklaroi, pa e fshehur aspak qëllimin e pazarit politik në Fier, se ai donte të krijonte 300 vende pune për njerëzit e tij në ndërmarrjen që nuk është krijuar për të shuar etjen për pushtet të LSI-së, por për t'u dhënë ujë qytetarëve të Fierit, të cilët prej vitesh kanë vuajtur nga shkatërrimi barbar që i është bërë këtij sektori jetik nga pushteti qendror i PD-së.
Aritmetika e LSI-së është e shprehur qartë: të bësh partinë, duke mjelë qeverisjen, atë vendore të drejtuar nga PS-ja, por kur nuk e arrin të pish edhe sisën tjetër të PD-së, edhe pse do të thotë të zgjasësh metastazat e pushtetit të Berishës edhe atje ku vota e popullit i ka prerë. Edhe pse është misioni i një kali Troje, në kështjellën e opozitarizmit të majtë.