Kushtetuta e Kosovës, serbët e konsiderojnë të papranueshme
Një vit pas fuqizimit të saj, Kushtetuta e Kosovës për shumicën e serbëve mbetet e papranueshme. Megjithatë, edhe ata serbë që nuk e pranojnë pjesën politike, thonë se aktet e tjera janë të standardeve euopiane edhe pse problem mbetet zbatimi i tyre. Institucionet e Kosovës kanë shënuar njëvjetorin e fuqizimit të Kushtetutës, duke e cilësuar këtë si një ditë feste për vendasit. Por, jo të gjithë në Kosovë kanë festuar. Kushtetuta e Kosovës vazhdon të jetë e papranueshme për një masë të madhe të serbëve, kryesisht për ata që nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Një nga ta është kryetari i Këshillit Kombëtar Serb në Mitrovicë, Nebojsha Joviq. Sipas tij ka shumë arsye se përse është e papranueshme Kushtetuta e Kosovës dhe më kryesorja është se ajo është Kushtetutë e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës. E kemi përsëritur disa herë, që nuk e njohim shtetin e Kosovës", thotë Joviq, duke shtuar se çfarëdo akti normativ që del nga ky shtet, është i papranueshëm. Megjithatë, ka të tillë politikanë serbë, që vlerësojnë se duke përjashtuar pjesën politike, shumë nga dispozitat e Kushtetutës janë të standardeve europiane. Nënkryetarja e Këshillit Kombëtar Serb, Rada Trajkoviç, thotë se në Kushtetutë ka akte e dispozita që janë në favor të qytetarit dhe se janë në përputhje të plotë me vlerat perëndimore", shprehet Trajkoviç. Në anën tjetër, edhe pse kundërshtar i fuqishëm i Kushtetutës, Nebojsha Joviq thotë se nuk ka pasur rast ta analizojë përmbajtjen e saj. Megjithatë, ai pranon se për të kanë punuar ekspertë të njohur europianë nga fusha e së drejtës kushtetuese. Më tej, Rada Trajkoviq thotë se aktet normative në Kushtetutë janë të mira, por mungon një pjesë shumë domethënëse, e ajo është gatishmëria e institucioneve të Kosovës që ato t'i zbatojë në praktikë. Autoritetet kosovare ndërkaq thonë se Kushtetuta e Kosovës, që bazë ka Propozimin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit, garanton të drejta të avancuara për komunitetet pakicë, veçanërisht serbët, sidomos kur bëhet fjalë për reformimin e pushtetit lokal.