E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushti i Prishtinës

Bashkimi Europian beson se ka gjetur formulën për të siguruar pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Konferencën e Sarajevës, por ende nuk ka eliminuar ankthin për bojkot nga Beogradi ose Prishtina.

Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini ka deklaruar se në Konferencën e Sarajevës do të aplikohet modeli Gymnich, që është dëshmuar formulë e suksesshme në një konferencë ministrash, vitin e kaluar në Pragë, kur nuk pati telashe që në një tavolinë të ulen Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe ai i Serbisë, Vuk Jeremic.

Gymnich është një model i takimeve joformale që përdoret nga Bashkimi Europian, në të cilin në tavolinën e takimit vendosen vetëm emrat e pjesëmarrësve, por jo edhe emrat e shteteve, flamujt dhe simbole të tjera shtetërore.

Shefi i Diplomacisë italiane erdhi të mekurën në Prishtinë pas një vizite në Beograd, në përpjekje për të ndihmuar kolegun e tij spanjoll, Miguel Angel Moratinos, kryesuesin e radhës të Ministrave të BE’së, i cili e ka barrën kryesore për suksesin e Konferencës së Sarajevës.

Pas takimeve me liderë kosovarë, Frattini u shpreh se modeli Gymnich është i pranueshëm edhe për Prishtinën, edhe për Beogradin, dhe se të gjithë pjesëmarrësit në Sarajevë do të trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Besoj se nuk do të ketë kundërshtime nga askush. Të gjithë pjesëmarrësit do të jenë të barabartë”, ka thënë Frattini, në një konferencë shtypi me homologun e tij kosovar, Skënder Hyseni.

Megjithëkëtë, burime të gazetës Express kanë thënë se ka mbetur një detaj i Konferencës për të cilin ende nuk ka pajtim mes Prishtinës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian.

Liderët kosovarë insistojnë që pavarësisht pjesëmarrës në Sarajevë të Shefit të UNMIK’ut, Lamberto Zannier dhe ndoshta edhe Përfaqësuesit të BE’së, Pieter Feith, në Konferencë duhet të flasë vetëm përfaqësuesi i Republikës së Kosovës.

Megjithëse është gati punë e kryer që në Sarajevë do të udhëtojnë ministrat e jashtëm të shteteve të rajonit, nuk përjashtohet mundësia që Konferenca të mbahet në nivel të shefave të qeverive dhe krerëve shtetërorë. Përveç kësaj, ende nuk dihet se kush do t’i dërgojë ftesat, shefi i diplomacisë spanjolle, Miguel Moratinos apo Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Catherine Ashton.

Ndryshe, Ministri Hyseni ka theksuar se për të është i pranueshëm çfarëdo modeli i konferencës në të cilën përfaqësuesi i Kosovës do të kishte status të barabartë me pjesëmarrësit e tjerë.

Shefi i Diplomacisë italiane ka biseduar edhe me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.

Për nder të vizitës së tij, në Parlamentin e Kosovës është mbajtur një seancës solemne, në të cilën Ministri italian ka mbajtur një fjalë rasti. Ai ka siguruar parlamentarët se Italia mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt liberalizimit të vizave, lidhjes së marrëdhënieve tregtare me BE’së si dhe anëtarësimin e plotë në familjen europiane.

Por ai ka kërkuar angazhim sa më të madh drejt këtij qëllimi.

“Duhet ecur në këtë drejtim dhe duhet bërë përpjekje që të implementojmë të gjitha rekomandimet të cilat dalin nga Brukseli, që janë pika shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Dhe, e ardhmja e Kosovës është vetëm brenda Bashkimit Europian”, ka thënë Frattini.

Gjithashtu, Ministri Frattini tha se në mes të Kosovës dhe Serbisë nevojitet një kanal i dialogut konstruktiv dhe se Italia e inkurajon një dialog të tillë.

“Është e qartë se Bashkimi Europian e inkurajon faktin që dy vendet duhet të flasin në mes vete, të punojnë së bashku, sepse të dyja vendet kanë të njëjtën perspektivë, perspektivën e Bashkimit Evropian”, tha Ministri Frattini.

Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi duhet të kërkojnë zgjidhje praktike për gjyqësi dhe dogana në pjesën veriore të Kosovës, si dhe për çështje të tjera të interesit të ndërsjellë.

Ministri i Jashtëm i Italisë ka deklaruar se eliminimi i rrjetit ilegal të telefonisë mobile të Serbisë në Kosovë duhet të zgjidhet në mënyrë teknike, dhe prej saj “nuk duhet bërë çështje politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›