E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thërrasin Këshillin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm dhe të vendosë për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme, ku do të përcaktohen për udhëheqjen e re.

Në mbledhjen e Kryesisë, e cila është mbajtur të mërkurën, është vendosur që në mes të muajit maj të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm, organ ky që mund të shpallë zgjedhjet e brendshme.

Nënkryetari i Parë i LDK’së, Eqrem Kryeziu ka konfirmuar se janë marrë vesh që të mbledhin Këshillin Kombëtar për të vendosur deri në vjeshtë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në parti.

“Nuk kemi folur me emra, pasi Këshilli i Përgjithshëm do të merret me të gjitha. Në agjendë duhet të ishte shpallja e zgjedhjeve të përgjithshme në LDK”, ka konfirmuar Kryeziu.

LDK’ja as në këtë mbledhje nuk ka vendosur për emrat e zëvendësministrave në Qeverinë e Kosovës.

Ndryshe, anëtari i Kryesisë, Ali Lajçi thotë se LDK’ja është duke shkuar në humnerë.

“Po shpresojmë se më në fund janë mbushur mend dhe po bahen ndryshime rrënjësore në LDK. Me politikën e tanishme, LDK’ja po rrëshqet në humnerë së bashku me LDD’në”, ka konstatuar Lajçi, në një prononcim për Express.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›