E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen Krasniqi e Brajshori

Projektligji për shërbyesit civilë ka qenë shkak për një përleshje verbale mes kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe kryetarit të Komisionit për administratë publike, pushtet lokal dhe media, Esat Brajshori, përderisa ka pasur një konfuzion sa i përket këtij projektligji për shkak të mospajtimit me disa nene ndërmjet dy komisioneve, Komisionit për administratë publike, pushtet lokal dhe media dhe atij për legjislacion e gjyqësi.

Janë disa amendamente të propozuara nga Komisioni për administratë publike, me të cilat nuk është pajtuar Komisioni për legjislacion, dhe duke e parë këtë konfuzion, edhe grupet parlamentare janë pajtuar që projektligji të hiqet nga rendi i ditës dhe të sillet në seancë pas harmonizimit ndërmjet komisioneve.

Me një votim formal deputetët kanë vendosur që Projektligji për shërbyesit civilë dhe ai për pagat e nëpunësve civilë është shtyrë për seancën e 13 majit, ndonëse kryeparlamentari Krasniqi ka konsideruar se kjo do të jetë e vonuar.

Këto projektligje kanë nxjerrë kundërshtime të mëdha mes dy komisioneve në fjalë, ndërkaq kanë shkaktuar edhe polemika mes kryeparlamentarit Krasniqi dhe kryetarit të Komisionit për administratë publike Esat Brajshori.

Amendamentet e reja në këtë projektligj, i ka propozuar Melihate Tërmkolli, e cila përveç që ka kërkuar nga ligjvënësit që t’i miratojnë amendamentet e komisionit, ka thënë se kundërshtimi i Komisionit për legjislacion për këto amendamente tregon urrejtjen patologjike ndaj komisionit tjetër.

“Kjo tregon një urrejtje patologjike që ka ndodhur vetëm në kohën e regjimit të Beogradit, madje duke e personalizuar, një ligj i cili nuk guxon të personalizohet, sepse është në interesin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tërmkolli.

Kryetari i Komisionit për legjislacion, Bahri Hyseni ka paraqitur një sërë kundërshtimesh në disa nene, të cilat sipas tij, janë tërësisht antikushtetuese.

“Janë mbi 50 amendamente, të cilat nuk kemi mundësi mos t’i harmonizojmë, sepse janë antikushtetuese”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka arsyetuar kritikat e tij të disa ditëve më parë për kryetarin e Komisionit për administratë publike, Esat Brajshori, duke thënë se vetë fakti që ai nuk del ta prezantojë projektligjin, tregon se nuk është i gatshëm dhe i aftë ta drejtojë këtë komision.

Kjo ka indinjuar thellë Brajshorin, i cili ka thënë se kryetari Krasniqi ka shkelë kompetencat si kryetar i kuvendit, me kritikat e tij dhe me kërkesën që Brajshori të japë dorëheqje nga kryetari i komisionit.

“Është për keqardhje mënyra dhe qasja juaj kryetar, do të kemi raste edhe raste tjera, por si shembull është i keq. Ne si grup jemi të gatshëm të bisedojmë dhe të krijojmë një harmonizim”, ka thënë Brajshori.

Krasniqi nuk ka hezituar t’i mbrojë qëndrimet e tij edhe si deputeti Kuvendit, duke thënë se gjithnjë është përpjekur të ketë balancë në Kuvend mes pozitës dhe opozitës, duke i dhënë madje më shumë hapësirë opozitës.

Ndërkaq për projektligjin në fjalë, ka thënë se është vonuar gati gjashtë muaj nga ana e Komisionit për administratë publike, megjithëse kryetari i këtij komisioni ka demantuar këtë duke thënë se është vonuar tre muaj, por ka bërë të ditur se ka projektligje të tjera që vonohen deri në 22 muaj.

Ligjvënësit janë pajtuar që të dy këto projektligje, edhe ai për shërbyesit civilë edhe Projektligji për pagat e nëpunësve civilë të hiqen nga rendi i ditës për të ardhur në seancën e 13 majit të harmonizuar mes Komisionit për administratë publike dhe Komisionit për legjislacion. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›