Rrugët e Jugut mbyllen në qershor
BLEDAR HOTI
Pa u mbyllur mirë ky sezon turistik, kryeministri ka mbledhur dikasteret kryesore të qeverisë për të nisur investimet në zonën e bregdetit të Jugut të Shqipërisë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, Transportit, Energjetikës, Bujqësisë dhe Kulturës kanë diskutuar me kryeministrin Berisha në lidhje me nisjen e investimeve në zonën e bregdetit jonian të vendit. Për rritjen e kapaciteteve akomoduese, Berisha propozoi dhënien e kredive të buta për banorët e zonave në bregdet. “Ministria e Financave duhet të shqyrtojë mundësinë e një kredie të butë për të gjitha familjet që duan të shtojnë një dhomë, dy dhoma apo një kat në shtëpitë ekzistuese. Ne nuk mund të japim kredi për të bërë shtëpi të reja, por në qoftë se gjejmë një mënyrë për të rritur më shpejt kapacitetet hoteliere të fshatrave të bregut, nga Dhërmiu në Ksamil, e të gjithë gjatësinë e bregut Jon, ndoshta do të mund të shtojmë një numër shumë të madh shtretërish. T’u japësh fonde atyre është një përparësi absolute. T’u japim fondet dhe të procedohet sa më shpejt, në mënyrë që mbi bazën e planeve urbanistike pastaj të autorizohen ndërtimet”, theksoi kryeministri. Ndërsa vëmendja më e madhe është përqendruar në investimet në infrastrukturën rrugore. Kryeministri i kërkoi ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, hartimin e një studimi serioz për krijimin e një rrjeti të ri rrugor, për lehtësimin e trafikut në qytet, me qëllim që trafiku i turistëve drejt bregut të mos rëndojë qarkullimin rrugor në qytet. “Vetëkuptohet që potenciali më i madh turistik është potenciali jonian. Për disa specifika: ujërat e Jonit janë të papërsëritshme, të pakrahasueshme; rruga e ndërtuar ka ndryshuar faqen e gjithë zonës, i ka dhënë zonës një infrastrukturë kryesore, moderne. Por është e domosdoshme që tani të lëvizim me shpejtësi që në të gjithë bregun e detit Jon, të bëhen ndërhyrjet e gjithanshme të nevojshme për të kompletuar infrastrukturën me përparësi absolute, nga Orikumi deri në Ksamil”, tha Berisha. Sipas kreut të Ekzekutivit, Ministria e Punëve Publike ka një seri projektesh, janë 7 rrugë fshatrash të prokuruar, janë ujësjellës të prokuruar, por tani detyra është kjo: do të merret fshat për fshat, çdo rrugë që zbret drejt detit duhet të projektohet dhe të mos vonohet në ndërtim, në mënyrë që qershori i ardhshëm ta gjejë të asfaltuar”. “Janë bërë investimet në ujësjellës në Dhërmi, në Vuno. Këto investime duhet të kompletohen dhe çdo shtëpi duhet të ketë ujë 24 orë. Ne duhet me çdo kusht që deri në qershor këtë infrastrukturë ta kemi konsoliduar”, vijoi kryeministri. Furnizimi i plotë me energji elektrike i këtyre zonave, ishte një tjetër çështje e cila u prek në këtë takim, ku u kërkua zgjidhje sa më e shpejtë. “Sërish parametrat e energjisë nuk janë ato që duhen, por për këtë do bëjmë një diskutim me Ministrinë e Energjetikës. Në rast se këto parametra janë problem të disekuilibrit të sistemit energjetik të prodhimit të vendosur kryesisht në Veri, atëherë zgjidhja është TEC-i i Vlorës, që do të prodhojë energji për të ruajtur parametrat e energjisë në zonën më turistike të vendit”, nënvizoi kryeministri.