Kuti apo kusi votimi?
Edmond Tupja
Prej disa kohësh, aksh kanal televiziv shqiptar bën publicitet për qumështin me kuti duke tërhequr vëmendjen e mbarë publikut te fakti që ky qumësht është shumë më i besueshëm, nga pikëpamja ushqyese dhe higjienike, se qumështi që fshatarët me banim rreth e rrotull qyteteve shesin trotuareve në shishe plastike. Problemi i vetëm, të paktën për mua, është se, pavarësisht nga lloji i kutisë, nga prejardhja e qumështit e nga emri i firmës që trajton këtë qumësht dhe e shet atë pikërisht me kuti, ky lloj qumështi nuk e ka më shijen e qumështit të vërtetë, atë shije të pandryshueshme që më kujton pareshtur fëmijërinë dhe rininë time të hershme. Prandaj, sot e kësaj dite, vazhdoj të ble qumësht te Nailja, fshatarja me ndërgjegje e duar të pastra, e cila kujdeset seriozisht për lopën e saj që i jep një qumësht aq të shijshëm e të pastër saqë as nuk kam ndër mend të ble ndonjëherë qumësht me kuti. Nga ana tjetër, do të ishte vërtet absurde sikur, duke ndjekur këshillën publicitare të kanalit televiziv në fjalë, gjithë fshatarët shqiptarë të nisnin e t’ua shisnin qumështin e lopëve të tyre firmave të lartpërmendura e pastaj ta riblinin atë, pra, qumështin e lopëve të tyre (veçse më shtrenjtë e të futur në kuti) për konsum vetjak!
Më vjen shumë keq që po bëj një kundërpublicitet të tillë, unë vetë, konsumator i madh qumështi, kosi e djathi, por shija e këtyre prodhimeve blegtorale, ka, për mua të paktën, po e përsëris, po aq rëndësi sa edhe shkalla e pastërtisë dhe e higjienës, kështu që nuk kam ndër mend të ndërroj zakon: ndaj qumështit me kuti do të vazhdoj të parapëlqej qumështin me kusi, që zë dy gisht ajkë dhe që, kur zien, ma mbush kuzhinën me aromën e fëmijërisë e të rinisë sime të hershme, çka më zgjon kujtime të këndshme dhe më zgjat jetën.
Mirëpo, nga filli në gjilpërë, kundërvënia kuti/kusi (megjithëse vetëm një shkronjë i dallon këto dy fjalë nga njëra-tjetra), më detyron të kthehem te fushata zgjedhore e tanishme e të mendoj për kuti/kusinë e votimit. “Mirë kutia e qumështit – do të më thotë lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës –, të sillka ndër mend kutinë e votimit, po kusia ç’hyn në këtë mes?” Meqenëse kjo pyetje më duket fort e arsyeshme, po orvatem t’i përgjigjem.
Po, është krejt e vërtetë që qumështi në kuti më kujton, falë një shoqërimi idesh, fletëvotimin në kuti, pra, kutitë e votimit që vendosen në qendrat e votimit dhe të cilave zgjedhësit u besojnë fletëvotimet e tyre. Sigurisht, këto fletëvotime nuk mund të futen në shishe votimi, ndonëse nuk është e papërfytyrueshme që një ditë të bukur kutitë e votimit të konceptohen e të prodhohen në trajtë shishesh të mëdha, madje ngjyra-ngjyra si, për shembull, shumica e pallateve të Tiranës. Në fakt, problemi qëndron gjetiu: mos vallë do të ketë, më 28 qershor, pas mbylljes së qendrave të votimit, njerëz që do të dëshironin që fletëvotimet të përzihen si qumështi në kusi e të vihen mbi zjarr të ziejnë për të gatuar çorbën e rrëmujave, e pakënaqësive e të parregullsive, një parashije të hidhur e të përgjakshme të të cilave na e dha vrasja (për motive me shumë gjasë zgjedhore) e Artan Zekës?
Në këtë këndvështrim, do të ishte më e udhës që kutitë e votimit të mos ngatërrohen me kutitë e qumështit dhe, veçanërisht, që kusitë e qumështit të mos e humbin funksionin e tyre fillestar. Për këtë arsye, do t’i sugjeroja kanalit televiziv në fjalë, si edhe gjithë të tjerëve, që, të paktën deri më 27 qershor në darkë, të bëjnë publicitet për votimin në kuti dhe jo për qumështin në kuti, duke e vënë theksin te fakti tejet i rëndësishëm që fjala KUTI të mos ngatërrohet me fjalën KUSI (vetëm një shkronjë i dallon nga njëra-tjetra), sepse, përndryshe, njerëzit që i besojnë verbërisht reklamave televizive, rrezikojnë të çoroditen fare e, të nesërmen, me të mbërritur në qendrën e tyre të votimit, të kërkojnë kusinë e zezë të votimit për të hedhur brenda fletëvotimet e tyre të bardha si qumështi!
Për ta mbyllur, më duhet të pranoj që çifti kuti/kusi votimi më ngjan se përkon metaforikisht me çiftin zgjedhës / të zgjedhur: në fund të fundit, votat e shqiptarëve do të vlojnë në kutitë/kusitë e zgjedhjeve në mënyrë që ajkën e këtyre, pra, pushtetin, ta marrë e ta gëzojë ajo parti lumëmadhe që do të ketë grumbulluar jo më shumë qumësht, por do të ketë mjelë më shumë zgjedhës, pra, do të ketë vjelë më shumë fletë votimi!