Pagat për pension, ndryshon indeksimi
Fabiola Çela
Qeveria miraton para zgjedhjeve indeksimin e pagave për ata që dalin në pension gjatë këtij viti. Gazeta boton koeficientët e rinj për llogaritjen e përfitimeve, që nga viti 1994 e deri në vitin 2008. Pas këtij vendimi, të gjithë personat që kanë dalë në pension nga 1 janar i vitit të kaluar, pagat mbi të cilat janë derdhur kontributet nga 1 janari 1994 dhe deri në momentin e lënies së punës, si dhe pagat referuese që i përkasin periudhës së sigurimit para kësaj date, do të rivlerësohen radhazi duke u shumëzuar edhe me këtë koeficient. Koeficientet e indeksimit shërbejnë për të mbrojtur pagën nga inflacioni. Çdo person që do të plotësojë dokumentet për të marrë pension, duhet të dërgojë bashkë me dosjen e tij edhe pagat e 10 viteve të fundit. Pensioni llogaritet me mesataren e tri pagave më të larta, në tre vite nga 10 vitet e fundit të punës. Koeficientët do të përdoren për të shumëzuar pagën. Pra paga e çdo viti do të shumëzohet me koeficientin që i përket atij viti.
Llogaritja
Në ligjin “Për sigurimet shoqërore në republikën e Shqipërisë” parashikohet se shuma fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit, që u jepet të gjithë personave të siguruar, caktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave dhe aktualisht është 9515 lekë në muaj. Shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara. Llogaritja e koeficientit të indeksimit për vitin 2008 është bërë mbi bazën e të ardhurave nga kontributet e evidentuara sipas bilanceve financiare të viteve 2007 dhe 2008 dhe mbi bazën e të dhënave statistikore të numrit të personave që kanë kontribuar sipas viteve. Në bazë të llogaritjeve rezulton se kontributi mesatar vjetor për një kontribuues në vitin 2008 është 96.030 lekë, ndaj 86.470 lekë që ishte në vitin 2007, pra me një rritje prej 11.05 për qind. Për efekte llogaritje fillestare të pensionit, për efekt rrumbullakimi, koeficienti i indeksimit është vendosur të jetë i plotë 11 për qind.
Rritja
Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit rritja e pensioneve ka nisur që në muajin maj. Duke nisur nga data një maj, pensionet e fshatit do të rriten me 20 % dhe të qytetit me 10 %. Gjatë këtyre viteve qeveria ka rritur më tepër pensionet e fshatit se ato të qytetit dhe kjo me qëllim që të zvogëlohet diferenca e madhe mes tyre. Ndërkohë që gjatë tre viteve, pensionistët në fund të festave të fundvitit kanë marrë 5 mijë lekë shpërblim. Nga ky vendim i qeverisë kanë përfituar mbi 550 mijë pensionistë, si dhe personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi si ushtarakë, punonjës të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Rregullorja
Personat që janë në prag pleqërie duhet të plotësojnë një vit përpara kërkesën për të përfituar pension. Së bashku me kërkesën individët duhet të dorëzojnë edhe disa dokumente si, fotokopje e librezës së punës, certifikatë lindje etj. Në rregullore përcaktohet se personat që janë në prag të daljes në pension pleqërie, duhet të aplikojnë në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore një vit para arritjes së moshës për pension, për të plotësuar një kërkesë paraprake për pension, për të dorëzuar fotokopje të librezës së punës, për të deklaruar historikun e punës. Duke pasur parasysh faktin se afati i caktimit të pensionit 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension, një aplikim i tillë 12 muaj përpara mbushjes së moshës do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin, ashtu edhe strukturat e ISSH-së për verifikim.
koeficientet
Koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, për llogaritjen fillestare të pensioneve, sipas viteve
Për vitin 2008 1.00
Për vitin 2007 1.11
Për vitin 2006 1.04
Për vitin 2005 1.02
Për vitin 2004 1.12
Për vitin 2003 1.10
Për vitin 2002 1.09
Për vitin 2001 1.14
Për vitin 2000 1.07
Për vitin 1999 1.09
Për vitin 1998 1.05
Për vitin 1997 1.22
Për vitin 1996 1.09
Për vitin 1995 1.37
Për vitin 1994 1.32