E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Berisha punoi për familjen e tij

 

Kreu i Polit të Lirisë, Aleksandër Meksi, akuzoi kryeministrin Sali Berisha se ka punuar për të ndihmuar njerëzit dhe familjarët e tij. Akuza e njeriut që ka pasur në krah si kryeministër ndaj Berishës erdhi pikërisht gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të Polit në qytetin e Fierit. Ish-kryeministri Meksi ka hedhur shigjetime tek të dyja forcat e mëdha politike. “Nuk mund t’i besoni një njeriu që sheh më mirë se këdo të ndihmojë familjen e tij. Ky pushtet ka qenë për favore të njerëzve të afërt. Të gjithë ju duhet të ndiheni të barabartë në këtë pikëpamje, jo të fitojnë vetëm ata që i takojnë familjes së kryeministrit, pasi nuk mund të ndihmojnë vendin ata që kryejnë funksione të shtetit dhe janë nga një krahinë, nga një familje apo kanë miq dhe shokë, apo kanë shokë të fëmijëve të tyre aty pranë”, tha Meksi. Pikërisht për të ndryshuar këtë rrjedhë, Meksi tha se, “u krijua edhe Poli i Lirisë, i cili kërkon ndryshimin e kursit të Shqipërisë që ajo të afrojë me vendet evropiane dhe t’i themi larg varfërisë”. Sipas tij, “Poli i Lirisë është e djathta e vërtetë në vend. Për të qenë sa më të qytetëruar dhe evropianë duhet t’i besoni kësaj force, këtij bashkimi që flet në emër të ligjit”. Gjithashtu ai shtoi se, “Poli i Lirisë do të luftojë për shtet ligjor ‘nuk mund të ketë përparim pa drejtësi, pasi të gjithë duhet ta pranoni që ka pasur vetëm padrejtësi totale gjithandej dhe këtë e keni provuar sa herë që shkoni në gjykatë apo në institucione të tjera ligjore, e më larg dhe pikërisht kësaj ne duhet t’i themi ndal. Prandaj kërkojmë të bëjmë shtet ku asnjë nga ju të mos ndihet i detyruar të paguaj ryshfete në çdo hap që të hedhë. Prandaj votoni për LZHK që jeta jonë të ndryshojë”. Ndërkohë edhe Dashamir Shehi ka pohuar të njëjtën gjë, duke përcaktuar përpara të pranishmëve se programi i Polit të Lirisë ka parashikuar ndihmë për të kaluar caqet e varfërisë, për arsimin, për bujqësinë dhe për çdo sektor tjetër, ku në qendër do të jetë padyshim shteti ligjor dhe i së drejtës. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›