Trafik klandestinësh me targa greke
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Arrestohet një shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër për trafik klandestinësh. Mesditën e djeshme, seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve Ilegale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër vuri në pranga 26-vjeçarin Sotir Roshi. Policia e ndaloi atë ndërsa bashkë me një shokun e tij, Aleksandër Veliaj, në kërkim po trafikonin drejt Greqisë 8 klandestinë nga zonat e Fierit, Lushnjës e Beratit. Rrugëtimi i klandestinëve u bllokua rreth orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa secili prej tyre do të paguante nga 2 mijë euro deri në shtetin fqinj. Shërbimet e Policisë së Gjirokastrës me të marrë informacionin e saktë kanë ngritur në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë afër fshatit Sofratikë rreth 17 km në jug të qytetit të Gjirokastrës, një postbllok për kapjen e këtyre shtetasve. Si Sotir Roshi dhe Aleksandër Veliaj kishin në përdorim nga një autoveturë secili me targa greke që të mos binin në sy, pasi kryesisht tek automjetet me targa të huaja policia rrugore nuk ushtron kontroll. (Nga të dhënat e mëpasme u mësua se Roshi dhe Veliaj edhe herë të tjera kanë përdorur dy automjetet për të transportuar klandestinë). Kur u janë afruar postbllokut u është bërë shenjë të ndalonin, por njëri prej tyre, pikërisht Aleksandër Veliaj, është larguar me shpejtësi. Menjëherë në ndjekje të tij janë vënë agjentët e policisë, por nuk kanë arritur dot ta kapnin, pasi ai ka braktisur automjetin në fshatin Terihat me 4 pasagjerë klandestinë brenda dhe është larguar në drejtim të paditur. Dy çiftet e ndodhur brenda mjetit, përkatësisht nga Berati dhe Fieri, janë shoqëruar për në policinë e Gjirokastrës për intervistim. Ndërsa shtetasi Sotir Roshi nuk ka mundur dot të largohet dhe është arrestuar në flagrancë. Ashtu si Veliaj edhe Roshi transportonte me automjetin e tij katër persona, nga Lushnja dhe Fieri. Nga dëshmitë e marra rezultoi se klandestinët do të kalonin kufirin ilegalisht duke paguar nga 2 mijë euro për person. Policia nga ana e saj ka bërë sekuestron e automjeteve në cilësinë e provës materiale si dhe arrestimin në flagrancë të Sotir Roshit, ndërkohë që është shpallur në kërkim autori tjetër i kësaj vepre penale Aleksandër Veliaj.
Autorët, 2 muaj nën vëzhgim
Sipas policisë, si Veliaj dhe Roshi prej një periudhe dymujore investigoheshin nga ana e agjentëve të policisë, pasi dyshoheshin se ishin pjesëmarrës aktiv në veprimtarinë ilegale të transportit të personave të ndryshëm në drejtim të Greqisë me qëllim fitimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.