Nuk i japin ndihmë ekonomike, qëllon me armë komunën
LIBRAZHD - Terrorizon me armë banorët e fshatit, pasi kishte rënë në depresion prej gjendjes së vështirë ekonomike. Ngjarja ka ndodhur në komunën Lunik kur Xhelil Xhafa 50 vjeç me banim në fshatin Prevallë i armatosur me mitraloz ka terrorizuar për një orë banorët dhe punonjësit e komunës Lunik. Nën kërcënimin e armës ai u ka marrë 100 mijë lekë dy banorëve të zones, si dhe xhiron e ditës dy lokaleve të fshatit.
Më pas ka shkuar në ambjentet e komunës Lunik ku ka qëlluar me breshëri arme mbi zyrën e kryetarit të komunës. Në gjendje të rënduar 50-vjeçari ka deklaruar se do të përdorte armën edhe ndaj drejtuesve dhe punonjësve të komunës tek të cilët kishte kërkuar ndihmë ekonomike, por nuk e kishte marrë.
Burri me tre fëmijë në ngarkim pa punë e pa të ardhura ka thënë se e ka ndier veten të poshtëruar nga kjo situatë. Gjendja e keqe ekonomike qe kishte pllakosur familjen e Xhelil Xhafës ka bërë që autori t'i drejtohej disa herë zyrës së komunës së Lunikut për ndihmë, por që i është refuzuar.
Banorët thonë se ai kishte probleme të mëdha ekonomike dhe mësohet se shkaku i fundit i dëshpërimit të tij ka qenë mungesa e parave për të paguar librat e fëmijëve që ka sjellë edhe reagimin që ka terrorizuar të gjithë banorët. Fatmirësisht kjo ngjarje është mbyllur pa viktima.
Me mbërritjen e policisë ai ka tentuar të largohet nëpërmjet maleve duke braktisur edhe armën automatike. Por është ndjekur dhe arritur nga policia duke rënë në pranga. Sipas burimeve zyrtare, dyshohet se 50-vjeçari vuante nga probleme mendore.
Gjithashtu mësohet se ai ka fyer edhe një mësues në shkollën e fshatit. Burri do të përgjigjet tashmë për akuzat prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe armëmbajtje pa leje. 50-vjeçari vjen nga i njëjti fshat ku pak muaj më parë u zbulua një vrasës serial.