Kutitë, Rama: Nuk heqim dorë nga zbardhja e krimit
Ftesa personale për protestën e 30 prillit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë dje në periferinë e Tiranës, ku ka shpërndarë fletëpalosje informuese për situatën ekonomike prej nga zë fill arsyeja për tërhequr qytetarët në protestë. Sipas njoftimeve të zyrës së shtypit të Partisë Socialiste, gjatë këtij aktiviteti spontan në Shkozë, Rama ka komunikuar me banorë të zonës, të cilët kanë biseduar me të lidhur me koston e jetesës. Faturat e ujit, dritave dhe papunësia kanë qenë në vëmendje të bashkëbisedimit, i cili ngacmon në kujtesën e publikut klimën parazgjedhore të qershorit 2009. “Ne do vijmë më 30 prill. çfarë do bëhet me ne? Si do i paguajmë dritat, ujin se jemi vetë i pestë, nuk paguajmë dot asnjë gjë”, citon zyra e shtypit e PS-së ankesat e një qytetari të Shkozës. Ky komunikim i hapur për probleme të jetës së përditshme të qytetarit shqiptar ka shërbyer edhe njëherë si skenë për të apeluar për pjesëmarrje në protestën e 30 prillit që, sipas PS-së, do të jetë “madhështore dhe paqësore”. Po dje Rama mori pjesë në një takim të mbajtur në qytetin e Durrësit, ku deklaroi se është koha për t’i dhënë fund kësaj qeverisjeje piramidë. Rama këmbënguli në të drejtën e opozitës për të protestuar në mbrojtje të lirisë së votës. “Më 30 prill duhet të protestojmë të gjithë kundër kësaj qeverie. I keni parë faturat e energjisë dhe ujit dhe ju kujtohet Berisha para qershorit kur thoshte se sa të jem unë Kryeministër nuk do të rritet çmimi i dritave”, u shpreh Rama. Pak ditë më parë, tha ai, qeveria caktoi 120 mijë lekë pagesë vetëm për të hapur një gjyq. Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në protestën e opozitës, ka deklaruar se e majta nuk do të tërhiqet kurrë nga kërkesa e saj për hapjen e kutive. Rama është shprehur se heqja dorë nga kjo kërkesë do të thotë të lësh të pazbardhur një krim të rëndë, që shërben si precedent për zgjedhjet e tjera. “Ndokush pyet se pse opozita këmbëngul për hapjen e kutive. Të gjithë e keni marrë vesh se Sali Berisha i ka vjedhur zgjedhjet dhe se zgjedhjet nuk ishin të ndershme. Krimi elektoral duhet zbardhur, pasi nëse i lëmë kutitë si çështje e mbyllur edhe në zgjedhjet e ardhshme do e vjedhin përsëri votën”, nënvizoi Rama.
#