E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Anëtarët e gjykatave, me konsensus

PS kushtëzon reformën në drejtësi me zëvendësimin në Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë

Partia Socialiste kërkon publikisht përfshirjen në vendimmarrjen politike për zëvendësimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Në përmbushje edhe të rezolutës së miratuar në Kongresin e fundit, përfaqësuesi i saj, sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, apeloi dje ndaj Presidentit të Republikës për një proces transparent dhe të hapur. Duke iu referuar rekomandimeve të partnerëve ndërkombëtarë ai ka shkuar më tej, teksa ka kërkuar që miratimi i tyre nga Kuvendi i Shqipërisë të mund të bëhet me shumicë të cilësuar, edhe pse kuadri kushtetues parashikon nevojën e një shumice të thjeshtë. “Partia Socialiste angazhohet solemnisht se do të mbështesë fort politikisht çdo hap pozitiv që i shërben ndërtimit të një procesi konstruktiv për përzgjedhjen e kandidaturave, duke konsideruar pozitivisht edhe propozimin e partnerëve ndërkombëtarë për mundësinë e votimit të dekreteve presidenciale nga Kuvendi me një shumicë të cilësuar”, deklaroi Xhafaj. Një propozim ky i hapur për marrëveshje politike për sa kohë që vota me shumicë të cilësuar presupozon nevojën e konsensusit dypalësh, të cilin përndryshe ligji themeltar nuk e kërkon si të detyrueshëm. Ky hap i ri i selisë rozë merr një rëndësi tjetër, pse ai paralelizon me retorikën e fortë dhe gjuhën e ashpër të përdorur nga ekipi drejtues i saj, që po e bën sulmin ndaj qeverisë një stereotip të përditshëm. Për më shumë, sipas deklarimeve të përditshme të deputetëve të PS-së, protesta e 30 prillit po sugjerohet si dita e fundit e qeverisë “Berisha”. Kështu, mund të thuhet se minimalisht Partia Socialiste po ndjek një kurs që kombinon gjuhën e fortë dhe thirrjen për protesta me negociimin në distancë dhe ofertën për një marrëveshje politike. Kjo mund të kuptohet më mirë, teksa vetë Xhafaj dje ka preferuar që ta shohë procesin e zëvendësimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese si “kusht thelbësor për reformimin e sistemit të drejtësisë”. Rrjedhimisht interesi i opozitës në këtë proces mund të gjykohet si një gjetje taktike për t’u përfshirë formalisht në proces pa cenuar për momentin axhendën e protestës. Por nuk duhet mohuar edhe leximi parimor që Partia Socialiste i bën procesit në fjalë dhe pasojave të tij direkte mbi pavarësinë e pushtetit gjyqësor që i faturon aktualisht përgjegjësi shumë të mëdha edhe Presidentit të Republikës. Me një gjuhë politikisht korrekte, deputeti Fatmir Xhafa ka kërkuar nga kreu i shtetit që përzgjedhja e kandidaturave të jetë transparente dhe të udhëhiqet nga kriteri profesional. “PS-ja vlerëson të dobishme iniciativën e Presidentit të Republikës, për konsultime me personalitete dhe ekspertë të pavarur të jurisprudencës dhe të misioneve ndërkombëtare për standardet e përzgjedhjes dhe kriteret e nevojshme që duhet të përmbushen nga kandidatët. PS-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ky proces konsultimi të jetë real, transparent dhe efektiv”, u shpreh ai. Sipas tij, fakti se zëvendësimi do të përfshijë 10 anëtarë të të dyja gjykatave e rrit përgjegjësinë e Presidentit Bamir Topi, duke i dhënë atij një shans për të ndikuar pozitivisht në mirëfunksionimin e dy hallkave sipërore të gjyqësorit shqiptar. Deri në këtë moment diskutimi politik rreth emrave ende nuk ka nisur për sa kohë që procesi ndodhet në fazën e aplikimit, para se Presidenti të përzgjedhë emrat për të kërkuar pëlqimin e Kuvendit të Shqipërisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›