E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitingjet e 1 Majit, kordon policie për të shmangur kontaktet

Përgatitja Dje u mblodh grupi i punës së tubimit të organizuar nga qeveria. Sindikatat ndahen në dy grupe

Protestën e opozitës dhe festën e mazhorancës më 1 Maj do ta ndajë një kordon policie që do të vendoset mes bulevardit kryesor, në pjesën e Kryeministrisë dhe sheshit “Nënë Tereza”. Burime nga grupi i punës, i ngritur për organizimin e festës së Partisë Demokratike, në ditën e parë të majit, theksojnë se ky kordon do të vendoset për të eliminuar konflikte të mundshme që mund të lindin mes simpatizantëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës. Gjithashtu mësohet se policia do të jetë tepër aktive gjatë datave 30 dhe 1 Maj, ku sheshet dhe rrugët e kryeqytetit priten të mbushen nga protestues të opozitës e qytetarë dhe mbështetës të mazhorancës, të cilët do të festojnë në nder të ditës së punës. Kaosi që pritet të karakterizojë këto ditë po duket edhe në radhët e sindikalistëve, të cilët ashtu si edhe partitë politike janë ndarë në dy kampe. Kështu, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura ka vendosur të festojë më 1 Maj, ndërsa Konfederata e Sindikatave të Pavarura të protestojë përkrah përfaqësuesve të opozitës. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se koncerti festiv do të nisë rreth mesditës së datës 1 Maj dhe do të zgjasë deri në orët e vona të pasdites. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve po përcakton edhe programin artistik, i cili do të mbahet në këtë ditë.

Kështu pritet që këngëtarët dhe artistët më të mirë të vendit të ngjiten në skenën që do të ngrihet përballë korpusit universitar në kryeqytet. Mësohet se ministria nuk ka vendosur të ftojë në këtë koncert artistë apo grupe të huaja muzikore, ashtu siç ka ndodhur në evenimentet e mëdha që ka zhvilluar mazhoranca. Duket se grupi i organizatorëve të festës ka vendosur për të “kursyer” edhe fondin, i cili është vënë në dispozicion të këtij aktiviteti. Nga ana tjetër, teksa ministria po angazhohet në formimin artistik të këtij aktiviteti, përfaqësuesit e Partisë Demokratike po kujdesen të organizojnë edhe një pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve nga të gjitha rrethet e vendit, në këtë festë të madhe, e cila do të mbahet në kryeqytet. Sakaq, ende nuk është vendosur nëse në këtë aktivitet Kryeministri Berisha do të mbajë një fjalë të rastit, apo nga ana e mazhorancës qytetarëve do t’u ofrohet vetëm program artistik. Në komunikimin me median, Kryeministri ka theksuar se kjo festë për ditën e punës duhet të ishte zhvilluar nga opozita e majtë, por duke qenë se ajo do të protestojë, këtë detyrë e ka marrë përsipër mazhoranca.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›