E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e KiE kritikon opozitën

Rusmali

Deklarata e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk ka tone alarmante, por është vetëm një thirrje miqësore e këtij institucioni që i fton palët të gjejnë një zgjidhje në lidhje me situatën politike që është krijuar në vend. Këtë lexim i bëri dje kryetari i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-s, Ilir Rusmali, pohimit zyrtar të Byrosë së Këshillit të Europës. I pranishëm në punimet e kësaj asambleje, deputeti i Partisë Demokratike, Rusmali, deklaroi se qëndrimi i ri nuk lë pa evidentuar faktin që në Shqipëri ka ndodhur një pjesëmarrje e pjesshme e opozitës në jetën parlamentare dhe jo e plotë, siç është kërkuar, dhe faktin që opozita refuzon të jetë pjesë e komisionit hetimor për zgjedhjet. “Deklarata është shumë e qartë, shumë e drejtpërdrejtë, shumë e çiltër dhe shumë miqësore. është një deklaratë që i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shqiptarët do ta mbështesin fuqimisht dhe do ta marrin seriozisht. Sigurisht që deklarata nuk ka tone alarmante, sigurisht që deklarata nuk mban anën e asnjërës nga palët, por mban anën e Shqipërisë”, argumentoi Rusmali. Në këtë kuadër, ai i bëri thirrje opozitës t’i kthehet aktivisht jetës parlamentare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›